Kërko

Vatican News

Papa: ekologjia e gjithanshme kërkon kthesë të thellë shpirtërore

Mesazh i Papës Françesku për pjesëmarrësit në konferencën EcoOne, iniciativa ekologjike e Lëvizjes së Fokolarinëve. T’i jepet përparëse “nje paradigme të re e më gjithëpërfshirëse shoqëroro-ekonomike”, shkruan Ati i Shenjtë, t’i jepet fund “logjikës së shfrytëzimit dhe të egoizmit”.

R.SH. - Vatikan

Nevojitet “një vullnet i fuqishëm për të marrë dhe zbatuar masa konkrete, të cilat promovojnë dinjitetin e të gjithëve në marrëdhëniet e tyre njerëzore, familjare dhe në ato të punës, duke luftuar, njëkohësisht, shkaqet strukturore të varfërisë dhe duke punuar për të mbrojtur ambientin”. Papa Françesku i thekson këto fjalë në një mesazh për pjesëmarrësit në konferencën ndërkombëtare të EcoOne, iniciativa kulturore ndërkombëtare e Lëvizjes Fokolare, ku përfshihet një rrjet mësuesish, akademikësh, studiuesish dhe profesionistësh në shkencat e mjedisit. Takimi, i përqëndruar në temën “Rrugët e reja drejt ekologjisë së gjithanshme: pesë vite pas Laudato si’”, synon të shqyrtojë ndikimin e këtij dokumenti në botën bashkëkohore, duke analizuar, në veçanti, rolin që mund të luajnë individët dhe organizmat shoqërorë në kujdesin për shtëpinë e përbashkët.

Gjithçka është e lidhur

Në mesazh, Papa shpreh mirënjohjen për Lëvizjen e Fokolarinëve, për përfaqësuesit e Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor dhe për Lëvizjes Botërore Katolike të Klimës, të cilët bashkëpunuan për realizimin e këtij takimi virtual. Ati i Shenjtë thekson se konferenca, që do të vijojë nga sot deri më 25 tetor në Castel Gandolfo, përcakton “një vizion të marrëdhënieve të njerëzimit dhe të kujdesit për botën, duke u nisur nga këndvështrime të ndryshme: etike, shkencore, shoqërore dhe teologjike”. Duke kujtuar bindjen e themelueses së fokolarinëve, Chiara Lubich, se bota mbart në vetevete prirjen drejt bashkimit, Papa uron që “kjo perspektivë” të mund t’i bëjë njerëzit të kuptojnë se gjithçka është e lidhur.

Duhet një paradigmë e re ekonomike

 Papa nënvizon edhe “urgjencën e një paradigme të re dhe më gjithëpërfshirëse shoqëroro-ekonomike, e cila mund të pasqyrojë të vërtetën mbi njeriun - siç lexohet në enciklikën ‘Fratelli tutti’ – se jemi një njerëzim i vetëm, udhëtarë të të njëjtit gjak, bij të së njëjtës tokë, që na mirëpret të gjithëve”. “Arritja e ekologjisë së gjithanshme – vijon teksti - kërkon një kthesë të thellë shpirtërore, si në nivelin personal, ashtu edhe në atë komunitar”. Duke kujtuar sfidat e mëdha, përfshirë ato që lidhen me ndryshimin e klimës, Ati i Shenjtë thekson se “është thelbësore që të heqim dorë nga logjika e shfrytëzimit dhe e egoizmit dhe të promovojmë një mënyrë jetese të thjeshtë e të përvuajtur”. “Puna juaj – uron Papa Françesku në mesazh, duke iu drejtuar pjesëmarrësve në konferencë - të kontribuojë në kultivimin e një përgjegjësie të përbashkët për njëri-tjetrin në zemrat e vëllezërve dhe motrave tona, si bij të Zotit, dhe në një impenjim të ri për të qenë administratorë të mirë të gjithësisë, dhuratës prej Tij”.

23 tetor 2020, 16:46