Kërko

2020.09.02 Udienza Generale 2020.09.02 Udienza Generale 

Papa për Libanin: nesër, Dita universale e lutjes dhe agjërimit

Ndërsa shqetësohet fort për fatet e Libanit, Papa Françesku bën thirrje: të premten, lutje e agjërim për Libanin.

R.SH. - Vatikan

Në përfundim të katekizmit e të përshëndetjeve të audiencës së përgjithshme, dje, Papa Françesku kujtoi me dhimbje e shqetësim të thellë situatën në Liban, i vetëdijshëm për rrezikun e madh, që kërcënon ekzistencën e Vendit. E u kërkoi të gjithë atyre, që mund të japin ndihmesën e vet, me vepra a me lutje, të mos e braktisin në vetminë e vet këtë vend, “për më se njëqind vjet vend shprese, vend i njerëzve, që e ruajtën gjithnjë besimin në Zotin dhe treguan se janë të aftë ta bëjnë tokën e tyre tokë tolerance, respekti, bashkëjetese. E meritojnë plotësisht lutjen e agjërimin e të gjithë besimtarëve të botës!".

Më 4 shtator një ditë lutjeje e agjërimi

 Njoftimi i Papës, dje, gjatë audiencës së përgjithshme, për nismën e veçantë të lutjes për Libanin, që të pranishmit e pritën me duartrokitje:

“Dëshiroj  t’i ftoj të gjithë të jetojmë një ditë universale lutjeje e agjërimi për Libanin, të premten e ardhshme, më 4 shtator. Unë mendoj të dërgoj një përfaqësues timin këtë ditë në Liban, për ta shoqëruar popullsinë. Në këtë ditë do të shkojë Sekretari i Shtetit, kardinali Parolin, në emrin tim. E ai do të shkojë për të shprehur afërsinë time e solidaritetin tim. Ta ofrojmë lutjen tonë për gjithë Libanin e për Beirutin. Të jemi pranë edhe me impenjim konkret  bamirësie, si në raste e tjera të ngjashme. I ftoj edhe vëllezërit e motrat e konfesioneve dhe të traditave të tjera fetare të bashkohen me këtë nismë, në mënyrën që u duket më e përshtatshme, por të gjithë së bashku”.

03 shtator 2020, 12:07