Kërko

Vatican News
 Papa pret  fëmijët autistikë të Sonnenschein (Austri) Papa pret fëmijët autistikë të Sonnenschein (Austri)  (Vatican Media)

Papa: secili prej nesh është i bukur para syve të Zotit

Papa takohet me drejtuesit dhe mysafirët e Qendrës "Sonnenschein", strukturë kushtuar fëmijëve dhe adoleshentëve me çrregullime të spektrit autik. “Shtëpia juaj i ngjet një kopshti të mrekullueshëm plot me lule, nën dritën e diellit, e lulet e kësaj shtëpie, jeni pikërisht ju!” - u tha Ati i Shenjtë.

R. SH. - Vatikan

Gjatë takimit të sotëm me fëmijët e shtëpisë për autizmin “Sonnenschein”, ardhur në Vatikan nga Austria, Papa hyri në botën e miqëve të vegjël e u dha një mësim të çmuar për mënyrën e lidhjes me Jezusin.

Papa: ta falënderojmë Zotin për dhuratën e jetës!

Papa, si i falënderoi vocrrakët e prekur nga autizmi, ardhur nga Austria  kujtoi, në fillim të takimit, emrin e shtëpisë së tyre “Sonnenschein”, domethënë “Shkëlqimi i diellit”. Mund ta përfytyroj - shtoi - pse u zgjodh ky emër. Për të përshkruar, më pas, një pastel plot me ngjyrat e ngrohta të një kopshti të lulëzuar. Me nota prekëse lirike:

“Shtëpia juaj i ngjet një kopshti të mrekullueshëm plot me lule, nën dritën e diellit, e lulet e kësaj shtëpie, jeni pikërisht ju!”.

Zoti - vijoi përshkrimin Papa - e krijoi botën me një mori lulesh, me të gjitha ngjyrat. Çdo lule ka bukurinë e vet. Bukuri të pashoqe. Edhe secili prej nesh është i bukur para syve të Zotit,  e Ai na do fort.

E nga gjithë kjo bukuri, nuk ka sesi të mos burojë edhe falënderimi – u kujtoi Ati i Shenjtë fëmijëve që, ndonëse të prekur nga autizmi, ngrohen e ndriten nën rrezet e diellit.  Ndaj Papa, në vijim, kujtoi:

“Kjo na bën të ndjejmë nevojën për t’i thënë Zotit faleminderit! Faleminderit për dhuratën e jetës, për të gjitha krijesat! Faleminderit për mamin e babin! Për familjet tona! E faleminderit edhe për miqtë e Qendrës ‘Sonnenschein’”.

Falënderim, që shndërrohet në lutje

“Ky falënderim është lutje e bukur - vijoi Papa - Zotit i pëlqen kjo mënyrë lutjeje”.

Për t’u kujtuar, më pas, edhe një pyetje, që mund ta bëjnë kur e kur të vegjlit. Për shembull: “O i Miri Jezus, a mund t’i ndihmosh nënën e babin në punën e tyre? Mund t’i japësh pak prehje gjyshes së sëmurë? A mund të mendosh për fëmijët e botës, që nuk kanë ç’të hanë?”. Ose “Jezus, të lutem  ta ndihmosh Papën ta drejtojë  mirë Kishën”. Po të luteni me fe, Zoti do t’ju dëgjojë patjetër.

Kështu u foli Papa fëmijëve, me gjuhën e tyre, duke u shprehur, në përfundim, mirënjohjen edhe prindërve, shoqëruesve e të pranishëmve për këtë nismë në favor të të vegjëlve, me një shprehje ungjillore: “Gjithçka  bëtë për njërin nga këto vegjël, ia bëtë Krishtit”.

E, në fund, Papa i siguroi të gjithë se do të lutet për ta, duke u kërkuar edhe lutjen e tyre.

Zoti ju bekoftë e Zoja ju mbrojtët - me këtë urim përfundoi ky takim i ri i Papës me fëmijët.

21 shtator 2020, 13:12