Kërko

Vatican News
Angelus Angelus  (Vatican Media)

Papa: përgojimi kundër të tjerëve është kolerë, më e keqe se Covid

Pedagogjia e qortimit është ajo, që këshillon Jezusi. Kështu u shpreh Papa në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, duke i nxitur të gjithë të mos e marrin nëpër gojë vëllain por, kur gabon, të heshtin e të luten për të.

R. SH. - Vatikan

Ta bëjmë qortimin vëllazëror, zakon të shëndetshëm.  Që marrëdhëniet  në bashkësitë tona të bazohen mbi faljen dhe “forcën e pamposhtur të mëshirës së Zotit”! Jehuan rishtas fjalët e Krishtit, të dala nga Ungjilli i Mateut, në Sheshin e Shën Pjetrit, në këtë të diel shtatori, kur dielli ngroh, por nuk djeg, duke i krijuar kështu turmës mundësinë të mblidhet me shumicë rreth dritares së Papës, që vijoi të kujtojë mësimet e Krishtit. Këtë të diel u ndal tek tregimi, që njihet si i “qortimit vëllazëror”. Për të flet fragmenti i sotëm ungjillor - kujtoi Françesku - fragment, i cili na fton të reflektojmë mbi përmasën e dyfishtë të jetës së krishterë, atë të bashkësisë,  që kërkon mbrojtjen e bashkimit, e atë personale, që të detyron  të kesh vëmendje dhe respekt për çdo ndërgjegje individuale.

Korrigjimi i vëllait që gabon

Për ta korrigjuar vëllain, që gabon,  Jezusi - vijoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot - këshillon pedagogjinë e qortimit vëllazëror, që mund të bëhet në tri mënyra:

“Së pari  vëllai që gaboi duhet qortuar ‘vetëm për vetëm’, gjë që do të thotë të mos e nxjerrësh në shesh mëkatin e tjetrit. Duhet shkuar te vëllai me shumë kujdes, jo për ta gjykuar, por për ta ndihmuar ta kuptojë atë që ka bërë”.

Mësim i vështirë për t’u vënë në jetë

Por nuk është aspak e lehtë ta vësh në jetë këtë mësim të Jezusit. E kjo, për një mori arsyesh. Së pari, druhesh se vëllai a motra do të kundërveprojnë keqas; e më pas, sepse mund të mungojë mirëbesimi i mjaftueshëm, me atë që do të qortohet.   

Mund të ndodhë, pastaj, që përpjekja e parë të dështojë, pavarësisht nga ndjetet miqësore. Në këtë rast është mirë të mos ngulmosh, por të kërkosh ndihmën e ndonjë vëllai a motre tjetër.

Ç’na mëson Jezusi?

Jezusi  - kujtoi Papa në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot - na këshillon:

“Nëse nuk do të dëgjojë, merr me vete edhe një a dy vetë të tjerë që, kur të përfundojë biseda, çdo gjë të mbështetet mbi pohimin e dy a tre dëshmitarëve”.

Po kjo është një normë e ligjit të Moisiut. E, ndonëse mund të duket si të ishte kundër të akuzuarit - shpjegoi Françesku - në të vërtetë shërben për ta mbrojtur nga paditësit e rremë:

“Po Jezusi shkon shumë më përtej: dy dëshmitarët nuk kërkohen për ta paditur tjetrin, as për ta gjykuar, por për ta ndihmuar. Jezusi llogarit se mund të dështojë edhe kjo përpjekje me dëshmitarët,  ndryshe nga Ligji i Moisiut, për të cilin dëshmia e dy a tre vetëve ishte më se mjaftueshme për ta dënuar njeriun e rënë në gabim, por që nuk do ta pranojë, sepse gjithnjë i hidhur është gabimi e i vështirë pranimi i tij!”.

Rrugë të tjera, për korrigjimin e gabimeve  

Por ka edhe rrugë të tjera për t’i qortuar njerëzit, që gabojnë  - kujtoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, sepse edhe dëshmia e dy a tre vëllezërve mund të jetë e pamjaftueshme. Në këtë rast - shton Jezusi  - thuaja gjithçka bashkësisë, domethënë, Kishës. Ka gjëra që nuk mund t’i lënë indiferentë  vëllezërit e tjerë: duhet një dashuri më e madhe, për ta rifituar vëllain! Po nganjëherë - kujtoi akoma Papa në Engjëllin e Tënzot - as kjo nuk mjafton. Atëhere Jezusi na kujton: “Nëse nuk e dëgjon as bashkësinë, le të jetë për ty si pagan a si publikan”:

“Kjo shprehje, në dukje krejt përçmuese, në të vërtetë të fton ta lësh vëllain në dorë të Zotit: sepse vetëm Ati mund të tregojë për të një dashuri më të madhe se ajo e gjithë vëllezëve marrë së bashku”.

Dashuria e Krishtit nuk njeh kufij

Është dashuria e Krishtit ajo, që i mikpriti publikanë e paganë, duke i shkandulluar konformistët e epokës:

“Ndonëse nuk bëhet fjalë për dënim pa asnjë kundërshtim, por për të pranuar se nganjëherë përpjekjet tona mund edhe të dështojnë, e se veç  qëndrimi vetëm për vetëm para Zotit, mund ta vërë vëllain përballë ndërgjegjes e përgjegjësisë, për të gjitha veprimet e kryera”.

Papa e përfundoi Engjëllin e Tënzot me një lutje të shkurtër, drejtuar Marisë, që kudo të mbretërojnë marrëdhëniet vëllazërore e që kush gabon, të kërkojë falje e ta rifitojë kështu, miqësinë e humbur:

“Virgjëra Mari na ndihmoftë ta bëjmë zakon qortimin vëllazëror, që në bashkësitë tona të mund të ketë gjithnjë marrëdhënie miqësore, të bazuara mbi ndjesën e anasjelltë e, sidomos, mbi forcën e pamposhtur të mëshirës së Zotit!”.

06 shtator 2020, 12:34