Kërko

Vatican News

Papa lutet për fëmijët e vrarë në Kamerun

Të shtunën, tetë fëmijë u vranë në një shkollë të Kumbas, në Kamerun, ndoshta, nga dora e separatistëve të rajoneve anglofone. Papa Françesku bën thirrje “që të heshtin armët” e t’u garantohet të rinjve edukimi dhe e ardhmja”

R.SH. - Vatikan

“Bashkohem me dhimbjen e familjeve të nxënësve, vrarë barbarisht të shtunën e kaluar, në Kumba të Kamerunit. Ndiej trazim të madh për këtë veprim kaq mizor dhe të pakuptimtë, i cili i dha fund jetës së këtyre vogëlushëve të pafajshëm, ndërsa po ndiqnin mësimet në shkollë”. Kjo, thirrja e Papës Françesku, në përfundim të audiencës së përgjithshme, gjatë së cilës kujtoi masakrimin e tetë fëmijëve dhe plagosjen e 12 të tjerëve, në një sulm të armatosur kundër shkollës dygjuhëshe ndërkombëtare “Nënë Franciska”, që u atribuohet separatistëve anglofonë në jug-perëndim të vendit. “Zoti i shndritët zemrat”, u lut Ati i Shenjtë, “që gjeste të tilla të mos përsëriten më kurrë e që rajonet e martirizuara të veri-perëndimit dhe të jug-perëndimit të Kamerunit të gjejnë më në fund paqen!” . Papa uroi “të heshtin armët dhe t’u garantohet siguria të gjithëve, së bashku me të drejtën e çdo të riu për edukim dhe të ardhme”.

3 mijë të vdekur në ndeshjet ndërmjet ushtrisë e separatistëve

          Që prej 3 vitesh, dy zonat anglishtfolëse të Kamerunit ankohen për diskriminimin nga ana e shumicës frëngjishtfolëse. Ndeshjet ndërmjet separatistëve dhe forcave qeveritare kanë shkaktuar deri tani, më se tre mijë viktima dhe të paktën 70 mijë të zhvendosur. “U kërkoj të gjithë protagonistëve të armatosur të mos sulmojnë civilët dhe të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar e të drejtat e njeriut”, nënvizon në një deklaratë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Viktimat kanë moshën 9 deri 12 vjeç

          Presidenti i Kamerunit, Paul Biya, dënoi “krimin barbar dhe të poshtër kundër fëmijëve të pafajshëm” dhe siguroi se ka mobilizuar të gjitha forcat e rendit për të gjetur fajtorët dhe për t’ia dorëzuar drejtësisë. Viktimat e sulmit, i cili ende nuk është marrë përsipër nga asnjë palë, janë nxënës të klasës së gjashtë, me moshë nga 9 deri në 12 vjeç. Të plagosurit ndodhen në spital, në gjendje të qëndrueshme. Disa prej tyre nuk do të mund t’i përdorin më këmbët.

Reagimi i WCC dhe i ipeshkvit të Kumbës

          “Këshilli Botëror i Kishave u tmerrua nga lajmi i sulmit brutal kundër fëmijëve të Akademisë Ndërkombëtare Nënë Franciska në Kumba”, lexohet në një deklaratë të Këshillit Botëror Ekumenik të Kishave (WCC), i cili “bashkohet me Kishat dhe me gjithë njerëzit vullnetmirë në Kamerun e në botë, në dënimin e këtij akti të neveritshëm”. Shpreh, gjithashtu, “afërsinë me familjet dhe bashkësitë e prekura” nga kjo ngjarje, si edhe lutet “për shërimin e fëmijëve të plagosur”. “Për shkak të këtij akti barbar, njerëzit e Kumbas janë në lot dhe e gjithë dioqeza është në zi”, thotë ipeshkvi i qytetit, imzot Agapitus Enuyehnoy Nfon. “I kemi zemrat copë, sepse fëmijët tanë nuk janë më”, shton me dhimbje ai.

28 tetor 2020, 12:57