Kërko

Vatican News
2020.10.28 Udienza Generale 2020.10.28 Udienza Generale  (Vatican Media)

Françesku: mbroje jetën, edhe kur kërkon dashuri heroike!

Gjatë përshëndetjes së besimtarëve polakë, në audiencën e përgjithshme, Françesku foli përsëri për mbrojtjen e jetës nga zënia, në vdekjen natyrore, duke respektuar posaçërisht më të ligshtit e më të pambrojturit. Në Poloni, ndërkaq, vijojnë protestat, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e quajti abortin eugenitik në kundërshtim me Kushtetutën.

R.SH. - Vatikan

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, në përshëndetjet drejtuar shtegtarëve polakë, Papa Françesku bëri përsëri thirrje në mbrojtje të jetës dhe i nxiti besimtarët të luten që Zoti të zgjojë në zemrat e të gjithëve respekt për jetën e vëllezërve tanë, posaçërisht për më të brishtit e më të pambrojturit:

“Përshëndes përzemërsisht shtegtarët polakë. Më 22 tetorin e kaluar kremtuam festën liturgjike të Shën Gjon Palit II, në 100-vjetorin e lindjes. Ai pati përherë një dashuri të veçantë për të fundmit e të pambrojturit e për mbrojtjen e çdo njeriu. Me ndërmjetësimin e Zojës së Bekuar e të Papës polak, kërkoj nga Zoti të ngjallë në të gjitha zemrat respekt për jetën e vëllezërve tanë, posaçërisht të më të brishtëve e më të pambrojturve e t’u japë forcë  atyre që i strehojnë e kujdesen për ta, edhe kur kjo kërkon dashuri heroike”.

Protesta në Poloni lidhur me çështjen e abortit

Këto ditë në Poloni po zhvillohen manifestime proteste kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 22 tetorit të kaluar, e cila deklaroi se aborti eugenetik nuk pajtohet me Kushtetutën. Vendimi u prit me reagime të ashpra, me akte dhune e edhe me manifestime të organizuara, pavarësisht nga kufizimet e grumbullimeve për shkak të Covid 19. Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, kërkoi edhe ndërhyrjen e ushtrisë, duke njoftuar  se “akteve të dhunës, të vandalizmit e të agresionit” do t’u jepet përgjigjja e merituar”.

Polonia i thotë jo abortit eugenetik, për ipeshkvijtë “mizori e padëgjuar”

“Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese polake, ndërprerja vullnetare e shtatzanisë për shkak të deformimeve fetale, është në kundërshtim me Kushtetutën”. Vendimi u mor  pas kundërshtimit  të paraqitur më 2019 nga 119 deputetë. Gjykatësit e pranuan kërkesën, duke sanksionuar se ishte në kundërshtim me kushtetutën.

Kujtojmë se në Poloni aborti lejohet vetëm në rast rreziku për jetën e nënës dhe  të dhunës seksuale.

Akte dhune edhe para kishave

Në shumë qytete të Polonisë vendimi u prit me protesta edhe para kishave. Imzot Gadecki kujtoi se “qëndrimi i Kishës mbi të drejtën për jetën mbetet i pandryshuar”. Zgjedhja për t’i marrë jetën një qenieje të pafajshme - deklaroi prelati duke cituar Enciklikën e Shën Gjon Palit II “Evangelium vuitae” - është gjithnjë e keqe në këndvështrimin moral e nuk mund të jetë kurrë e lejueshme, as si mjet për një qëllim të mirë.   

28 tetor 2020, 12:10