Kërko

Vatican News

Papa bekon shtatoren mariane të Medaljes së Mrekullive

Me bekimin e Papës Françesku, sot paradite në Vatikan, fillon shtegtimi italian i shtatores së Zojës së Mrekullive, organizuar nga Familja Vinçenciane, 190 vite pasi Virgjëra Shenjte iu duk shën Katerinës Labouré. “Do të jetë shenjë e afërsisë së Marisë, Nënë e Kishës, me njerëzit e prekur nga pandemia”, shpjegon atë Valerio Di Trapani

R.SH. - Vatikan

190 vite pasi Zoja e Bekuar iu duk shën Katerinës Labouré, me nismën e bijve shpirtërorë të Shën Vinçenc de Paolit, shtatorja e Virgjërës së Medaljes së Mrekullive, duke nisur nga 1 dhjetori, do të fillojë një shtegtim ndërmjet rajoneve italiane, që sot vuajnë veçanërisht nga pasojat e pandemisë. Pikërisht sot paradite, në prag të këtij shtegtimi feje, Papa Françesku bekoi “Shtatoren shenjte të Zojës së Papërlyer të Medaljes së Mrekullive”, në prani të Eprorit të përgjithshëm të Kongregatës së Misionit, atë Tomaž Mavrič.

Në mikrofonin e Radio Vatikanit, eprori i Kolegjit Apostolik Leonian në Romë, atë Valerio Di Trapani, asistent shpirtëror i Grupeve të vullnetarëve vinçencianë në Itali e koordinator i nismës “Maria Shtegtare”, shpjegon gjestin e Atit të Shenjtë:

Për ne, bekimi i Papës Françesku është nisje e vërtetë drejt këtij misioni, i cili do të zgjasë së paku një vit e do ta çojë shtatoren e “Marisë Shtegtare” në bashkësitë dhe famullitë italiane, që duan ta mirëpresin atë. Me këtë mision, shën Maria vazhdon atë, që pati filluar me dukjet e vitit 1830: Virgjëra viziton popullin e saj, e bekon atë dhe na kujton se do të jetë gjithmonë me ne. Ia tha këtë 190 vite më parë shën Katerinës Labouré e besojmë se vazhdon ta thotë edhe sot. Ndër të tjera, në kohën e atyre dukjeve, në gjysmën e parë të shekullit XIX, Franca përjetonte një periudhë të veçantë, karakterizuar nga një revolucion i dytë dhe nga beteja vëllavrasëse. Shën Maria ndërhynte në atë histori, duke thënë: “Unë jam me ju, ju dua dhe nëse vini tek unë do të gjeni ngushëllim”. Pra, ishte Zoja që vinte drejt nesh për të na ndihmuar e sot, shtatorja e Marisë Shtegtare e vijon atë ndihmë për popullin e saj. Më duket domethënëse dhe ngushëlluese në këtë kohë pandemie që Maria, Nëna e Kishës e, me të mund të themi e gjithë Kisha, nuk distancohet nga populli i saj, por u qëndron pranë njerëzve të sprovuar.

Në mesazhin e Zojës për shën Katerinën, 190 vite më parë, kishte fjalë inkurajuese si: “Unë do të jem gjithmonë me ju, kini besim, mos u shkurajoni”. Ju vinçencianët, si e vini në jetë këtë mesazh?

Pikërisht! Ne mendojmë se Maria na e përsërit këtë mesazh sot e ndiejmë se duhet t’ua drejtojmë të gjithëve. Shën Vinçenc de Paoli thoshte se thirrja jonë është përflakja e zemrave të njerëzve, mbartja e asaj flake dashurie, që Zoti ka dikuar në zemrat tona. Mendoj se kur shën Maria zgjodhi një Bijë të Dashurisë, dy shekuj më parë, pra një murgeshë vinçenciane, deshi të zgjidhte ndër ata që, me misionin e tyre, sillnin ngushëllim, ndihmë, mbështetje për të varfërit. Për ne, këto fjalë të shën Marisë janë thirrje e re për t’u kumtuar Ungjillin të varfërve dhe - në këto kohë - për t’ua shpallur Ungjillin njerëzve, që jetojnë në dëshpërim, edhe për shkak të pandemisë. Ne duam të theksojmë se Zoti është gjithmonë me ne, Maria është gjithmonë me ne. Duam ta përsërisim këtë për çdo njeri: para së gjithash për të fundmit, për më të varfërit, më të braktisurit, për më të sprovuarit në këtë kohë, kur varfëria po rritet.

Shtegtimi i shtatores së Zojës, që do të fillojë më 1 dhjetor 2020 e do të përfundojë më 22 nëntor 2021, duhet të marrë parasysh edhe masat e sigurisë, për shkak të pandemisë…

Sigurisht, pa dyshim që do ta kemi edhe këtë parasysh dhe nuk do të mendojmë për tubime ose ngjarje të ngjashme, por sidomos do të dëshmojmë se shën Maria bëhet e afërt me bashkësitë më në vështirësi: shtatorja do të shkojë në vendet e vuajtjes, në spitale, në shtëpitë për të moshuar, në qendrat ku shërbehen, ndihmohen dhe mbështeten të varfrit. Shtegtimi synon të shprehë faktin se “Maria qëndron pranë”, me thjeshtësinë më të plotë. Gjestet do të jenë të shumta, nismat do të jenë të shumta: do të fillojmë nga Roma e pastaj, do të zbresim në Kampania, Kalabri, Siçili, për t’u ngjitur më pas në Pulja, derisa të arrijmë në të gjitha rajonet italiane, që po e pranojnë me entuziazëm këtë ftesë. Sepse kur Maria fton, Populli i Zotit përgjigjet gjithmonë me shumë zemërgjerësi dhe gëzim.

11 nëntor 2020, 13:28