Kërko

Vatican News

Papa, Rojeve Zvicerane: si Nënë Tereza, shërbeni me dashuri

Papa Françesku takoi sot, në Sallën Klementine, rekrutët e rinj të Trupave ushtarake papnore, të cilët do të bëjnë betimin të dielën. Ky akt, tha ai, “të jetë edhe certifikata juaj e besnikërisë ndaj thirrjes së pagëzimit”. "Shën Tereza e Kalkutës thoshte se në fund të jetës nuk do të gjykohemi për sa shumë kemi bërë, por për dashurinë me të cilën i kemi bërë ato gjëra”.

R.SH. - Vatikan

Fjala e Papës për rekrutët e rinj të Rojeve Papnore Zvicerane ishte e ndërthurur me historinë e Trupave ushtarake e, në veçanti, me një datë: 6 maj 1527. Ishte ditë dramatike për qytetin e Romës, rrethuar nga trupat e lancikenekëve. Më se 500 vite më parë, 147 roje zvicerane vdiqën për të mbrojtur Papën Klementi VII. Ajo ditë, e njohur me shprehjen “Plaçkitja e Romës”, është për Papën Françesku edhe metafora e një forme tjetër plaçkitjeje.

“Dita e sotme – u tha rekrutëve, Ati i Shenjtë - më jep mundësinë të kujtoj të kaluarën e shquar të Trupave tuaj. Mendimi më shkon veçanërisht, në ‘Plaçkitjen e Romës’, gjatë së cilës Rojet Zvicerane mbrojtën me guxim Papën, madje, edhe me jetë. Kujtimi i asaj ngjarjeje ngjalltë në ju vetëdijen për rrezikun e ‘plaçkitjes’ shpirtërore. Në kuadrin aktual shoqëror, shumë të rinj ka rrezik ta humbin shpirtin, nëse ndjekin ideale dhe mënyra jetese, që u përgjigjen vetëm dëshirave e nevojave materiale”.

Besnikë ndaj Krishtit

Duke përshëndetur rekrutët e rinj, të cilët kanë zgjedhur t’ia kushtojnë “një periudhë të rinisë së tyre shërbimit për pasardhësin e shën Pjetrit”, Ati i Shenjtë nënvizoi rolin vendimtar të familjes në transmetimin e fesë: “Prania e anëtarëve të familjes suaj shpreh përkushtimin e katolikëve zviceranë për Selinë e Shenjtë, si dhe edukimin moral dhe shembullin e mirë, me të cilin prindërit u kanë transmetuar fëmijëve fenë e krishterë dhe ndjenjën e shërbimit bujar për të tjerët”. Duke kujtuar se Roma është “e pasur me histori, kulturë dhe fe”, Papa i nxiti Rojet Zvicerane ta shfrytëzojnë këtë mundësi “për ta fuqizuar bagazhin e tyre kulturor, gjuhësor e shpirtëror”. “Koha që do të kaloni këtu – vërejti Françesku - është çast unik i jetës suaj: jetojeni me frymë vëllazërimi, duke ndihmuar njëri-tjetrin, për të kaluar një jetë të pasur me kuptim dhe me gëzim të krishterë”.

“Betimi që do të bëni pasnesër, qoftë edhe dëshmi e besnikërisë ndaj thirrjes suaj të pagëzimit, pra, ndaj Krishtit, i cili ju do njerëz e të krishterë, protagonistë të jetës suaj. Me ndihmën e tij dhe me forcën e Shpirtit Shenjt, do t’i përballoni qetësisht pengesat dhe sfidat e jetës. Mos harroni se Zoti është gjithmonë krah jush: ju uroj nga zemra ta ndieni gjithnjë praninë e tij ngushëlluese”, theksoi Papa Françesku.

Mirënjohje e falënderim për Papën

Betimi i rekrutëve të rinj, si zakonisht, duhej të ishte bërë më 6 maj, në përvjetorin e Plaçkitjes së Romës nga lancikenekët. Por për shkak të emergjencës së koronavirusit u zhvendos më 4 tetor. Ceremonia do të zhvillohet në formë rreptësisht private, në oborrin e Shën Damazit. Në përfundim të fjalës së tij për rekrutët e rinj, Papa Françesku shprehu mirënjohjen për krejt Trupat e Rojeve Papnore Zvicerane. “Ju falënderoj jo vetëm për atë që bëni – e që është shumë! - por edhe për si e bëni. Shën Tereza e Kalkutës thoshte se në fund të jetës nuk do të gjykohemi për sa shumë kemi bërë, por për dashurinë me të cilën i kemi bërë ato gjëra”.

02 tetor 2020, 13:40