Kërko

Pamje nga Nigeria Pamje nga Nigeria 

Shqetësimi dhe lutja e Papës për Nigerinë

Papa shprehu “shqetësimin e tij të veçantë, për ngjarjet e fundit në Nigeri” ku, prej ditësh, vijojnë ndeshjet ndërmjet forcave të policisë dhe të rinjve manifestues. Ati i Shenjtë u lut të shmanget gjithnjë çdo formë e dhunës, përmes promovimit të drejtësisë dhe së mirës së përbashkët.

R. SH. - Vatikan

“Ndjek me shqetësim të veçantë lajmet që arrijnë nga Nigeria”: me këto fjalë, pas lutjes mariane, Papa Françesku tërhoqi vëmendjen e botës mbi “ndeshjet e dhunshme ndërmjet forcave të rendit dhe disa të rinjve manifestues”. “Ta lusim Zotin - shtoi - që  ta shmangë gjithnjë çdo formë dhune, në përpjeken e vazhdueshme për kërkimin e harmonisë shoqërore,  përmes promovimit të drejtësisë e të së mirës së përbashkët”.

Ngjarjet e tetorit në vendin afrikan, që del në Gjirin e Guinesë

Protesta nisi që në fillim të tetorit, pasi në mjetet shoqërore të komunikimit  qarkulloi  një video, në të cilën shiheshin policët e SARS duke vrarë, më 3 tetor, një të ri në qytetin Ughelli, në jug të vendit, ndërsa, sipas autoriteteve nigeriane, ngjarja që pasqyrohet në video është e sajuar.  Njeriu, që e realizoi, u arrestua menjëherë, duke e ndezur më keq zemërimin e manifestuesve. Posaçërisht protestohet kundër përdorimit të forcës nga ana e policisë, në mënyrë të veçantë nga Special Anti-Robbery Squad(SARS), njësi që akuzohet prej vitesh për shkelje të rënda të të drejtave njerëzore e që manifestuesit e rinj kërkojnë të shpërndahet. Por të rinjtë nuk mjaftohen vetëm me fundin e kësaj njësie famkeqe: kanë nisur tashmë të kërkojnë një reformë më të përgjithshme të vendit, që nuk ka paqe.

Manifestimet vijojnë në të katër anët e Nigerisë: qindra manifestues, posaçërisht të rinj, dolën në rrugët e Lagos, qyteti më i madh i vendit, si dhe në kryeqytetin Abuja, ku policia ndërhyri me gaz lotues për ta shpërndarë turmën. Më 11 tetor kreu i policisë nigeriane njoftoi se SARS  do të shpërndahej menjëherë, po manifestuesit vijojnë të kërkojnë drejtësi për viktimat e dhunës policore.  

26 tetor 2020, 10:43