Kërko

Vatican News

Françesku në audiencën e përgjithshme: lutja e fashit shqetësimin

Në audiencën e përgjithshme, mbajtur nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, Papa ia kushtoi reflektimin Marisë e, sidomos, stilit të saj në çastin kur i drejtohej Zotit me zemër të përvuajtur: “O Zot, gjithçka të duash, kur të duash e si të duash”.

R. SH. - Vatikan

Kur lutemi, duhet ta kemi zemrën të hapur për vullnetin e Zotit e të mos e drejtojmë jetën sipas dëshirës sonë. Duhet ta lëshojmë plotësisht në dorë të Zotit, siç bëri Zoja e Bekuar. E kjo është edhe qendra e katekizmit të së mërkurës, mbajtur nga Papa Françesku në Bibliotekën e Pallatit Apostolik e transmetuar drejtpërdrejt në streaming, për shkak të kufizimeve të pandemisë.

Maria - kujtoi Papa - i përket aradhes së pafundme të njerëzve zemërbutë e të përvujtë, që historianët zyrtarë nuk i radhisin në librat e tyre, ndonëse pikërisht me ta e përgatiti Zoti ardhjen e të Birit.”.

Një “ja ku jam” e vogël - e pafundme

Një vashë e thjeshtë, që hyn në dialog me vetë Zotin, që nuk di gjë prej gjëje për detin e stuhishëm, që do t’i duhet të përballojë e as se shpesh “do t’i duhet të zhduket”, për t’u ridukur në çastet më vendimtare. Zëri i Zotit u prin hapave të Marisë, atje ku ndjehet nevoja e pranisë së saj. Kudo! E sidomos, në orën tragjike të Kryqit.  Asaj “ja ku jam”, “të vogël dhe të pafundme”, që e rrëmbushi me gëzim mbarë gjithësinë, në historinë e shëlbimit i paraprinë shumë “ja ku jam” të tjera, bindje të tjera besimplote në vullnetin e Hyjit, të cilat e frymëzuan Papën të brohoriste edhe sot për Marinë, që ia hapi me fund zemrën Zotit:

“Ata që janë zemërbutë e të përvujtë luten kështu: me përvujtëri të thellë e   të thjeshtë: ‘O Zot, çka të duash Ti, kur të duash Ti e si të duash Ti’. E  luten kështu pa u zemëruar pse ditët e tyre janë plot me probleme, duke shkuar drejt realitetit me bindjen se përmes dashurisë së përvujtë, dashurisë së dhuruar në çdo situatë, ne bëhemi mjet hiri në dorë të Zotit”.

Lutja e shndërron shqetësimin në gatishmëri

“Lutja  di ta vërë në fashë zemrën e trazuar -  kujtoi Papa:

“Po, ne jemi gjithnjë të shqetë, i duam gjërat para se t’i kërkojmë e i duam shpejt, menjëherë… por jeta nuk është kështu. Kjo trazirë na bën keq,  e vetëm lutja di ta vërë ankthin në fashë, di ta shndërrojë në gatishmëri. Unë, që jam i shqetë, lutem e lutja ma hap zemrën e më bën të gatshëm për t’iu përgjigjur vullnetit të Zotit”.

T’ lutemi Zotit të mos na lërë vetëm

Në çastin e Lajmërimit, Maria diti ta dëbojë frikën, edhe pse e ndjente që ajo “po” e saj do t’i sillte “prova shumë të rënda”. Nëse në lutje - kujtoi Françesku - kuptojmë se çdo ditë e dhuruar nga Zoti është thirrje, atëhere e ndjejmë sesi zemra jonë zgjerohet aq, sa të mund të pranojë çdo provë:

“E mësohemi të themi : ‘Çka të duash ti, o Zot”. Më premto vetëm se do të të kem pranë në çdo hap të udhës sime’. Kjo është e rëndësishme: t’i kërkosh Zotit praninë e Tij në çdo hap udhe: t’i lutesh të mos të të lërë vetëm, të mos të të braktisë në çastin e tundimit, të mos na lërë të biem në të keq! E kështu përfundon edhe Atyna: hiri i Jezusit na mësoi t’ia kërkojmë këtë Zotit”.

Maria Nëna e Kishës është e para dishepulle

Maria - vijoi Papa - e shoqëron edhe jetën e Kishës: lutet me dishepujt  e kështu Ajo, që për virtyt të Shpirtit Shenjt u bë Nënë e Zotit, bëhet edhe “Nënë e Kishës”:

“Nuk  bëhet prift ndër ta - shtoi Françesku duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar - por lutet për ta në bashkësi, si një prej bashkësisë”. Duke u lutur me Kishën në fasha - vërejti akoma -  u bë Nënë e Kishës, e shoqëruar nga dishepujt në hapat e para të Kishës, me lutjen e saj të heshtur!”.

Ungjilli i Dasmës së Kanës flet pikërisht për lutjen që i drejtoi Maria të Birit. Prania e saj është gjithnjë lutje, ashtu si në Çenakull.

Maria është e pranishme, sepse është Nënë, por edhe pse është e para dishepulle- reflektoi Papa - duke vënë në dukje se pikërisht për këtë arsye Zoja na nxit të bëjmë gjithnjë  çka thotë Krishtit, pa i shkuar as nëpër mend të thotë: ‘I zgjidh vetë problemet e mia.

Hape zemrën për fjalën e Zotit

“Intuita e saj femërore vlerësohet pikërisht për bashkimin e pashembullt me Zotin në lutje”. E këtu Papa Françeku bëri të vetat fjalët e Shën Lukës Ungjilltar:

Maria i ruante të gjitha këto gjëra, duke i medituar në zemër të vet. Gjithçka ndodh, përfundon në zemrën e saj: ditët e gëzimit e ditët  më të errta, kur nuk arrin ta kuptojë nëpër cilat rrugë duhet të kalonte Shëlbimi. Deri  tek e Premtja e Madhe:

“Nëna e ruan dhe e çon gjithçka në dialog me Zotin. Dikush e krahasoi zemrën e Marisë me një margaritar të shndritshëm, të formuar e të lëmuar nga mirëpritja durimtare e vullnetit të Zotit, përme mistereve  të Jezusit, të medituara në lutje. Sa gjë e bukur do të ishte po t’i ngjanim sadopak Nënës sonë! Me zemrën e hapur për fjalën e Zotit, me zemrën e heshtur, me zemrën e bindur, me zemrën që di ta mirëpresë Fjalën e Zotit e ta lërë të rritet si farë e së mirës në Kishë”.

18 nëntor 2020, 12:46