Kërko

Bekimi i Papës, në 190-vjetorin e dukjeve të Zojës para shën Katerinës Labouré

Të mërkurën e ardhshme në Vatikan, Françesku do të bekojë Medaljen e Mrekullueshme me Zojën e Papërlyer, që iu duk në vitin 1830, murgeshës së re, Katerina Labouré, Bijë e Dashurisë e Shën Vinçenc de Paolit.

R.SH. - Vatikan

Një gjest afërsie, shprese dhe besimi për njerëzimin e sprovuar nga kriza. Këtë do të bëjë Papa në Vatikan, të mërkurën, më 11 nëntor, kur do të bekojë Medaljen e Mrekullueshme me figurën e Zojës së Papërlyer, që 190 vite më parë iu duk shenjtes Katerinë Labouré. Do të jetë i pranishëm, siç njofton Salla e Shtypit e Vatikanit, eprori i përgjithshëm i Kongregatës së Misionit, atë Tomaž Mavrič dhe një delegacion i vogël, që organizon nismën “Maria Shtegtare”, për t’ua sjellë Zojën bashkësive vinçenciane në Itali, në këtë përvjetor të rëndësishëm. Kujtojmë se Kongregata e Misionit është themeluar në vitin 1625, në Paris, nga shën Vinçenc de Paoli për të predikuar Krishtin ndër njerëzit e fshatrave e anëtarët e saj njihen edhe me emrin vinçencianë.

Historia e dukjeve të Zojës

Në një komunikatë, familja vinçenciane tregon historinë e dukjeve të Zojës, duke filluar nga nata ndërmjet 18 dhe 19 korrikut 1830, kur Katerina Labouré, një murgeshë e Bijave të Dashurisë së shën Vinçenc de Paolit, pa Virgjërën e Shenjtë, me të cilën u takua gjatë. Ndër fjalët e Zojës, dalin në pah këto: “Kohët janë shumë të trishta. Fatkeqësi do të bien mbi Francën. E gjithë bota do të tronditet nga katastrofa të çdo lloji. Por ti eja në këmbët e këtij altari, prej këtej do të dikohen hire mbi të gjithë njerëzit, që i kërkojnë me besim dhe entuziazëm... gjithmonë, kam vigjëluar mbi ju”.

Më 27 nëntor 1830, Katerinë Labouré e pa Zojën me një glob të vogël (që përfaqësonte njerëzimin) në duar; e kundroi bukurinë e saj dhe pranoi misionin, që i dha Virgjëra Shenjte, për të bërë një Medalje: “Njerëzit, që do ta mbajnë, do të fitojnë hire të mëdha!”, i tha Zoja. E pikërisht Maria, ashtu siç paraqitet në Medaljen e Mrekullueshme, do të fillojë shtegtimin e saj në rajone të ndryshme italiane, nga e marta, 1 dhjetor, deri më 22 nëntor të vitit 2021.

06 nëntor 2020, 14:35