Kërko

Vështirësi për të gjetur ujë në disa zona konflikti Vështirësi për të gjetur ujë në disa zona konflikti

Papa Françesku: lufta vret edhe ambientin

Çdo 6 nëntor, që nga viti 2001, kremtohet Dita Ndërkombëtare e OKB-së për Parandalimin e Shfrytëzimit të Ambientit në kohë lufte dhe konflikti të armatosur. Në tweet-in e sotëm, Papa Françesku denoncon se lufta është mohim i të drejtave dhe sulm dramatik kundër ambientit.

R.SH. - Vatikan

Tweet-in e tij të sotëm, Papa Françesku ia kushton Ditës Ndërkombëtare të OKB-së për Parandalimin e Shfrytëzimit të Ambientit në kohë lufte dhe konflikti të armatosur, e cila kremtohet çdo 6 nëntor, që nga viti 2001.

“Lufta – shkruan Ati i Shenjtë – është mohim i të gjitha të drejtave dhe sulm dramatik kundër ambientit. Nëse duam një zhvillim të vërtetë e të gjithanshëm njerëzor për të gjithë, duhet ta vijojmë pa u lodhur impenjimin për të shmangur luftën. #EnvironmentConflictDay #FratelliTutti”

Objektivi i kësaj Dite është të ndërgjegjësojë bashkësinë ndërkombëtare për pasojat e dëmshme të konflikteve ndaj ambientit. Luftërat nuk vrasin vetëm me armë, por edhe me shkatërrimin e burimeve natyrore, varfërimin e tokës, shpyllëzimin, ekspozimin e njerëzve ndaj amiantit dhe substancave të tjera toksike si nikeli dhe plumbi. Gjithashtu, gjatë konflikteve është e pamundur të kultivohet toka, me pasoja ta jashtëzakonshme për çdo ekonomi shtëpiake.

OKB-ja: të parandalohen konfliktet, edhe për mbrojtjen e ambientit

 Mesazhi i Asamblesë së OKB-së për këtë Ditë vë në pah nevojën për ta konsideruar mbrojtjen e ambientit si pjesë të strategjive për parandalimin e konflikteve dhe për paqeruajtjen. “Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme – lexohet në të - ​​nëse shkatërrohen burimet natyrore dhe ekosistemet, mbi të cilat bazohet jetesa e popullsisë”. Jo vetëm kaq! Kontrolli i burimeve natyrore është një nga faktorët, që shkakton konflikte. Studimet e Programit të Kombeve të Bashkuara për Ambientin (UNEP) tregojnë se në 60 vitet e fundit, të paktën 40% e të gjitha konflikteve të brendshme kanë të bëjnë me shfrytëzimin e burimeve natyrore.

Kujdesi i jashtëzakonshëm i Papës Françesku

 Në disa raste, por veçanërisht në enciklikën “Laudato si’”, Papa Françesku ka tërhequr shpesh vëmendjen për degradimin e ambientit, si pasojë e konflikteve. Lufta, shkruan Ati i Shenjtë, “shkakton gjithnjë dëme serioze në ambientin dhe në pasurinë kulturore të njerëzve e, rreziqet bëhen më të mëdha nëse mendojmë për armët bërthamore dhe biologjike”. Prandaj, Papa u ka bërë gjithnjë thirrje liderëve ndërkombëtarë t’i kushtojnë “vëmendje parandalimit dhe zgjidhjes së shkaqeve, që mund të shkaktojnë konflikte të reja”. Veçanërisht, gjatë vizitës në Hiroshimë e Nagasaki të Japonisë, në nëntor të vitit 2019, Ati i Shenjtë e quajti të pamoralshëm përdorimin dhe zotërimin e armëve bërthamore.

Rritet ndjeshmëria për çështjet e ambientit, por nuk mjafton

Pasojat shkatërrimtare të konflikteve mbi ambientin janë lënë disi pas dore nga bashkësia ndërkombëtare. Vëmendja e botës ndaj tyre arriti kulmin në vitet ’70 të shekullit të kaluar, me Luftën e Vietnamit, kujton Agjencia për Ambientin në OKB. Në atë rast, përdorimi i herbicidit toksik “Agent Orange” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkaktoi shpyllëzime masive dhe ndotje kimike. Por dëmtimi serioz i ambientit u përsërit edhe gjatë Luftës së Gjirit Persik (1990-1991), kur u shkatërruan qëllimisht mbi 600 puse nafte në Kuvajt e, më pas, edhe në Kosovë, në vitin 1999, me bombardimet e dhjetra strukturave industriale. E akoma kujtohet derdhja e 12.000 –15.000 tonë naftë në Detin Mesdhe, në vitin 2006, pas bombardimit të termocentralit libanez në Jiyeh. Edhe lufta në Irak kundër Shtetit Islamik la pas një krizë të thellë mjedisore, me djegien e shumë puseve naftëmbajtëse.

Selia e Shenjtë: të favorizohet dialogu shumëpalësh

Problemi është se ligjet ndërkombëtare për mbrojtjen e ambientit, edhe në kohë konflikti, ekzistojnë, por OKB-ja nuk është në gjendje të sigurojë zbatimin e tyre kudo. Selia e Shenjtë sugjeron t’i jepet më tepër rëndësi dialogut shumëpalësh, duke e konsideruar tjetrin vëlla a motër, me të drejta të barabarta me ne. Në enciklikën e tij të fundit “Fratelli tutti”, Papa Françesku mbron konceptin e së ashtuquajturës “dashuri në nivelin publik”, pra, një lloj ndjenje dashurie e kujdesi për të gjithë, ngritur në nivelin e politikës, e cila duhet ta konsiderojë gjithë njerëzimin si një familje e vetme, që ecën përpara së bashku.

06 nëntor 2020, 12:13