Kërko

Papa, në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa, në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Françesku: e duam Zotin vetëm kur duam edhe të afërmin

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku komentoi Ungjillin e sotëm sipas Mateut, në të cilin Jezu Krishtin e pyesin për urdhërimin më të madh të Ligjit hyjnor. “Një nga risitë kryesore të mësimit të Jezusit”, nënvizon Ati i Shenjtë, është se nga marrëdhëniet me Zotin lind dashuria e vërtetë për të afërmin.

R.SH. - Vatikan

Papa gjatë lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, kremtuar sot në mesditë nga dritarja e studios mbi Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, kujtoi se dashuria për të afërmin buron nga marrëdhëniet, që kemi me Zotin. Në vijim, fjala e Atit të Shenjtë Bergoglio mbajtur gjatë Engjëllit të Tënzot:

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Në fragmentin e Ungjillit (krh. Mt 22,34-40) të sotëm, një doktor i Ligjit e pyet Jezusin cili është "urdhërimi më i madh" (rr. 36), domethënë urdhërimi kryesor i tërë Ligjit hyjnor. Jezusi përgjigjet: " Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! " (rr. 37). E menjëherë shton: " I dyti është i barabartë me të: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!" (rr. 39).

Përgjigjja e Jezusit bashkon dy udhёrimet themelore që Zoti i dha popullit të vet përmes Moisiut (krh. Lp 6,5; Lev 19,18). E kështu, ai e kapërcen grackën që iu bë "për ta sprovuar" (rr. 35). Bashkëbiseduesi i tij, në fakt, përpiqet ta tërheqë Jezusin në mosmarrëveshjen ndërmjet ekspertëve të Ligjit mbi hierarkinë e urdhёrimeve. Por Jezusi vendos dy themele a baza thelbësore për besimtarët e të gjitha kohërave. E para është që jeta morale dhe fetare nuk mund të reduktohet në bindje të detyruar plot ankth, por duhet të ketë si parim dashurinë. E dyta është se dashuria duhet të priret pandashmërisht si drejt Zotit, ashtu edhe drejt të afërmit. Kjo është një nga risitë kryesore të mësimit të Jezusit dhe na bën të kuptojmë se nuk është dashuri e vërtetë për Zotin ajo, që nuk shprehet në dashurinë për të afërmin; e, në të njëjtën mënyrë, nuk është dashuri e vërtetë për të afërmin ajo, që nuk buron e ushqehet nga marrëdhëniet me Zotin.

Jezusi e përfundon përgjigjen e tij me këto fjalë:"Në këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët" (rr. 40). Kjo do të thotë që të gjitha urdhёrimet që Zoti i ka dhënë popullit të vet duhet të shihen nё marrёdhёnie me dashurinë ndaj Hyjit dhe të afërmit. Në fakt, të gjitha urdhërimet shërbejnë për të zbatuar e për të shprehur atë dashuri të dyfishtë të pandashme. Dashuria për Zotin shprehet mbi të gjitha në lutje, veçanërisht në adhurim. E dashuria për të afërmin, e cila quhet edhe bamirësi vëllazërore, përbëhet nga afërsia, dëgjimi, bashkёndarja, kujdesi për tjetrin. Shkruan shën Gjoni apostull: "Kush nuk e do vëllain e vet, që e sheh, Hyjin, qё nuk e sheh, s’mund ta dojë" (1 Gjn 4,20).

Në Ungjillin e sotëm, edhe një herë, Jezusi na ndihmon të shkojmë te burimi i gjallë dhe i pashuar i Dashurisë. Ky burim është vetë Zoti, për t'u dashur plotësisht në një lidhje e bashkim, që asgjë dhe askush nuk mund ta thyejë. Bashkimi është dhuratë për t’u kёrkuar çdo ditë nё lutje, por edhe angazhim personal që jeta jonë të mos skllavërohet nga idhujt e botës. E verifikimi i udhës së kthesës sonë dhe i shenjtërimit të jetës është gjithmonë dashuria ndaj të afërmit. Për sa kohë që ka një vëlla ose motër, së cilёs ia mbyllim zemrën, ne do të jemi akoma larg nga të qenit dishepuj, siç na kërkon Jezusi. Por mëshira e tij hyjnore nuk na lejon të shkurajohemi, përkundrazi na bën thirrje që çdo ditë të rifillojmë nga e para për ta jetuar Ungjillin me ndershmëri e koherencë.

Ndërmjetësimi i Shenjtes Mari na i haptë zemrat tona për të pranuar "urdhërimin e madh", urdhërimin e dyfishtë të dashurisë, qё përmbledh gjithë ligjin e Zotit, nga i cili varet shpëtimi ynë.

25 tetor 2020, 09:25