Kërko

Vatican News
 Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme  (Vatican Media)

Papa: nga kriza dilet duke dëgjuar edhe të fundmit, e kjo është ndihma!

Në audiencën e përgjithshme, Françesku nënvizoi se sot dëgjohen më tepër shumëkombëshet ose shoqëritë e mëdha farmaceutike, se lëvizjet shoqërore ose punonjësit e shëndetësisë. Ndërsa, përsëriti, duhet respektuar “autonomia dhe aftësia e të gjithëve”, posaçërisht e familjeve, e ndërmarrjeve të vogla. E kërkoi një duertrokitje “për të përjashtuarit”.

R. SH. - Vatikan

Në katekizmin e audiencës së përgjithshme të së mërkurës, Papa vijon t’i bëjë, me shqetësim të thellë, njerëzimit pyetjen: “A do të dalim më të mirë nga gjëma e pandemisë?” Do të dalim - përgjigjet – vetëm nëse  do ta ndihmojmë njëri-tjetrin.

Për të dalë më të mirë nga një krizë si kjo e sotmja, krizë shëndetësore e njëkohësisht shoqërore, politike dhe ekonomike, secili nga ne duhet të marrë mbi vete pjesën e përgjegjësisë, që i takon! Me këto fjalë e filloi Papa katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Oborrin e Shën Damasit, në Vatikan, me praninë e besimtarëve. Duke kërkuar të nxisë veprimtarinë e të gjithëve. Duhet të përgjigjemi jo vetëm si njerëz të veçantë - kujton - por duke u nisur edhe nga grupi, të cilit i përkasim, nga roli  që kemi në shoqëri, nga parimet tona e, nëse jemi besimtarë, nga besimi në Zotin. Detyrë e të gjithëve, kjo. Por pas këtij pohimi, Papa nuk harroi edhe njerëzit, që nuk mund të marrin pjesë në sigurimin e së mirës së përbashkët, sepse të shtypur, të përjashtuar a të injoruar ekonomikisht e poltikisht:

“Në  disa shoqëri - kujtoi - shumë njerëz nuk janë të lirë  ta dëshmojnë  fenë e tyre, as vlerat e tyre. E edhe në botën perëndimore shumë i vetëndrydhin bindjet e tyre etike a fetare. Po kështu nuk mund të dalim nga kriza, aq më pak, të dalim më të mirë”.

Si mund të ndihmojmë për rilindjen e popujve tanë?

Të gjithë mund të kujdesemi për rilindjen e popujve tanë, sepse askujt nuk i mungojnë mundësitë për ta bërë këtë - vijoi Papa - për të kujtuar, sesi pas depresionit të madh ekonomik të vitit 1929, Papa Piu XI pati shpjeguar  sa rëndësi kishte për rindërtmin e vërtetë, përtëritja e parimit të ndihmës. E pikërisht ky parim me lëvizje të dyfishtë, nga lart-poshtë e nga poshtë lart,  ishte në qendër të vëmendjes edhe në audiencën e sotme!   

Në një kohë ndryshimesh, si kjo që po jetojmë, shoqatat e vogla  a bashkësitë lokale nuk janë në gjendje të realizojnë as objektivat parësore – thekson - ndaj është e drejtë të ndërhyjnë nivelet më të larta të trupit të sëmurë të shoqërisë, si Shteti,  që jeta të mos ndalet në vend, por të ecë përpara:

“Secili duhet të ketë mundësinë ta marrë mbi vete përgjegjësinë e vet në proceset e shërimit të shoqërisë, në të cilën bën pjesë. Kur vihet në jetë ndonjë projekt që ka të bëjë drejtpëdrejt ose tërthorazi me grupe të caktuara shoqërore, këta nuk mund të përjashtohen nga pjesëmarrja: urtia e tyre nuk mund të lihet mënjanë!”.

E këtu Papa ngre fort zërin në emër të popujve indigjenë, të kulturave të tyre e të vizionit të tyre mbi botën,  që bota nuk po i përfill fare!

