Kërko

Françesku ligjvënësve: të vlerësohet jeta njerëzore

Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, si zakonisht pas katekizmit të audiencës së përgjithshme, Françesku theksoi edhe një herë rëndësinë e mbrojtjes së jetës, nga zënia në fundin e saj të natyrshëm. Më pas mendimi i shkoi tek shtegtimi apostolik, pesë vjet më parë, në tokën e dashur kubane.

R. SH. - Vatikan

Menjëherë pas paraqitjes së “Samaritanus bonus”, Letër e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, miratuar nga Papa, që e dënon përsëri çdo formë të eutanazisë e të vetëvrasjes, ndërsa kërkon mbështetjen e nevojshme të familjeve të veprimtarëve shëndetësorë, Françesku u rikthye tek mbrojtja e jetës.

Thirrje ligjvënësve

Rasti ishte prania e besimtarëve polakë, që sollën me vete edhe kumbonën. U realizua nga Fondacioni “Po, Jetës!” e quhet “Zëri i të Palinduirve”. Prej këtij tingëllimi, që do të lëshojë kumbona e mori shtytjen Papa, për t’ua drejtuar thirrjen ligjvënësve:

“Ajo do të shoqërojë ngjarjet, që rikujtojnë vlerën e jetës njerëzore, nga zënia - deri në vdekjen natyrore. Uroj që zëri i saj të rizgjojë ndërgjegjet e ligjvënësve  dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë në Poloni e në botë. Zoti, i vetmi Dhurues i vërtetë i jetës, ju bekoftë ju e familjet tuaja”.

Afërsi me popullin kuban

Ndërsa, duke përshëndetur besimtarët e gjuhës spanjolle, Papa u kthye me kujtime në 19 shatorin e vitit 2015, kur, nga Kuba (i treti Papë që shkelte në këto toka), niste shtegtimin e tij të gjatë apostolik drejt Washingtonit e New Yorkut, deri më 25 shtator, e së fundi, edhe në Philadelphia, për përqafimin e madh me familjet e mbledhura me rastin e takimit të tyre VIII botëror:

“Këto ditë është përvjetori i pestë i shtegtimit tim apostolik në Kubë. Përshëndes vëllezërit e mi ipeshkvij dhe të gjithë bijtë e bijat e kësaj toke  të dashur. Ju siguroj afërsinë time e lutjen time. I lutem Zotit që, me ndërmjetësimin e Zojës së Dashurisë të Kobres, t’i çlirojë  e t’i ndihmojë në këto çaste të vështira që po kalojnë për shkak të pandemisë”.

Ishulli i Kubës e Covid

Vetëm pak ditë më parë, ipeshkvijtë i patën përshpejtuar fjalët e Papës, duke kujtuar, në një Letër, me mirënjohje e përgjegjësi baritore, përvojën e atyre ditëve hiri: “Mëshira, që na la me vizitën e tij - shkrujanë -  vijon të jetë frymëzim, që i jep misionit tonë frymë ungjillore”. Me këtë rast ipeshkvijtë kujtojnë edhe situatën e Covid-19 në ishull, zgjatjen e pandemisë dhe vështirësitë e njerëzve për të siguruar gjërat më të nevojshme për jetën. Deri më sot në Kubë numërohen rreth 120 të vdekur e më se 5000 të infektuar.

23 shtator 2020, 11:58