Kërko

Vatican News
Kopshtet e Vatikanit Kopshtet e Vatikanit 

Një javë me Papën

Një javë me Papën, nga kalimi i Kryqit të DBR-së në duart e të rinjve të Lisbonës – tek audienca e përgjithshme e Muzetë e Vatikanit.

R. SH. - Vatikan

Papa: sot Kryqi i DBR-së kaloi në duart e të rinjve të Lisbonës

Sot, në solemnitetin e Krishtit Mbret dhe në përfundim të Vitit Liturgjik, Kryqi i Ditës Botërore të Rinisë kaloi nga duart e të rinjve të Panamasë, në ato të të rinjve të Lisbonës. Ishin të pranishëm, me këtë rast, dy delegacionet rinore: nga Amerika Qendrore dhe nga Portugalia. 

E parashikuar, fillimisht, për vitin 2022, Dita Botërore e Rinisë e Lisbonës u shty një vit për shkak të Covid-19. Me të u shty edhe dorëzimi i simboleve të DBR-së - Kryqi dhe ikona mariane- të rinjve të Portugalisë. Tani, delegacioni i tё rinjve nga Portugalia e mori nё dorëzim Kryqin e Ditёve Botёrore tё Rinisё nga delegacioni i Amerikёs Qendrore.  Duke uruar që Covid-19 të mos i pengojë të rinjtë në festën e tyre, kujtojmë se Dita e parë Botërore e Rinisë është ajo e vitit 1985, mbledhur me nismën e Gjon Palit II, që pati pohuar: “E themeluan vetë të rinjtë”. “E vetë të rinjtë po e vazhdojnë” - na kujton Françesku.

Dita e Botërore e Rinisë në Lisbonë

Dita e ardhshme Botërore e Rinisë do të kremtohet në Lisbonë. Njoftimi u dha në Meshën përfundimtare, në Takimin rinor të Panamasë më 27 janar 2019. Kjo e Lisbonës do të jetë Dita e 35-të Botërore e Rinisë.  

Jubileu i Pasionistëve. Papa: të përtërihet misioni

Françesku i dërgoi një mesazh atë Joachim Rego-s, Epror i pëgjithshëm i Kongregatës së Mundimeve të Jezu Krishtit, që njihen me emrin Pasionistët. Rasti: kremtimet jubilare për treqindvjetorin e themelimit, që  nisën më 2 nëntor 2010, për të vijuar deri më 1 janar 2022, me temë: “Ta përtërijmë misionin tonë, me mirënjohje, profeci e shpresë, në një botë, ku asgjë nuk është më siç ishte më parë”.

“Vetëm ata që kryqëzohen nga dashuria, siç i ndodhi Jezu Krishtit në kryq, janë në gjendje t’i ndihmojnë të kryqëzuarit e historisë me fjalë dhe veprime të frytshme”.

Kështu, Papa Françesku, në Mesazhin për anëtarët e Kongregatës së Pasionit të Jezu Krishtit, me rastin e kremtimeve jubilare për 300-vjetorin e themelimit.

“O Zot, gjithçka të duash, kur të duash e si të duash”.

Në audiencën e përgjithshme, mbajtur nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, Papa ia kushtoi reflektimin Marisë e, sidomos, stilit të saj në çastin kur i drejtohej Zotit me zemër të përvuajtur: “O Zot, gjithçka të duash, kur të duash e si të duash”.

Një vashë e thjeshtë, që hyn në dialog me vetë Zotin, që nuk di gjë prej gjëje për detin e stuhishëm, që do t’i duhet të përballojë e as se shpesh “do t’i duhet të zhduket”, për t’u ridukur në çastet më vendimtare. Zëri i Zotit u prin hapave të Marisë, atje ku ndjehet nevoja e pranisë së saj. Kudo! E sidomos, në orën tragjike të Kryqit.  Asaj “ja ku jam”, “të vogël dhe të pafundme”, që e rrëmbushi me gëzim mbarë gjithësinë, në historinë e shëlbimit i paraprinë shumë “ja ku jam” të tjera, bindje të tjera besimplote në vullnetin e Hyjit, të cilat e frymëzuan Papën të brohoriste edhe sot për Marinë, që ia hapi me fund zemrën Zotit:

“Ata që janë zemërbutë e të përvujtë luten kështu: me përvujtëri të thellë e   të thjeshtë: ‘O Zot, çka të duash Ti, kur të duash Ti e si të duash Ti’. E  luten kështu pa u zemëruar pse ditët e tyre janë plot me probleme, duke shkuar drejt realitetit me bindjen se përmes dashurisë së përvujtë, dashurisë së dhuruar në çdo situatë, ne bëhemi mjet hiri në dorë të Zotit”.

Muzetë e Vatikanit. Gjithçka është në lidhje

“Ekzistojmë vetëm përmes lidhjeve: me Zotin krijues, me vëllezërit e me motrat, si anëtarë të një familjeje të përbashkët, e me të gjitha krijesat, që banojnë në  të njëtën shtëpi. Nuk mund të jetohet në harmoni me krijimin, po të mos jemi në paqe me Krijuesin, gurrë e zanafillë e të gjitha sendeve”. – Nga ky reflektim i Papës Françesku merr shtytjen nisma e re, realizuar nga Muzetë e Vatikanit, së bashku me Vatican News, që ofron pamjet mahnitëse të Kopshteve të Vatikanit e të Vilave Papnore, shoqëruar nga fjalët e Papëve, kushtuar mbrojtjes së gjithësisë. Sot,  në instagram dhe në facebook(#TempoDelCreato;instagram: @vaticanmuseums @vaticannews facebook: @vaticannews) mund të gjeni fotografinë - që shoqërohet me fjalët e Palit VI:

“Jo vetëm ambienti material bëhet kërcënim i përhershëm: ndotjet e fundërrinat, sëmundjet e reja, i tërë pushteti shkatrrimtar; por kryesisht konteksti njerëzor,  të cilin njeriu nuk e zotëron më, duke krijuar për nesër një ambient, që mund të bëhet i padurueshëm; problem shoqëror me përmasa të gjera, që ka të bëjë me gjithë familjen njerëzore. Këtyre perspektivave i krishteri duhet t’ia kushtojë gjithë vëmendjen, për të marrë mbi vete, së bashku me njerëzit e tjerë, përgjegjësinë e një fati, i cili është bërë tashmë i pëbashkët”

(Pali VI – Letra Apostolike Octogesima Advenines, 1971).

20 nëntor 2020, 15:31