Kërko

2020.10.21 Udienza Generale 2020.10.21 Udienza Generale 

Papa: tё jetojmё vëllazërimin mes nesh pa interes

Papa: “Ata që nuk e jetojnë vëllazërimin pa interes, e bëjnë ekzistencën e tyre një tregti të mundimshme, duke matur gjithmonë atë që japin dhe atë që marrin në këmbim. Nga ana tjetër, Zoti jep falas, deri në atё pikë sa që "bën tё lindё dielli i tij mbi të këqij e mbi të mirë" (Mt 5,45). #FratelliTutti”.

R.SH. - Vatikan

“Ata që nuk e jetojnë vëllazërimin pa interes, e bëjnë ekzistencën e tyre një tregti të mundimshme, duke matur gjithmonë atë që japin dhe atë që marrin në këmbim. Nga ana tjetër, Zoti jep falas, deri në atё pikë sa që "bën tё lindё dielli i tij mbi të këqij e mbi të mirë" (Mt 5,45). #FratelliTutti”. Kёshtu shkruan Papa njё njё tweet, botuar mё 23 tetor 2020, nё faqen e internetit @Pontifex.

Dashuria Hyjit është pa interes e pa kufi

Dashuria e Hyjit është falas e pa kufi e nuk duhet ta harrojmë kurrë se Zoti është pambarimisht i pasur me mëshirë. Këtë pohoi Papa në katekizmin e lutjes së Engjëllit të Tënzot të së dielës, duke iu drejtuar një turme pa fund shtegtarësh, nё Shesin e Shën Pjetrit mё 13 mars 2015.

Hyji na do me të vërtetë shumë

Në qendër të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Ungjilli i së dielёs, me fjalët e Jezusit drejtuar Nikodemit: “Hyji aq fort e deshi botën, sa dha një të vetmin Birin e vet”(Gjn 3,16). “Duke dëgjuar këto fjalë, i sjellim sytë e zemrës kah Krishti i kryqëzuar e ndjejmë brenda nesh se Hyji na do, na do vërtet, e na do shumë, tepër shumë! E ja shprehja më e thjeshtë, që e përmbledh mbarë Ungjillin, gjithë fenë, tërë teologjinë: Hyji na do me dashuri pa kurrfarë interesi e pa kurrfarë kufiri”.

Hyji e zgjedh popullin e vet jo pse e meriton

Këtë dashuri, pohoi Papa, Hyji e dëshmon sidomos në krijim. Dashuri falas, që duket në gjithë historinë e shëlbimit: “Zoti e zgjedh popullin e vet jo pse e meriton, e i thotë kështu: ‘Të zgjodha pikërisht sepse je më i vogli ndërmjet gjithë popujve’. E kur erdhi ‘përmbushja e kohës’ pavarësisht se njerëzit e thyen shumë herë besën e dhënë, Hyji, në vend që t’i braktiste, krijoi me ta një lidhje të re, në gjakun e Jezusit, lidhjen e besës së re e të amshuar, lidhje që askush nuk do të mundet më ta këpusë”.

Jezusi na deshi deri në cakun e fundmë të dashurisë

Kryqi i Krishtit, vijoi Papa, është prova më e lartë e dashurisë së Hyjit për ne; Jezusi na deshi “deri në fund të fundit” (Gjn 13,1), domethënë jo vetëm deri në çastin e fundit të jetës së tij tokësore, por edhe e sidomos, deri në cakun e fundit të dashurisë: “Nëse në krijim na dha provën e dashurisë së Tij të pamasë, duke na dhuruar jetën, në mundimet e në vdekjen e të Birit na dha provën e provave: erdhi të vuante e të vdiste për ne. E këtë, për dashuri, kaq e madhe është mëshira e Hyjit! Sepse na do, na fal. Me mëshirën e tij Hyji fal gjithçka, fal gjithnjë”.

