Kërko

Dita "pro Orantibus" Dita "pro Orantibus" 

Françesku: "Jeta kundruese, pishtar në errësirë"

Në ditën e Paraqitjes së Marisë në Tempull, Ditë Botërore Pro Orantibus, kushtuar klaustraleve e klaustralëve, që e kalojnë gjithë jetën në kundrim, në faqen papnore të internetit lexojmë një tweet të ri kushtuar Zojës e atyre, që dëshirojnë t’i ngjasin.

R. SH. - Vatikan

 “Sot kujtojmë Paraqitjen e Marisë në Tempull dhe kremtojmë Ditën#ProOrantibus. Faleminderit, motra e vëllezër kundrues, sepse jeni mbështetje për të ligshtit, fanarë që tregojnë portin, pishtarë që shndrisin natën, roje që lajmërojnë agimin e ditës e re” - ky, tweeti që lexojmë sot në faqen e internetit@Pontifex, në Ditën kushtuar motrave e vëllezërve kundrues, në ditën që u kushtohet.

Tweeti i Papës na kujton se kundrimi është lidhje e ngushtë me Zotin. Përmes tij  Krishti  “mishërohet” plotësisht në shpirtin e njeriut, që e kundron, vë “vulën” e vet në të: shpirti hapet për Krishtin e për tjetrin. Shenja themelore  e këtij shndërrimi “është dashuria pa kufij”: kundruesi i vërtetë e ka zemrën të madhe sa vetë bota e askush nuk mund ta largojë nga “qelia e zemrës së vet”. Kush kundron, nuk  është njeri që e përbuz shoqërinë e njerëzve të tjerë, duke i shikuar nga lart poshtë, sepse është i shkrirë plotësisht me Zotin. E as i huaj për botën, në të cilën jeton. Në përpjekjen për ta mbajtur shikimin ngulur tek Zoti e për të njohur vullnetin e Tij, përpiqet t’i shikojë punët e njerëzve të botës, me syrin e Atit qiellor”.

21 nëntor 2020, 11:43