Kërko

Vatican Secretary of State Parolin visits damaged Church of Saint Georges in Beirut Vatican Secretary of State Parolin visits damaged Church of Saint Georges in Beirut 

Sot, Dita universale e lutjes dhe e agjërimit për Libanin

Mbrëmë, i dërguar nga Papa, arriti në Beirut kardinali Pietro Parolin, që u takua me liderët fetarë në katedralen maronite të Shën Gjergjit e, më pas, kryesoi Meshën në Shenjtëroren e Zojës së Libanit.

R.SH. - Vatikan

“Mos e lini vetëm Libanin! Libani ka nevojë për botën, por edhe bota ka nevojë për këtë eksperiment të pluralizmit, që është Libani”. Kardinali Pietro Parolin kujtoi në Harisa, në praninë e liderëve fetarë  mbledhur në katedralen maronite të Shën Gjergjit, në Beirut, fjalët e Papës Françesku, shqiptuar në audiencën e përgjithshme. Sekretari i Shtetit u dërgua nga Papa që të jetojë me popullin libanez Ditën universale të lutjes dhe agjërimit. Vizita bëhet një muaj pas shpërthimit të portit, që shkaktoi 220 të vdekur, gjashtë mijë të plagosur e treqind mijë të shpërngulur. Kardinali Parolin kujtoi se nisma e Papës u miratua nga shumë vende, në të pesë kontinentet.

Së bashku, në paqe e me përgjegjësi

“Vuajtja jonë mund të ndihmojë që t’i pastrojmë ndjetet tona e ta fuqizojmë vendosmërinë për të jetuar në paqe e dinjitet, për të luftuar  që të kemi një qeveri më të mirë, e cila favorizon transparencën dhe përgjegjësinë. Së bashku - shpjegoi sekretari i Shtetit të Vatikanit - mund të fitojmë mbi dhunën e mbi çdo formë  të autoritarizmit, duke promovuar qytetarinë, që i përfshin të gjithë, të bazuar mbi respektimin  e të drejtave e të detyrave themelore.

Kardinali Parolin kërkoi, më pas, të ngulmohet me të gjithë politikanët libanezë, ata të partive tradicionale, e edhe ata të lëvizjeve e formacioneve të reja, “për të promovuar me sinqeritet e konkretësi talentet e të rinjve dhe aspiratat e tyre për paqen e  ardhmërinë më të mirë”. Së fundi Hirësia e Tij nënvizoi “shembujt tejet të bukur të solidaritetit në mbarë Beirutin: gjeste, nga të cilat lindin shpresa të reja  për të ardhmen.

Libani nuk është vetëm!

“Libanezët do ta rindërtojnë Vedin e tyre, me ndihmën e miqve  e me frymën e mirëkuptimit, të dialogut e të bashkëjetesës, që e dalluan në gjithë rrjedhën e  historisë” - Ky, inkurajimi i Kardinalit Parolin në homelinë e Meshës, kremtuar në Shenjtëroren e Harisës. Hirësia Tij  kujtoi vështirësitë e vitit të fundit, ngarkuar me tragjedi, me krizë ekonomike, shoqërore e politike. E edhe pandeminë, që e rëndoi më tej situatën,  së cilës më pas iu shtuan edhe pasojat e shpërthimit në Beirut, që shkaktoi një mjerim të jashtëzakonshëm. “Është e vërtetë - shtoi - se libanezët po jetojnë çaste shqetësuese. Janë të hutuar e të lodhur. Po nuk janë vetëm. Kardinali Parolin kujtoi afërsinë dhe solidarietin e Papës Françesku e edhe  atë të një mori vendesh. E, sidomos, Fjalën e Zotit, që fton për shpresë! Sekretari i Shtetit të Vatikanit  pohoi  me forcë se Beiruti do të rilindë nga hiri i vet me dialog e solidaritet. Një ardhmëri për t’u shkruar e tëra, me ndërmjetësimin amtar të Marisë, Zojës së Harisës - në mënyrë që - siç ka theksuar Papa - falë Saj të përhapet parfumi i bashkëjetesës në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.

Guxim për të rifilluar

Të mërkurën e kaluar, në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku  bëri thirrje për të marrë pjesë në Ditën universale të lutjes dhe të agjërimit për Libanin: 

 “Dëshiroj  t’i ftoj të gjithë të jetojmë një ditë universale lutjeje e agjërimi për Libanin, të premten e ardhshme, më 4 shtator. Unë mendoj të dërgoj një përfaqësues timin këtë ditë në Liban, për ta shoqëruar popullsinë. Në këtë ditë do të shkojë Sekretari i Shtetit në emër tim. E ai do të shkojë për të shprehur afërsinë time e solidaritetin tim. Ta ofrojmë lutjen tonë për gjithë Libanin e për Beirutin. Të jemi pranë edhe me impenjim konkret  bamirësie, si në raste e tjera të ngjashme. I ftoj edhe vëllezërit e motrat e konfesioneve dhe të traditave të tjera fetare të bashkohen me këtë nismë, në mënyrën që u duket më e përshtatshme, por të gjithë së bashku”.

Shpresa - kjo është fjala kyçe për rifillimin, në të gjitha drejtimet- theksoi - duke e inkurajuar popullin libanez të shpresojë e të gjejë energjinë e duhur për t’u rinisur. Politikanëve dhe liderëve fetarë u kërkoi të shikojnë të mirën e përbashkët e “të angazhohen me sinqeritet e transparencë në veprën e rindërtimit”, ndërsa bashkësisë ndërkombëtare, ta mbështesë Vendin. Mendimi i Papës shkoi, më pas, tek të gjithë ata, që u prekën nga atentati i kryeqytetit, të cilëve u drejtoi ftesën:

Guxim! Feja e lutja të jenë forca juaj. Mos i braktisni shtëpitë tuaja e trashëgiminë tuaj, mos e harroni ëndrrën e atyre, që besuan në ardhmërinë  e një vendi të bukur e të begatë”.

04 shtator 2020, 11:19