Kërko

Vatican News
Koncistori i 5  tetorit 2019 Koncistori i 5 tetorit 2019 

Koncistor në kohë pandemie

Do të jetë një ceremoni në përshtatje me emergjencën shëndetësore, ajo që Papa do ta kryesojë pasditen e së shtunës. Nga 13 kardinajtë e rinj, 2 nuk do të mund të jenë të pranishëm në Romë. Një platformë dixhitale do t’u krijojë anëtarëve të Kolegjit Kardinalor mundësinë të mblidhen në kremtim. E kufizuar edhe pjesëmarja në Bazilikë.

R. SH. - Vatikan

Koncistor në kohën e Covid-19: duke respektuar traditën, por edhe  distancimin dhe normat e tjera të nevojshme për të shmangur rrezikun  e përhapjes së sëmundjes. Sipas shpjegimeve, që jep Zyra e Kremtimeve Liturgjike të Papës (Ucepo), si për të gjitha kremtimet në këtë kohë pandemie, edhe ritet për krijimin e kardinajve të rinj do të mbahen në Altarin e Katedrës, në Bazilikën e Shën Pjetrit, e jo  në atë të Dëshmisë; e, për pasojë, edhe pjesëmarrësit do të jenë të paktë; rreth njëqind vetë.

Të paktë, të pranishmit në Koncistor

Takimi, në të cilin tradicionalisht marrin pjesë klerikë e besimtarë nga të pesë kontinentet - kardinajtë e sapozgjedhur me familjarët dhe miqtë e tyre, e kardinajtë anëtarë të Kolegjit -  u caktua nga Papa  Françesku për të shtunën, 28 nëntor, ora 16.00, në fillim të vitit liturgjik. E u caktua edhe Mesha, që Papa do ta bashkëkremtojë me kardinajtë e rinj, në të njëjtën seli, në orën 10.00 të së dielës së parë të Kohës së Ardhjes. Të dy kremtimet nuk do të kenë formën e Kapelës papnore e do të kenë një pjesëmarrje shumë të kufizuar besimtarësh: laikë, njerëz të shuguruar, meshtarë e ipeshkvij të lidhur me kardinajtë e rinj. Për këtë arsye biletat e lëshuara nga Prefektura e Shtëpisë Papnore do të rezervohen vetëm për shoqëruesit e kardinajve.

Maskat, të detyrueshme, por nuk do të ketë vizita urimi

Duke respektuar masat në fuqi për t’iu kundërvënë përhapjes së virusit,  edhe në Koncistorin e zakonshëm publik për krijimin e kardinajve të rinj - i shtati i papnisë së Bergoglios - maskat do të jenë të detyrueshme. E reja e vetme liturgjike do të jetë kapërcimi i përqafimit të paqes, që shkëmbejnë  kardinajtë e rinj me të krijuarit para tyre.

Përsa u përket traditave të tjera, kremtimi i së shtunës do të zhvillohet si zakonisht, me praninë edhe të famullitarëve dhe rektorëve të Kishave titullare, besuar kardinajve të rinj: në  fillim, i pari i tyre, në këtë rast maltezi Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, do t’i drejtojë përshëndetjen Atit të Shenjtë. Ndërsa ritet e vënies së kësulës, dorëzimit të unazës e caktimit të titullit do të mbahen si zakonisht, para Papës - sqaron Ucepo, si të donte t’u jepte fund hamendjeve e fantazive,  që po qarkullojnë këto ditë në disa mjete informimi. Çka do të mungojë, janë vetëm vizitat e mirësjelljes.

Të lidhur, në distancë

Emergjenca aktuale do të ndikojë edhe mbi pjesëmarrjen e të interesuarve: nga 13 kardinajtë e rinj, të përmendur nga Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot  të 25 tetorit të kaluar, do të jenë të pranishëm vetëm 11, mbasi dy aziatikët - filipinasi Jose Fuerte Advincula, kryeipeshkëv i Capiz, dhe Cornelius Sim, mëkëmbës apostolik i Brunei - njoftuan se nuk do të mund të marrin pjesë për shkak të situatës humanitare. Lidhur me këtë, Salla e Shtypit  të Selisë së Shenjtë njoftoi se pavarësisht nga mungesa e tyre fizike, “do të krijohen njëlloj në Koncistor”. Një përfaqësues i Papës, në një çast tjetër, për t’u vendosur, do t’u dorëzojë kësulën, unazën e bulën me titullin përkatës”

 Nuk është hera e parë, që ndodh kjo. Për arsye të tjera, të lidhura me gjendjen shëndetësore dhe me moshën e shkuar, nuk ishin të pranishëm në Koncistor edhe pesë kardinaj të tjerë të rinj, që nuk mundën t’i marrin shenjat kardinalore nga dora e Papës. Janë Sebastian Koto Khoarai, nga Lesotho, në vitin 2016; kolumbiani José de Jesús Pimiento Rodríguez, më 2015; italiani Loris Capovilla, më 2014; Alberto Bovone, më 1998, e domenikani francez, Yves Congar, më 1994.

Shumë më i madh mendohet të jetë numri i kardinajve, që nuk do të mund të jenë të pranishëm në Romë, por që do të marrin pjesë në kremtim përmes një platforme dixhitale, e cila do t’u mundësojë lidhjen me Bazilikën e Vatikanit.

27 nëntor 2020, 13:32