Kërko

Vatican News

Motu proprio: Institutet e reja rregulltare miratohen nga Selia Apostolike

Me Motu proprio “Authenticum charismatis”, Papa ndryshon normën e së Drejtës Kanonike, që e bën të detyrueshëm mendimin e Selisë Apostolike për njohjen e bashkësive të reja të jetës së shuguruar në nivelin dioqezan. Më parë, mjaftonte vetëm konsultimi.

R.SH. - Vatikan

Me një Letër Apostolike në formën e Motu Proprio-s, “Authenticum charismatis”, Papa Françesku ndryshon nenin 579 të Kodit të së Drejtës Kanonike, që ka të bëjë me kompetencat për miratimin e një Instituti të ri rregulltar. Nëse më parë, vendoste ipeshkvi dioqezan, pasi konsultonte Selinë Apostolike, tani, vendos gjithnjë ipeshkvi dioqezan, por pas miratimit paraprak me shkrim nga ana e Selisë Apostolike.

Roli i ipeshkvit dioqezan

 Le të shpjegojmë më hollësisht ç’thotë Motu Proprio i sotëm i Papës Françesku. Ati i Shenjtë shqetësohet për besimtarët, të cilët kanë të drejë të njoftohen nga ipeshkvijtë e tyre për vërtetësinë e karizmave dhe për besueshmërinë e themeluesve të tyre. Është pikërisht Bariu dioqezan, siç shpjegohet në Letër, që tregon kujdes “për të gjitha format e jetës së shuguruar, sidomos, përsa i përket detyrës vendimtare për vlerësimin e mundësisë së themelimit të Instituteve të reja të jetës rregulltare dhe Shoqërive të reja të jetës apostolike”. Kisha e ka për detyrë, nënvizohet më tej në Letrën Apostolike të Papës, t’u përgjigjet “dhuratave që dikon Shpirti Shenjt në çdo Kishë të veçantë, duke i mirëpritur me bujari e me falënderime; njëkohësisht, duke shmangur ‘lindjen e panevojshme të instituteve të padobishme, ose pa forcë të mjaftueshme’”, siç kërkon Dekreti “Perfectae caritatis” i Koncilit II të Vatikanit.

Roli i Selisë Apostolike

Selia Apostolike, shpjegohet më tej në Motu Proprio-n e sotëm të Papës Françesku, duhet t’i shoqërojë ipeshkvijtë në procesin e njohjes së Institutit apo të Shoqërisë së re në nivelin dioqezan. Fillimisht, duhet kuptuar nëse karizma e grupit, që paraqitet për miratim para bariut të Kishës, dhe qëllimi që i frymëzon, janë vërtet të krishtera. Pastaj, duhet verifikuar nëse ka institute të ngjashme, për të shmangur shumëzimin e tepruar të tyre, që më vonë, mund të çojë në një copëzim të dëmshëm në grupe tejet të vogla. “Pra, Institutet e reja të jetës së shuguruar dhe Shoqëritë e reja të jetës apostolike duhet të njihen zyrtarisht nga Selia Apostolike, e vetmja, së cilës i takon gjykimi i fundit”.

Vendimi i Papës Françesku

Ati i Shenjtë vë në dukje se kur ipeshkvi dioqezan miraton themelimin e një instituti të ri rregulltar, nuk ndikon vetëm në jetën e dioqezës, por edhe në atë të krejt Kishës universale. Vërtet, në çastin, kur rregulltarët e rinj përhapen mjaftueshëm në gjithë botën, i takon pikërisht Selisë Apostolike të vendosë për kalimin e institucionit nga një Institut a Shoqatë “e së drejtës dioqezane” në një Institut a Shoqatë “e së drejtës papnore”, njohur nga gjithë Kisha universale e jo vetëm nga dioqeza. Duke pasur parasysh këtë element vendimtar për misionin e Kishës, Papa Françesku e ndryshon kanonin 579 të Kodit të së Drejtës Kanonike, i cili tani bëhet:

“Ipeshkvi dioqezan, në selinë e tij territoriale, mund të themelojë institute të jetës së shuguruar me dekret zyrtar, pas lejes paraprake me shkrim të Selisë Apostolike” (Episcopi dioecesani, quisque in suo territorio sitas, instituta vitae consecratae decreto ratum valet erigere possunt, praevia Apostolicae Sedis licentia scripto data).

Deri tani, mjaftonte konsultimi me Selinë Apostolike. Së fundi, njoftohet se ky vendim hyn në fuqi më 10 nëntor 2020, pas publikimit në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”. Papa e ka nënshkruar më 1 nëntor, në Solemnitetin e Gjithë Shenjtorëve, gjatë vitit të tetë të papnisë së tij.

Ç’është Motu Proprio

Kujtojmë se “Motu Proprio” është shprehje latine, që do të thotë “me iniciativën e vet”. Është fjala për një dokument, që paraqet një vendim personal të atij, që e ka për detyrë dhe ka pushtetin për ta bërë këtë. Në rastin e Papës, vendimi i paraqitur në një “Motu Proprio” është vetëm i tij, i papropozuar nga ndonjë organizëm tjetër i Kuries Romake, siç parashikon Kodi i së Drejtës Kanonike.

04 nëntor 2020, 12:06