Kërko

Vatican News
Natale Vaticano, Albero, Presepe  Natale Vaticano, Albero, Presepe  

Kohë shprese! Koha e Ardhjes në magjisterin e Papëve

Fillimi i Viti të Ri liturgjik na krijon mundësinë të hyjmë në lidhje të frytshme me kohën, me vetëdijen e së kaluarës, me tension të fortë drejt së ardhmes e, sidomos, me sigurinë se “Zoti është me ne”.

R. SH. - Vatikan

Fillimi i Viti të Ri liturgjik me kohën e Ardhjes, që na krijon mundësinë të hyjmë në lidhje të frytshme me kohën, me vetëdijen e së kaluarës, me tension të fortë drejt së ardhmes e, sidomos, me sigurinë se “Zoti është me ne”, e shikon historinë njerëzore të shëlbuar nga Krishti si të tashme të amshuar.

Dita e fillimit të Kohës së Ardhjes është Ditë e madhe për njeriun, që ndjek rrugën shpirtërore të Kishës sepse, me të Dielën e saj të parë, shënon fillimin e Vitit liturgjik. Por, të ndjekim magjisterin e Papëve të fundit, kushtuar pikërisht kësaj Kohe, që nisi dje, me të Dielën e parë të Ardhjes.

3 dhjetor 1967. Papa Pali VI i drejtohej një bote, në të cilën thellohej gjithnjë më shumë hendeku ndërmjet klasave të ndryshme të shoqërisë dhe ndiqej me indiferencë drama e urisë, situatë të cilën sapo e kishte  vënë në qendër të vëmendjes në enciklikën Populorum Progressio. Njëherësh me dramën e urisë e të varfërisë, Pali VI, në të njëjtin rast, kujtonte edhe një dramë tjetër, aso kohe tejet aktuale:

Dëgjo Papën Pali VI...

“Sot është dita në të cilën Kisha, me dashurinë e saj, mendon për emigrantët. U dërgojmë një përshëndetje këtyre vëllezërve që, në kërkim të punës e të bukës së gojës, lanë  çka patën më të dashur në jetë: shtëpinë, familjen, atdheun, bashkësinë, zakonet, fenë, për të shkuar në mërgim, të vetmuar e të largët në tokën e huaj, duke ofruar në kandarin ekonomik vetëm krahët e tyre, e  shumica, edhe lirinë”.

 Papa Piu XII e kujtonte kështu këtë kohë

“Në këto ditë të Kohës së Ardhjes liturgjia e Kishës - burim i çmuar e i përhershëm drite e hareje - e vë shpirtin tonë në pritje të Krishtlindjes. Është e tëra  një shkrirje misterioze lutjeje përplot me afsh e, njëherësh me ëmbëlsi”.

Fjalë këto, të thëna nga Papa Piu XII që, për fat të keq, nuk mbetën të regjistruara. Ishte 7 dhjetori i vitit 1952 e Papa po priste drejtuesit dhe anëtarët e Shoqatës artistike të punëtorëve në Romë, aktive edhe në fushën e bamirësisë:

“Ditë pritjeje, domethënë, ankthi e ëmbëlsie njëheresh", nënvizonte Papa Pacelli.

Thënë me fjalë të tjera, në një shekull tjetër e në një mijëvjeçar tjetër nga një Papë tjetër, Benedikti XI: Koha e Ardhjes, domethënë koha e shpresës...

Dëgjo Papën Benedikti XVI...

“Koha e Ardhjes është gjithnjë kohë shprese. Çdo vit kjo gjendje e veçantë shpirtërore ndjehet fort  në zemrat e të krishterëve që, ndërsa  përgatiten të festojnë festën e madhe të lindjes së Krishtit Shëlbues, përtërijnë pritjen  e rikthimit të Tij të lumnueshnm në fundin e kohëve. Pjesa e parë e Kohës së Ardhjes ngulmon pikërisht mbi Parusinë, ardhjen e Krishtit në fund të kohëve. Antifonat e Mbrëmësoreve të para janë plot me atmosferën e pritjes, me besimin e plotë në ardhjen e Zotit”.

