Kërko

Papa Françesku ne audience me kryeministrin spanjoll Sanchez Papa Françesku ne audience me kryeministrin spanjoll Sanchez 

Papa kryeministrit Sanchez: politika, formë e lartë bamirësie

Papa Françesku priti kryeministrin spanjoll dhe i kujtoi se misioni i politikanit është "të bёj qё vendi tё përparojë, të konsolidohet dhe të rritet si komb". Ndër temat qё u trajtuan gjatё takimit edhe urgjenca shëndetësore, procesi i integrimit evropian dhe migracioni.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti  sot para dite nё audiencë në Pallatin Apostolik të Vatikanit kryeministrin e Spanjës, Pedro Sánchez Pérez-Castejón. “Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit tё Vatikanit -  thuhet nё një njoftim të Zyrёs sё Shtypit tё Selisë së Shenjtë - u përqendruan mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe çështje me interes të përbashkët që kanё tё bёjnё me Selinë e Shenjtë dhe Spanjën. Gjithashtu u nënvizua rasti i përshtatshëm i njё dialogu të vazhdueshëm ndёrmjet Kishës lokale dhe autoriteteve qeveritare". "Së fundi, u fol pёr disa çështje ndërkombëtare, siç ёshtё urgjenca aktuale shëndetësore, procesi i integrimit evropian dhe migrimi". Pas audiencës me Papёn Françesku, kreu i qeverisë spanjolle u takua me Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Selisё sё Shenjtё për Marrëdhëniet me Shtetet.

Politika është shërbim

Papa Françesku siguroi kryeministrin spanjoll Sanchez se politika "nuk është thjesht një art, por për të krishterët është një akt dashurie e bamirësie, fisnikëron e shpesh çon në sakrificën e jetës personale". Në fakt, nёnvizoi se politikani ka në duart e tij një mision shumë të vështirë: të bёj tё përparojë vendi, të konsolidojë kombin dhe ta bëjë vendin të rritet. Tё bёsh qё përparojë kombi, theksoi Papa Françesku, "nganjëherë do të thotë tё hasesh nё vështirësi për të kuptuar me lokalizmat". Por mbase gjëja më e vështirë për mua - siguroi Papa - "është tё bёsh kombin të rritet, sepse aty hyhet në një marrëdhënie bijësimi. Atdheu është diçka që ne kemi marrë nga pleqtë tanë dhe duhet t'ua japim fëmijëve tanë". Papa i tha gjithashtu kryeministrit Sanchez se është "shumë i trishtё kur ideologjitë mbisundojnë e përcaktojnë "fatin e një kombi. Së fundi, Papa Françesku nёnvizoi se politika është shërbim dhe se misioni i saj është "një nga format më të larta të dashurisë bamirëse".

24 tetor 2020, 17:08