Kërko

Vatican News
SHBA: Papa-Biden SHBA: Papa-Biden 

Bisedë telefonike e Papës me Joe Biden

Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit konfirmon bisedën telefonike të Papës me Biden, pas përgëzimeve nga ana e ipeshkvijve amerikanë.

R. SH. - Vatikan

Mbrëmë Papa Françesku bisedoi në telefon me Joe Biden. E konfirmon  drejtori i Sallës Vatikanase të Shtypit, Matteo Bruni.

Ipeshkvijtë e SHBA përshëndesin Biden: tani është koha e unitetit

Biseda telefonike e Papës vjen menjëherë pas përshëndetjes së ipeshkvijve amerikanë të cilët, përmes një mesazhi të kryetarit të Konferencës ipeshkvnore, kryeipeshkvit të Los Angeles Gomez, e përgëzuan kandidatin demokratik, si fitues të zgjedhjeve, duke kujtuar se “pas presidentit të ndjerë John F. Kennedy, është kreu i dytë i SHBA-ve, që e deklaron haptazi fenë katolike”:

“Falënderojmë Zotin për bekimin e lirisë - pohoi imzot Gomez - Populli amerikan shprehu vullnetin e tij në këto zgjedhje. Tani është çasti që liderët tanë të bashkohen me frymën e unitetit kombëtar e të jenë gati për të dialoguar e për t’u angazhuar për të mirën e përbashkët. Si katolikë amerikanë, përparësitë tona  dhe misioni ynë, janë të qarta. Jemi këtu për të ndjekur Jezu Krishtin, për të dëshmuar dashurinë e tij në jetët tona dhe për të ndërtuar mbretërinë e Tij mbi tokë.  Besoj se në këtë çast të historisë së SHBA.-ve, katolikët kanë një detyrë të veçantë: të punojnë për paqen, të nxisin vëllazërimin dhe besimin reciprok e të luten për një frymë të re patriotizmi në vendin tonë”.

Mesazhi urues i kryetarit të ipeshkvijve amerikanë përfundon kështu:

“I lutemi Zojës së Bekuar, Pajtore e këtij kombi të madh,  të ndërmjetësojë për ne. Na ndihmoftë  të punojmë të bashkuar për të realizuar  vizionin  e bukur të misionarëve dhe themeluesve të SHBA-ve: një komb pranë Zotit, ku mbrohet shenjtëria e çdo jete njerëzore e garantohet liria e ndërgjegjes dhe e fesë”.

13 nëntor 2020, 10:28