Kërko

Filmi "Françesku" i Evgeny Afineevsky Filmi "Françesku" i Evgeny Afineevsky

“Françesku”, filmi i ri dokumentar për Papën

Realizuar nga regjisori amerikan Evgeny Afineevsky, dokufilmi shfaqet sot në Festivalin e Filmit në Romë dhe nesër i jepet çmimi Kinéo. Ai rrëfen magjisterin e Papës përmes një sërë intervistash mbi temat kryesore të papnisë së tij.

R.SH. - Vatikan

Sfidat e kohës sonë, emergjencat që kërkojnë përgjigje, misioni i Kishës i parë në impenjimin për më të varfërit, migrantët dhe për ata, që vuajnë padrejtësi. “Françesku”, film i Evgeny Afineevsky, regjisor amerikan kandidat për çmimin Oskar, ndërthur historinë e sotme me intervista ekskluzive me vetë Papën, me Benediktin XVI, me familjen e Atit të Shenjtë – si, për shembull, me nipin e tij José Ignacio Bergoglio – e deri me zërin e kardinalit Luis Antonio Tagle, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, të imzot Charles Scicluna, zv.sekretar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, të motrës Norma Pimentel, që ndihmon emigrantët në kufirin ndërmjet SHBA-ve dhe Meksikës dhe, të mikut të vjetër të Papës Françesku, rabinit Abraham Skorka.

Çmimi Kinéo

Premiera botërore e këtij dokufilmi është sot pasdite në Festivalin e Filmit në Romë, në seksionin “Ngjarje të Veçanta”. Nesër, filmi do të vlerësohet me Çmimin Kinéo, në Kopshtet e Vatikanit, tashmë, në edicionin e tij të 18-të. “Kinéo Movie for Humanity Award”, dhënë atyre që promovojnë çështje shoqërore dhe humanitare, do të dorëzohet nga Rosetta Sannelli, ideatorja e çmimit, e cila, duke folur për filmin, nënvizon vlerën e tij historike. “Çdo udhëtim i Papës Françesku në anë të ndryshme të botës – pohon ajo – dokumentohet në veprën e Afineevsky-t me pamje dhe filmime, që zbulojnë një panoramë mbi ngjarjet e kohës sonë”.

Papa dhe e sotmja e botës

Qershorin e kaluar, ndërsa përhapej Covid-19, Afineevsky përfundoi xhirimet e “Françeskut”, duke trajtuar çështje të ndryshme si pandemia, racizmi, abuzimi seksual dhe duke përdorur imazhe, që lënë shenjë. Dokufilmi flet për luftën në Siri dhe në Ukrainë, por edhe për persekutimin e popullit Rohingya. Papa, lexojmë në njoftimin për shtyp në të cilin paraqitet filmi, u përgjigjet pyetjeve “me urti dhe bujari” duke ndarë me shikuesit “shembuj prekës të mësimeve të tij jetësore”, duke propozuar idealet, që “mund të na ndihmojnë të ndërtojmë ura drejt një të ardhme më të mirë dhe të zhvillohemi si bashkësi globale”. Premiera e “Françeskut” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është planifikuar për 25 tetor në Festivalin e Filmit Savannah. Filmi është prodhuar pjesërisht me Shkollën e Teatrit, Filmit dhe Televizionit të Ucla-s. Regjisori amerikan Evgeny Afineevsky, autori i dokumentarit, ka qenë kandidat për çmimet Oskar dhe Emmy në vitin 2016, për dokufilmin “Winter on Fire” (Dimri i Përflakur), ndërsa në vitin 2018 u propozua 3 herë për Emmy Awards për dokufilmin “Cries from Siria” (Britma nga Siria).

21 tetor 2020, 16:11