Kërko

Vatican News
 Audienca e përgjithshme në Oborrin e Shën Damasit, në Vatikan Audienca e përgjithshme në Oborrin e Shën Damasit, në Vatikan  (ANSA)

Papa: më në fund sy për sy, jo ekran për ekran

Rikthehen besimtarët në audiencën e përgjithshme. Tani për tani, në Oborrin e Shën Damasit. Më pas, kur të kalojë stuhia e sëmundjes që po trondit mbarë botën, do të mblidhen përsëri në Shesh. Do të jetë ditë e madhe! Ditë, kur Papa shpreson se do të kthehemi në jetë e se do rikthehemi më të mirë!

R. SH. - Vatikan

Pas kaq muajsh, po e rifillojmë takimin tonë sy për sy, jo ekran për ekran: e kjo është e bukur: Papa i përshëndeti kështu njerëzit që “dolën nga ekrani”, për t’u rikthyer në Shesh, në një Shesh jo aq të madh, sa ai i Shën Pjetrit, por jo më pak të bukur e simbolik. Mjafton të kujtojmë se mbi kalldrëmin e tij kanë shkelur këmbët e njerëzve më të shquar të botës, presidentë, politikanë, shkencëtarë, artistë… që vijnë këtu të takohen me Papën, për të folur për fatet e botës e të secilit prej nesh… E mbi gjurmët e tyre, tani shkelin këmbët e besimtarëve të thjeshtë nga anë e anës, që arrijnë shpesh shpresëhumbur, e rikthehen në viset e tyre, sot të pushtuara nga frika për jetën, plot me shpresë. Me ta u takua Papa në dy audiencat e fundme, pas gjashtë muajsh, që e detyruan t’u drejtohet besimtarëve në streaming, “i ndrymë në kafaz” - domethënë, në Bibliotekën e tij në Vatikan, siç e kujton ai vetë. Ai - që është mësuar t’i takojë njerëzit një për një, t’i përqafojë, t’i dëgjojë, të japë - e të marrë shpresë. Në pritje të Papës, besimtarët sodisin, të mrekulluar zemrën e Pallatit Apostolik: Lozhet e Raffaellos-s, Bibliotekën e Papës, Sekretarinë e Shtetit…. E, kur Françesku duket pa maskë në mes të besimtarëve, por pa iu afruar shumë, për të respektuar normat, sheshi, zakonisht i zhytur në heshtim, tundet nga duartrokitjet!

Pastaj, edhe nga fjala e Françeskut, që në  katekizmin e audiencës së përgjithshme të së mërkurës së kaluar, u kujtoi besimtarëve se…:

“Dashuria nuk kufizohet në marrëdhëniet ndërmjet dy a tre njerëzve, që mund të jenë miq a familjarë. Përfshin edhe marrëdhëniet qytetare e politike e, natyrisht, marrëdhëniet me natyrën. Me që jemi qenie shoqërore e politike, një nga shprehjet më të larta të dashurisë është pikërisht ajo shoqërore e politike, vendimtare për zhvillimin njerëzor e përballimin e çdo tipi krize”.

E dimë se dashuria i mbush me fryte familjet e miqësitë; por duhet kujtuar mirë se fekondon edhe marrëdhëniet shoqërore e politike, duke u krijuar mundësinë të ndërtojnë “qytetërimin e dashurisë”. E kur mungon kjo frymë,  mbizotëron kultura e egoizmit, e indiferencës, e hedhurinës:

“Koronavirusi na tregon se e mira e vërtetë për secilin prej nesh është pasuria e përbashkët… E shëndeti, përveçse pasuri vetjake, është edhe pasuri publike. Shoqëri e shëndetshme mund të quhet vetëm ajo, që kujdeset për shëndetin e të gjithëve”.

 Përgjigjja e krishterë, pandemisë

 Është koha të frymëzohemi të gjithë nga dashuria për shoqërinë dhe të japim ndihmesën, duke nisur nga vogëlsia jonë – vijoi t’u kujtojë Papa besimtarëve… Kështu në gjestet tona, edhe në ato më të përvuajturat, do të bëhet e  dukshme diçka nga  fytyra  e Zotit, që e kemi brenda nesh, sepse Zoti është Trini Dashurie. Me ndihmën  e tij mund ta shërojmë botën duke punuar të gjithë së bashku për të mirën e përgjithshme!

Nuk duhet ndërtuar mbi rërë! Për të ngritur një shoqëri të shëndetshme, përfshirëse e paqësore, duhet të ndërtojmë mbi shkëmbin e së mirës së përbashkët! E të përpiqemi për të mirën e përgjithshme, parë si mënyrë ‘për ta marrë e për ta përhapur lavdinë e Zotit’, siç vijon të na e kujtojë Shën Injaci i Lojolës.  E kjo detyrë i takon çdo qytetari!”.

Fjalë, që mbeten në kujtesë të besimtarëve, njëheresh me veçantinë e këtij takimi në atë Oborr ku shkelën, kujtimin e të cilit do ta marrin me vete në kthim ndër vendet e tyre, shpesh shumë të largëta…

11 shtator 2020, 12:36