Kërko

Vatican News

Papa për krizën klimatike: duhet të veprojmë, para se të jetë vonë

Në një videomesazh të këtyre ditëve, Papa Françesku ngre sërish zërin në favor të përpjekjeve për t’u bërë ballë pasojave të ndryshimit të klimës. “Secili prej nesh mund të kontribuojë”, nënvizon Ati i Shenjtë, që të gjejmë zgjidhje, para së të jetë tepër vonë.

R.SH. - Vatikan

“Sistemi aktual ekonomik është i paqëndrueshëm. Jemi para domosdoshmërisë morale dhe urgjencës praktike, që na nxit t’i rimendojmë shumë gjëra: si prodhojmë, si konsumojmë, të mendojmë për kulturën tonë të hedhurinave, për problematikën afatshkurtër, për shfrytëzimin e të varfërve, për indiferencën ndaj tyre, për rritjen e pabarazive dhe varësinë nga burimet e dëmshme të energjisë”. Janë këto fjalët e Papës Françesku, në një videomesazh, që këto ditë ua drejtoi pjesëmarrësve të “Countdown”, takim dixhital i organizuar nga TED për të kërkuar zgjidhje, që lehtësojnë pasojat e ndryshimit të klimës.

Ç’është TED?

Kujtojmë se TED (Technology Entertainment Design) është një sërë konferencash, që quhen “TED talks” (bisedimet TED), propozuar nga organizata jo fitimprurëse amerikane “Sapling Foundation”.

TED, i cili lindi në shkurt 1984 si një takim i vetëm dhe u shndërrua në një konferencë vjetore më 1990, fillimisht përqendrohej në temat e teknologjisë dhe planifikimit, siç ishte synimi i këtij organizmi me seli në Silicon Valley, por më pas e zgjeroi gamën e kompetencave, duke mbuluar tema nga bota shkencore, kulturore dhe akademike.

Pandemia dhe vështirësitë

Në videomesazh, Papa Françesku përmend vështirësitë e çastit, që po kalojmë, me krizën e pandemisë dhe krizën shoqëroro-ambientale. “Të gjithë –nënvizon Ati i Shenjtë - duhet të përballemi me nevojën për të marrë vendime të caktuara. Duhet të zgjedhim çka është vërtet e rëndësishme e çka nuk është. Duhet të zgjedhim: ose të vazhdojmë t’i injorojmë vuajtjet e të varfërve dhe ta keqtrajtojmë shtëpinë tonë të përbashkët, Tokën, ose të impenjohemi në çdo nivel për ta shndërruar mënyrën tonë të veprimit”.

Ekonomi, që mendon për brezat e ardhshëm

Pasi kujton urgjencën e veprimit të përbashkët për të shmangur katastrofat e ardhshme, parashikuar nga shkencëtarët. Papa flet për ekonominë, e cila “nuk mund të kufizohet në prodhimin dhe shpërndarjen. Duhet të marrë pa tjetër parasysh ndikimin e saj mbi ambientin dhe mbi dinjitetin e njeriut”. Papa bën thirrje për një ekonomi “krijuese në metoda dhe në mënyrën e veprimit”, duke ripropozuar synimin për të “ndërtuar, në dekadën e ardhshme, një botë që t’u përgjigjet nevojave të brezave të tashëm, me përfshirjen e të gjithëve e pa cënuar mundësitë për brezat e ardhshëm”.

“Dua t’i ftoj të gjithë njerëzit e fesë, të krishterë ose jo, dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë - pohon Françesku - ta ndërmarrin këtë udhëtim, duke filluar nga feja e nëse nuk besojnë, nga vullneti i tyre i mirë. Secila e secili prej nesh, si individë dhe si anëtarë të grupeve - familje, bashkësi feje, ndërmarrje, shoqata, institucione - mund të japë një kontribut të rëndësishëm”.

Propozimet e Papës Françesku

Papa kujton enciklikën “Laudato si’” dhe bën propozime konkrete. E para është “të promovojmë, në çdo nivel, një edukim që nxit kujdesin për shtëpinë e përbashkët, duke shpjeguar se problemet e ambientit lidhen me nevojat njerëzore; një edukim, bazuar mbi të dhënat shkencore dhe etikën”. Propozimi i dytë ka të bëjë me ujin dhe ushqimin: “Uji i pijshëm dhe i sigurt është e drejtë themelore dhe universale e njeriut. Është thelbësor, sepse përcakton mbijetesën e njerëzve, prandaj, është kusht për ushtrimin e çdo të drejte dhe përgjegjësie tjetër”. Po ashtu, “sigurimi i ushqimit të duhur për të gjithë, përmes metodave bujqësore jo shkatërrimtare, duhet të bëhet qëllimi themelor i gjithë ciklit të prodhimit dhe shpërndarjes së ushqimit”.

Propozimi i tretë është ai i tranzicionit energjitik: “Një zëvendësim progresiv, por pa vonesë, i lëndëve djegëse fosile me burime të pastra energjie. Kemi pak vite, shkencëtarët llogarisin afërsisht më pak se tridhjetë, për të ulur në mënyrë drastike emetimet e gazeve serë në atmosferë. Ky tranzicion, jo vetëm që duhet të jetë i shpejtë dhe të kënaqë nevojat e tashme dhe të ardhshme për energji, por duhet edhe të marrë parasysh ndikimin mbi të varfrit, mbi popullsitë lokale dhe mbi ata, që punojnë në sektorët e prodhimit të energjisë”.

Të gjitha ndërmarrjet duhet të kujdesen për ekologjinë

 Papa thekson se “një mënyrë për të favorizuar këtë ndryshim është të nxiten ndërmarrjet drejt nevojës urgjente që të impenjohen për kujdesin e gjithanshëm të shtëpisë së përbashkët, duke përjashtuar nga investimet ato kompani, që nuk plotësojnë parametrat e ekologjisë së gjithanshme dhe duke shpërblyer ato që veprojnë konkretisht në këtë fazë tranzicioni për të vendosur në qendër të veprimtarisë së tyre parametra si qëndrueshmëria, drejtësia shoqërore dhe promovimi i së mirës së përbashkët”.

Toka, përfundon Papa Françesku në videomesazh, “duhet të punohet, të kultivohet dhe të mbrohet; nuk mund të vazhdojmë ta shtrydhim si portokall. E mund të themi se ky kujdes për tokën, është një e drejtë njerëzore”. E “secili prej nesh mund të luajë një rol të çmuar, nëse vihemi për udhë që sot. Jo nesër, sot. Sepse e ardhmja ndërtohet sot dhe ndërtohet jo secili për vete, por në bashkësi dhe në harmoni”.

12 tetor 2020, 11:41