Kërko

Vatican News

Papa Françesku promovon Paktin Global për Edukimin

Më 15 tetor në Universitetin Papnor të Lateranit bëhet i njohur videomesazhi i Papës mbi Paktin Global për Edukimin, i ndjekur nga ndërhyrjet e personaliteteve kishtare dhe kulturore. Ngjarja transmetohet drejtpërdrejt në Vatican News

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku i kthehet sërish çështjes së edukimit, thelbësore për magjisterin dhe për dialogun e tij me botën. Të enjten, më 15 tetor, në orën 14.30, do të bëhet i njohur një videomesazh, në të cilin përmblidhet mendimi i Atit të Shenjtë mbi këtë temë gjatë gjithë papnisë, por shihet edhe drejt së ardhmes, sepse, siç thotë vetë Papa, “edukimi është akt shprese”.

Françesku: ta mbushim “paktin edukativ” me ide të reja

Në fund të mesazhit, Papa Françesku do t’u propozojë të gjithë njerëzve vullnetmirë ta miratojnë e të marrin pjesë në Paktin Global për Edukimin (Global Compact on Education), i cili synon të sjellë ndryshime në shkallë planetare, që edukimi të krijojë vëllazërim, paqe dhe drejtësi. Nevojë edhe më urgjente kjo, në këtë kohë pandemie.

Takimi i 15 tetorit i përgjigjet thirrjes së Atit të Shenjtë më 12 shtator 2019: “Kemi nevojë të bashkojmë forcat për të krijuar një aleancë edukative – pati thënë Papa – prandaj, dëshiroj t’ju takoj në Romë”. Ftesën e përsëriti edhe para ambasadorëve të gjithë botës, mbledhur me rastin e fjalimit për Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë (9 janar 2020).

Takimi i majit do të mbahet më 15 tetor

Pandemia e Covid-19, siç dihet, bëri që takimi i majit në Vatikan të anulohej, por planifikimi i tij vijoi. Kështu “Fshati i Edukimit”, në të cilin do të paraqiteshin përvojat më të mira arsimore ndërkombëtare, është shndërruar në një hapësirë ​​virtuale: në fakt, muajt e fundit, janë realizuar më se 70 përvoja edukimi në botë, të frymëzuara nga temat e Paktit: dinjiteti dhe të drejtat e njeriut, paqja dhe qytetaria, ekologjia e gjithanshme, vëllazërimi dhe zhvillimi. Përvojat janë zgjedhur nga Shkolla e Lartë “Të edukojmë për takimin dhe solidaritetin” (EIS), e Universitetit LUMSA të Romës, e cila do t’i paraqesë gjatë një konference të ardhshme, duke i publikuar edhe në faqen e internetit të ngjarjes (www.educationglobalcompact. org).

Takim në internet, për shkak të pandemisë

Gjatë udhës përgatitore u mbajtën 8 seminare ndërkombëtare e, që nga marsi, pas bllokimit të veprimtarive, për shkak të koronavirusit, shumë takime u mbajtën përmes internetit, siç do të ndodhë edhe me ngjarjen e 15 tetorit. Videomesazhi i Papës do të transmetohet në kuadrin e takimit virtual kushtuar botës akademike, organizuar në Universitetin Papnor Lateranens, nga Kongregata vatikanase për Edukimin Katolik. Mund të ndiqet drejtpërdrejt në internet përmes portalit Vatican News dhe kanaleve Youtube në faqen www.vaticannews.va, si edhe përmes kanaleve të Vatican Media. Gjatë transmetimit do të ketë përkthime të drejtpërdrejta në anglisht, frëngjisht, spanjisht dhe portugalisht.

Fjalët e Atit të Shenjtë do të komentohen në distancë nga drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s, Audrey Azoulay, përmes një videomesazhi, dhe, në universitetin papnor, nga krerët e Kongregatës për Edukimin Katolik: kardinali Giuseppe Versaldi dhe kryeipeshkvi Angelo Vincenzo Zani. Së bashku me ta, rektori i ateneut lateranens, prof. Vincenzo Buonomo, ai i Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, Franco Anelli dhe sociologia Silvia Cataldi, profesoreshë në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Videomesazhi i Papës do të komentohet nga studentët, të cilëve u kushtohet. Ngjarja do të paraqitet dhe moderohet nga Alessandro Gisotti, zv.drejtor editorial i Dikasterit vatikanas për Komunikimin.

08 tetor 2020, 19:18