Papa Benedikti XVI dhe fundi i kohëve

Më 1 dhjetor 2007 Benedikti XVI kryesonte kremtimin e mbrëmësoreve të para të së Dielës së Ardhjes. Në qendër të vëmendjes kishte fundin e kohëve, kur Zoti do të rikthehet ndërmjet nesh, por edhe sigurinë  se Ai është gjithnjë mes nesh. Mesazhi i Kohës së Ardhjes  është plot me frymë ngushëlluese...

Dëgjo Papën Gjon Pali II...

“Zoti vjen! Vjen përsëri sot, ashtu si atëhere kur u pëmbushën kohët, dymijë vjet më parë. E nuk pushon së vepruari në historinë, që vijon ecjen në mijëvjeçarin e tretë. Liturgjia e Kohës së Ardhjes na bën ta jetojmë  plotësisht misterin e Ardhjes së Zotit: pritjen e pafundme të shekujve; çastin e hyrjes së Tij në gjenealogjinë njerëzore përmes misterit amtar të Virgjërës; ardhjen përfundimtare, kur koha do t’ia lëshojë vendin amshimit. Kështu përtërihet çdo vit ndjenja gazmore e pritjes e bëhet gjithnjë më këmbëngulëse nevoja për pendesë”.

Nga Gjoni XXIII, tek Gjon Pali II e Benedikti XVI: përtritja e shpresës

Në gjysmën e viteve ’80, vite efiçence, materializmi e hedonizmi, Papa Gjon Pali II, në lutjen e Engjëllit të Tënzot  të 1 dhjetorit 1985 shqipton këtë fjalë, sa të lashtë, aq moderne: shpresë! Papa, që po e shoqëronte Kishën drejt Mijëvjeçarit të tretë të krishterë, nuk mund të mos e merrte mbi vete këtë barrë themelore, të cilën pasardhësi i tij, Benedikti XVI do ta zhvillonte  me vëmendje të posaçme…

Dëgjo Papën Benedikti XVI...

“Temës së shpresës desha t’i kushtoj Enciklikën time, që u publikua dje. Gëzohem që po mund t’ia ofroj gjithë Kishës në këtë të Diel të Ardhjes,  në mënyrë që, gjatë përgatitjes për Krishlindjen e Shenjtë, bashkësitë dhe besimtarët të mund ta lexojnë e ta meditojnë, për të rizbuluar bukurinë dhe thellësinë e shpresës së krishterë. Kjo lidhet pazgjidhshmërisht me njohjen e fytyrës së Zotit, fytyrë që Jezusi, Biri i vetëm i Tij, na e dëftoi me jetën    tokësore dhe me mishërimin e Tij. Koha e Ardhjes është Kohë e favorshme për rizbulimin e një shprese të sigurtë, të besueshme, shpresë ‘e ankoruar’ në Krishtin, Zotin e mishëruar për shëlbimin tonë”.

Në Radiomesazhin e Krishtlindjes të vitit 1961 Papa Gjoni XXIII u drejtohej besimtarëve me fjalët:

“Lindja e Krishtit është fillesa e popullit të krishterë; lindja e Kreut është edhe lindja e trupit...Prandaj madhështia e dhuratës që na u dorëzua, kërkon nderim të denjë për shkëlqimin e  saj”.

Lutje e re, shpresë e re

Pali VI na siguron:

“Shpresa rikthehet përsëri në fjalët kyçe të kësaj kohe të re, që hapet këto orë. Rast i çmuar për njerëzit e kohëve tona, që ta njohin fatin e tyre e dinjitetin e tyre”.

E Papa Benedikti XVI vijon të theksojë:

 “Njeriu është e vetmja krijesë e lirë për t’i thënë po a jo amshimit, domethënë Zotit... Si mund të ndodhë kjo? Po Zoti e njeh zemrën e njeriut. E di se kush e refuzon, nuk e ka njohur fytyrën e Tij të vërtetë e prandaj nuk pushon së trokituri në portën tonë. Troket! Si shtegtar, që kërkon përbujtje. E i krijon një kohë të re njerëzimit, në mënyrë që të gjithë të mund ta njohin”.

30 nëntor 2020, 11:43