Kërko

Anija Gulf Livestock Anija Gulf Livestock

Papa u dërgon ndihma familjeve të detarëve të mbytur në detin e Japonisë

Një kontribut ekonomik, i cili i shtohet mbështetjes shpirtërore e psikologjike, që po u japin familjeve, që nga ditët e para pas katastrofës, një ekip profesionistësh, kapelanësh dhe murgeshash të Qendrave “Stella Maris”, të cilat kujdesen për apostullimin e njerëzve të detit.

R.SH. - Vatikan

Përmes Dikasterit vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, Papa Françesku u dërgon një kontribut ekonomik të gjitha familjeve të ekuipazhit të anijes M/V Gulf Livestock 1 (39 filipinas, 2 australianë dhe 2 neozelandezë), që u mbyt në detin e Japonisë, pranë ishullit Amami Oshima, më 2 shtator. Anija, që ishte nisur nga Zelanda e Re për të mbërritur në Kinë, pësoi një avari në motorin kryesor, ndërsa tajfuni Maysak ishte në kulmin e tij.

Ndihma financiare, në bashkëpunim me Nunciaturat Apostolike dhe me shoqatën “Stella Maris” të Filipineve, Australisë dhe Zelandës së Re, do t’i dorëzohet drejtpërdrejt familjeve të të zhdukurve dhe dy të mbijetuarve, së bashku me një dhuratë të vogël personale të Papës Françesku, për të dëshmuar afërsinë dhe solidaritetin e tij.

Ky kontribut i shtohet mbështetjes shpirtërore e psikologjike, që po u japin familjeve, që nga ditët e para pas katastrofës, një ekip profesionistësh, kapelanësh dhe murgeshash të Qendrave “Stella Maris”, të cilat kujdesen për apostullimin e njerëzve të detit. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, deri tani, kjo mbështetje është realizuar përmes platformave dixhitale e do të vazhdojë për disa muaj, siç shpjegon komunikata e sotme e vetë Dikasterit vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, ku i kërkohet ndihmë edhe Zojës – Ylli i Detit, pajtore e detarëve, që t’u dikojë forcë e guxim gjithë familjarëve për ta përballuar kështu, të ardhmen, me besim e qetësi.

21 tetor 2020, 15:01