Kërko

Rruga e kryer nga anija Viktoria e ekspeditës së Magelanit Rruga e kryer nga anija Viktoria e ekspeditës së Magelanit

500-vjetori i meshës së parë në Kili. Papa: datë historike për vendin

Në mesazhin e autografuar, publikuar të dielën e kaluar, gjatë kremtimit eukaristik të transmetuar në internet, në dioqezën e Rajonit të Magelanit, Papa Françesku i pohon ipeshkvit të Punta Arenas se 11 nëntori është datë historike jo vetëm për dioqezën, por për gjithë Kishën Katolike të vendit amerikanojugor.

R.SH. - Vatikan

“Zoti deshi të hyjë përmes portës së ngushticës së Magelanit”, lexohet në faqen e internetit të Konferencës Ipeshkvnore të Kilit. Vërtet, më 11 nëntor të vitit 1520, fra Pedro de Valderramae kremtonte meshën e parë në atë pjesë të botës së re, ku kishte mbërritur ekuipazhi i ekspeditës së Hernando de Magallanes (në shqip: Ferdinand Magelani), gjatë udhëtimit të parë rreth globit në historinë e njerëzimit. Të dielën, kjo ngjarje u kujtua nga Kisha dioqezane e rajonit, që mban emrin e Magelanit, e cila u mblodh në mesditë në internet, në meshën e kremtuar nga ipeshkvi i Punta Arenas, imzot Bernardo Bastres Firenze, në 500-vjetorin e kremtimit të parë eukaristik në Kili.

Letra e Papës

 Me këtë rast, Papa Françesku u shkruan besimtarëve një letër të autografuar, duke e quajtur 11 nëntorin, datë historike, jo vetëm për dioqezën, por për gjithë Kishën në Kili. “Në këtë 500-vjetor – nënvizon Ati i Shenjtë - me të drejtë mund të thuhet, siç shkruhet në moton e dioqezës së Punta Arenas, se ‘Zoti hyri nga Jugu’. Që nga ajo meshë e parë, kremtuar me fe, në thjeshtësinë e një ekspedite në një territor të panjohur në atë kohë, Kisha nisi dhe vazhdon të ecë në gjirin e këtij kombi të dashur”.

“Shërbejini vëllazërisht njëri-tjetrit”

Papa Françesku vë në dukje se pavarësisht nga pjesëmarrja virtuale në meshë, për shkak të pandemisë, “nuk ka asnjë pengesë, që mund ta heshtojë mirënjohjen, e cila buron nga zemrat e të gjithë bijve të Kishës në Kili, që me fe dhe dashuri përtërijnë besimin në Zotin, me shpresën e sigurt se Ai i Lumi do të vazhdojë ta shoqërojë udhëtimin e tyre në historinë e së ardhmes. Ju inkurajoj – shkruan Papa - ta jetoni kremtimin e Misterit Eukaristik, i cili na bashkon me Jezusin, me frymë adhurimi dhe falënderimi ndaj Hyjit, sepse ai është për ne fillimi i jetës së re dhe i bashkimit, që na nxit të ecim, duke i shërbyer vëllazërisht njëri-tjetrit, më të varfërve dhe më të braktisurve nga shoqëria”.

09 nëntor 2020, 15:27