Kërko

Vatican News
 Kardinali Pietro Parolin flet nga LIbani Kardinali Pietro Parolin flet nga LIbani  (ANSA)

Papa: Zoti ka plane paqeje për Libanin

Sipas njoftimit në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Papën, në këtë ditë universale lutjeje e agjërimi, e përfaqëson, në Beirut, kardinali Pietro Parolin. “Ty ta besojmë Libanin, që ta realizojë thirrjen si lajmëtar i paqes dhe i vëllazërimit” - me këto fjalë nis lutja e Papës drejtuar Zotit, lexuar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit.

R. SH. - Vatikan

I rrethuar nga mikrofonet, ndërsa jeta në Beirut zjen rreth tij, zëri i kardinalit Parolin  zëvendëson zërin e Papës, që i flet popullit libanez. Një mesazh i shkurtër,  të cilin Françesku i kërkoi t’ia përcjellë Libanit gjatë ditës kushtuar lutjes e agjërimit për vendin. Në të ndjehet fort dashuria e Papës e, para saj, dashuria e Zotit për këtë vend, që përballon edhe një çast tjetër të vështirë të historisë së tij.

Mesazhi i Françeskut

“Unë i di mirë planet që kam për ju - thotë Zoti - plane paqeje e jo mjerimi, për t’ju dhuruar një ardhmëri plot me shpresë”. Nis me këtë citim  shkëputur nga Libri i Jeremisë, teksti i shkruar nga Papa për këtë rast. Aktualiteti i ngjarjeve të jetuara në të kaluarën nga populli libanez, duket sikur i kundërvihet këtij premtimi. Po Françesku nxit për t’i besuar besnikërisë së Zotit. “O Zot, e dimë se vigjilon mbi fjalën tënde, për ta realizuar - shkruan Papa - e ne shpresojmë në të, kundër çdo shprese a fatkeqësie”.

Papa ia beson vendin Zotit, duke iu lutur për një ardhmëri paqësore

Mesazhi bëhet lutje. Lutje falënderimi, por edhe lutje që kërkon, që lyp, që përgjërohet:

“Të falënderojmë për dashurinë Tënde,  që po shprehet përmes solidaritetit të shumëkujt. Ta besojmë vendin tonë, Libanin, me popullin e tij, me prijësit fetarë e politikë e me të rinjtë e tij, që ta realizojë thirrjen e vet në shërbim të paqes e të vëllazërimit, për të cilin e thirre. Amen!”.

04 shtator 2020, 16:02