Kërko

Nicë, Papa lutet për viktimat: të reagojmë me të mirë kundër së keqes

Papa Françesku dënon “energjikisht” sulmin terrorist në bazilikën Notre-Dame të Nicës, që u kushtoi jetën tre personave. Në një telegram ngushëllimi, nënshkruar nga kardinali Parolin, Papa bashkohet me familjet e të vrarëve dhe e fton vendin për unitet. Edhe Salla e Shtypit e Vatikanit vuri në dukje ftesën e Atit të Shenjtë që francezët të reagojnë “kundër së keqes me të mirë”. Në orën 15, këmbanat e gjithë vendit ranë përzishëm.

R.SH. - Vatikan

Dhimbja e Papës për tragjedinë e Nicës mbërriti në dy çaste të ndryshme, brenda pak minutash. I fundit në kohë, në orët e para të pasdites, arrin përmes Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, i cili në një telegram për ipeshkvin e Nicës, André Marceau, shpreh dënimin “më energjik të mundshëm” të Papës Françesku për “akte të tilla të dhunshme terrori”, duke siguruar “afërsinë e tij me bashkësinë katolike të Francës dhe me gjithë popullin francez, të cilit i bën thirrje për bashkim”. Vetëm pak minuta më parë, duke iu përgjigjur gazetarëve, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, foli për “një çast dhimbjeje, në një kohë konfuzioni”, duke theksuar se “terrorizmi dhe dhuna nuk mund të pranohen kurrë”, aq më tepër kur një sulm i përgjakshëm, “mbjell vdekjen në një vend dashurie dhe ngushëllimi, siç është shtëpia e Zotit”. Bruni nënvizoi dëshirën e Papës Bergoglio “që dhuna të ndalet, që njerëzit ta shikojnë sërish njëri-tjetrin si vëllezër e motra dhe jo si armiq, që populli i dashur francez të reagojë i bashkuar ndaj së keqes, me të mirë”, siç shkruan Ati i Shenjtë edhe në një tweet në faqen e tij @Pontifex. 

Kronika

Sulmi me thikë ndodhi sot në mëngjes, rreth orës 9, në bazilikën Notre-Dame në qendër të Nicës, në Avenue Jean-Medecin. Atentatori, duke bërtitur “Allah Akbar”, i preu kokën një gruaje dhe theri në fyt një burrë – sakristanin. Të dy vdiqën menjëherë. Goditi edhe një grua tjetër në fyt, e cila vdiq pak më vonë, në një lokal, ku kishte shkuar për të kërkuar ndihmë. Pati kohë të thoshte vetëm fjalët: “Thuajuni fëmijëve të mi se i dua fort”. Policia hyri në kishë e qëlloi kundër atentatorit, i cili u plagos dhe u arrestua. Kryetari i bashkisë së Nicës, Cristian Estrosi, i cili foli menjëherë për sulm terrorist, dha urdhër që të gjitha kishat të vihen nën mbikëqyrje ose të mbyllen, së bashku me vendet e tjera të kultit. Po kryetari i bashkisë njoftoi se “ndërsa po e mjekonin, atentatori vazhdonte të thërriste ‘Allah Akbar’”.

Presidenti Emmanuel Macron shkoi menjëherë në vendgngjarje. Kryeministri Jean Castex u largua me nxitim nga Asambleja Kombëtare, ku duhej të paraqiste masat e reja kundër koronavirusit, për të marrë pjesë në takimin e grupit të krizës. Rivendoset gjendja e emergjencës për atentatet në Francë “në nivelin më të lartë”.

29 tetor 2020, 13:58