Kjo nuk është rrugë e drejtë

Por, për fat të keq, kjo padrejtësi vërehet shpesh në zona të ndryshme të planetit, sidomos kur bëhet fjalë për shfrytëzimin e pasurive nëntokësore. Në zona të ndryshme të Planetit mungon parimi i ndihmës. Dëgjohet më shumë zëri i shoqërive të mëdha financiare, sesa i njerëzve që vënë në lëvizje ekonominë reale. Më shumë i shoqërive shumëkombëshe, se i lëvizjeve shoqërore.

“Por kështu nuk mund t’i ndihmojmë njerëzit të jenë protagonistë  të fateve të veta. Aq më pak  të mendojmë si mund ta zhdukim virusin: dëgjohen më shumë shoqëritë farmaceutike, se punonjësit e shëndetësisë,  të angazhaur në vijë të parë të frontit në spitalet ose në kampet e refugjatëve. Por kjo nuk është rrugë e drejtë!”.

Si mund të dalim më të mirë nga kriza?

Për të dalë më të mirë nga kriza, parimi i ndihmës duhet të vihet në jetë, duke respektuar autonominë dhe aftësinë e të gjithëve, posaçërisht të të fundmëve. Të gjitha gjymtyrët e trupit janë të nevojshme:

“Në dritën e kësaj figure, mund të themi se parimi i ndihmës i krijon secilit mundësitë të luajë rolin e vet për kujdesin dhe fatin e shoqërisë. Ta vërë në jetë, falë shpresës në një ardhmëri më të  drejtë; e këtë ardhmëri e ndërtojmë së bashku, duke dëshiruar gjëra më të mëdha e duke i zgjeruar horizontet tona e idealet tona”.

Solidaritet e susiedaritet

Solidaritet e susidiaritet - propozon Papa - nëse duam të dalim më të mirë nga kriza e pandemisë Solidariteti ka nevojë për ndihmën. Nuk ka solidaritet të vërtetë, pa pjesëmarrje shoqërore, pa kontributin  e forcave të ndërmjetme, si familjet, shoqatat, koorporatat, ndërmarrjet e vogla, shoqëria civile. Kjo pjesëmarrje ndihmon për të korrigjuar ca aspekte negative të globalizimit e të veprimtarisë së shteteve, siç ndodh edhe në kujdesin për njerëzit e prekur nga pandemia. Këto ndihmesa nga poshtë duhen nxitur.

Duatrokitje, kujt jep jetën, për jetën

Gjatë lockdown lindi vetvetiu gjesti i duartrokitjes për mjekët e infermierët, si shenjë  inkurajimi e shprese - kujtoi Papa - gjest që na kërkon ta duartrokasim çdo forcë shoqërore, çdo kontribut  të çmuar, sado i vogël  qoftë. T’i duartokasim artizanët, fëmijët, njerëzit me kufizime, të gjithë ata, që vihen në shërbim të të tjerëve!

Të mos ndalemi vetëm tek duartrokitja

Por, të mos ndalohemi vetëm tek duartrokitja. Shpresa është guximtare! E atëhere ta inkurajojmë njëri-tjetrin, të ëndrrojmë punë të mëdha, në kërkim të idealit të drejtësisë e të dashurisë shoqërore, që lindin nga shpresa. Pa bërë prova për ta rindërtuar të shkuarën, posaçërisht atë, që ishte, prej kohe, e padrejtë dhe e sëmurë!

Papa e përfundoi audiencën me thirrjen:

“Të ndërtojmë një ardhmëri, në të cilën përmasa lokale e ajo globale  pasurojnë njëra-tjetrën, ku bukuria e pasuria e grupeve të vogla mund të lulëzojë e ku, ai që ka më shumë, të angazhohet për të shërbyer e për të dhënë më shumë, se ai që ka më pak!”.

23 shtator 2020, 12:02