Kërko

Papa njofton një konçistor për krijimin 13 kardinajve të rinj

Ata do të marrin simbolet kardinalore si veshjen e purpurt , si kësulën e kyçe, unazё kardinalore mё 28 nëntor tё ardhshëm: 9 janë nën tetëdhjetë vjet e mes tyre është edhe Rojtari i Kuvendit të Shenjtë të Asizit, At Mauro Gambetti.

R.SH. - Vatikan

Sot pas lutjes së Engjёllit Tёnzot, një njoftim i ri i Papës: më 28 nёntor do të mbajë Konçistorin për krijimin e 13 kardinajve të rinj.  Kështu, Papa Françesku i dhuroi trembëdhjetë kardinaj të rinj Kishës, nëntë prej tyre nën tetëdhjetë vjet e për këtë arsye me të drejtën për të marrë pjesë në një mbledhje a konklav të ardhshme për zgjedhjen e Papës së ri, të cilëve u shtohen katër kardinaj mbi tetëdhjetë vjet. Ky, pra, njoftimi, si gjithmonë i papritur, befasues, që Ati i Shenjtë Bergoglio bëri në fund të lutjes mariane tё Engjёllit Tёnzot, të dielën mё 25 tetorit, duke u komunikuar krijimin e kardinajve të rinj besimtarëve tё mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit dhe atyre që ishin të lidhur pёrmes mediave në mbarë botën.

Dy prej kardinajve tё rinj i përkasin Kuries Romake: ata janë Sekretari i Sinodit të Ipeshkvijve, maltezi Mario Grech, e italiani Marcello Semeraro, ish-ipeshkёv i Albanos dhe Prefekt i ri i Kongregatës sё Vatikanir për Çështjen e Shenjtorëve.

Atyre Papa u shtoi gjashtë barinj të Kishave në mbarë botën: kryeipeshkvin e Kigalit, nё Ruandë, Antoine Kambanda; Kryeipeshkvin e Uashingtonit, në SHBA-sё, Wilton Gregory; kryeipeshkvin e Capiz, në Filipine, Jose Fuerte Advincula; kryeipeshkvin e Santiago de Cile, kapuçinin Celestino Aós Braco; vikarin apostolik të Bruneit, Cornelius Sim; kryeipeshkvin e Sienës, Itali, Augusto Paolo Lojudice. Bashkë me ta Papa emёroi edhe Rojtarin aktual të Kuvendit të Shenjtë të Asizit, françeskanin At Mauro Gambetti.

Së bashku me nëntë kardinajtë që kanё moshën më pak se tetëdhjetë vjet, Papa Françesku shton edhe katër kardinaj të rinj me moshёn mbi tetëdhjetë vjet. E janё Felipe Arizmendi Esquivel, kryeipeshkёv nderi i San Cristóbal de Las Casas (Meksikë); nunci apostolik Silvano Tomasi, rregulltar scalabrinian, ish vëzhgues i përhershëm i Selisё sё Shenjtё pranë Kombeve tё Bashkuara në Gjenevë, i cili bashkëpunon me Dikasterin e Vatikanit për Zhvillimin Gjithanshёm Njerëzor; At Raniero Cantalamessa, kapuçin, prediktar i Shtёpisё Papnore dhe famullitari i Shenjtёrores sё Zojёs Divino Amore në Castel di Leva, Romё, dom Enrico Feroci.

Imazhi i një "Kishe në dalje" bëhet gjithnjë e më i qartë pas njoftimit, të bërë nga Papa Françesku në pёrfundim të lutjes sё sotme tё Engjёllit Tёnzot, për Konçistorin e 28 nëntorit në të cilin do të krijojë 13 kardinaj të rinj, nga të cilët 9 janë me tё drejtë zgjedhore. Përfaqësohen të gjitha kontinentet, përveç Oqeanisë. Italia (Evropa), Afrika, Azia (Brunei e Filipine), Amerika Veriore dhe Jugore. Njё vëmendje për priftërinjtë e rrugës, për barinjtë me "erën e deleve", është aspekti që më i dukshëm i kёtyre emёrimeve, qё bien edhe në vitin e enciklikës ‘Fratelli tutti’, kёndej njё vëmendje tё veçantë, në mesin e kardinajve tё rinj,  i ёshtё rezervuar bijve tё Shёn Françeskut tё Asizit.

Prejardhja e tyre shpreh universalitetin e Kishës, e cila vijon t’ua kumtojë dashurinë përdëllyese të Zotit të gjithë njerëzve të tokës. Duke u përkitur  Kishave dhe kombeve të ndryshme të botës, kardinajtё përfaqësojnë lidhjen e thellë kishtare ndërmjet Kishës së Romës dhe Kishave të tjera vendore, të përhapura në të katër anët e botës.

Tre çastet më domethënëse e kulmore të krijimit të kardinajve të rinj, që do bëhet gjatё Konçistorit tё 28 nёntorit tё ardhshёm, do tё jenё: ai i vënies së simboleve si ai kësulës,  dorëzimi i unazës kardinalore dhe i Kishës titullare ose i diakonisë. Kardinajtё veshin ngjyrën e purpurt që tregon gatishmërinë e tyre për t’u flijuar "usque ad sanguinis effusionem", deri në derdhjen e gjakut, në shërbim të Pasardhësit të Pjetrit, e edhe nëse banojnë në rajonet më të largëta të botës, ata bëhen titullar të një famullie kishtare të Qytetit të Përjetshëm – Romёs sepse janë të inkardinuar në Kishën ipeshkёv i sё cilës është Papa.

25 tetor 2020, 21:31