Dashuria e Jezusit është e pamasë, mos ndiqni “dashuri” të kësaj bote

Dashuria e Krishtit është e pamasë, jo si dashuritë e kësaj bote në kërkim të pushtetit e të kotësive. Kështu tha Papa Françesku gjatë homelisё sё meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës mё 18 maj 2017. Ati i Shenjtë theksoi se dashuria e Zotit është “bërthama” e jetës së të krishterit.

Ka “dashuri”, që na largojnë nga Krishti

“Ashtu si Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur ju”. Papa Bergoglio u nis nga ky pohim i Jezusit në Ungjillin e Gjonit (Gjn 15,9), për të vënë në pah se dashuria e Krishtit është pa fund. Zoti na kërkon të mos largohemi nga dashuria e Tij e të zbatojmë Urdhërimet, që janë baza e jetës së krishterë. Urdhërimet janë dhjetë, por thelbi i tyre është një i vetëm, vërejti Papa Françesku: dashuria e Atit Qiellor për Krishtin dhe dashuria e Jezusit për ne. E, duke pasur parasysh botën e sotme, shtoi: “Ka dashuri të tjera. Edhe bota na propozon dashuri: dashurinë për paranë për shembull, dashurinë për kotësitë, për t’u mburrur, dashurinë për krenarinë, dashurinë për pushtetin, madje, edhe nëse bëjmë padrejtësi për të pasur më tepër pushtet…. Këto janë dashuri të tjera, nuk janë të Jezusit e nuk janë të Atit Qiellor. Ai na kërkon të mbetemi në dashurinë e Tij, që është dashuria e Atit. Të mendohemi mirë për këto dashuri të tjera, që na largojnë nga dashuria e Jezusit. Ka edhe dashuri me tjetër masë: të duash përgjysëm, edhe kjo nuk është dashuri. Të duash është një gjë e të dashurosh është tjetër gjë”.

Dashuria e Zotit është pa masë, as e vakët, as me interes

Të dashurosh, nënvizoi sërish Papa, është më shumë se të duash. E atëherë, cila është masa e dashurisë, pyeti Françesku. Masa e dashurisë, u përgjigj, është të dashurosh pa masë: “E kështu, duke ndjekur urdhërimet që na dha Jezusi, do të mbetemi në dashurinë e Jezusit, që është dashuria e Atit, e njëjta gjë. Pa masë! Pa këtë dashuri të vakët, ose me interes. ‘Po përse o Zot, na i kujton këto gjëra?’, mund t’i themi. ‘Sepse dua që gëzimi im të mbesë brenda jush e gëzimi juaj të jetë i plotë’. Nëse dashuria e Atit vjen te Jezusi, është Ai që na mëson rrugën e dashurisë: zemra e hapur… dashuria pa masë… duke lënë mënjanë dashuritë e tjera”.

Misioni i të krishterit është t’i bindet Zotit e t’u japë gëzim njerëzve

Nëse mbetemi në dashurinë e Zotit, shtoi Papa Françesku, ndjejmë gëzimin, që na sjell ajo. Dashuria dhe gëzimi janë dhuratë, vërejti Ati i Shenjtë, e këto dhurata duhet t’ia kërkojmë Zotit: “Pak kohë më parë, një meshtar u shugurua ipeshkëv. Shkoi tek i ati i moshuar për t’ia dhënë këtë lajm. E ky burrë i moshuar, në pension tashmë, ishte i përvuajtur, kishte bërë punëtorin gjithë jetën, nuk kishte shkuar në universitet, por kishte urtinë e jetës. I këshilloi të birit vetëm dy gjëra: ‘Bindu dhe jepu gëzim njerëzve’. Ky njeri e kishte kuptuar punën: bindju dashurisë së Atit, pa dashuri të tjera; bindju kësaj dhurate e pastaj, jepu gëzim njerëzve. Ne të krishterët – laikë, meshtarë, rregulltarë, ipeshkvij – duhet t’u japim gëzim njerëzve. E përse? Po për këtë, për rrugën e dashurisë, pa asnjë interes… vetëm për rrugën e dashurisë. Misioni ynë i krishterë është t’u japim gëzim njerëzve”.

23 tetor 2020, 16:20