Kërko

2020.08.12 Udienza Generale 2020.08.12 Udienza Generale 

Papa: jemi pjesë e rrjetit tё jetës, jo pronarë

Papa Françesku: “Sot zëri i krijimit na nxit, i alarmuar, të kthehemi në vendin e duhur sipas rendit natyror, duke kujtuar se jemi pjesë, jo pronarë, jo zotërues, të rrjetit të ndërlidhur të jetës”. #KohaEKrijimit.

R.SH. - Vatikan

Sot zëri i krijimit na nxit, i alarmuar, të kthehemi në vendin e duhur sipas rendit natyror, duke kujtuar se jemi pjesë, jo pronarë, jo zotërues, të rrjetit të ndërlidhur të jetës”. #KohaEKrijimit.

Kёshtu pohon nё një tweet, sot 3 shtator 2020, Papa Françesku, duke na kujtuar periudhën e përvitshme tё lutjes për kujdesin ndaj Krijimit, që filloi mё 1 shtator e përfundon me 4 tetor, në festën e Shën Françeskut tё Asizit.

Dhurata e jetës dhe e Gjithësisë vijnë nga dashuria e Zotit

“Të jeni burra e gra, të rinj e të reja, mbrojtës të jetës, rojtarë të gjithësisë, dëshmitarë të dashurisë së dhuruar, që sjell fryte të mira për bashkësinë”: kështu tha Papa Françesku në audiencë, më 2 tetor 2017, në Vatikan, me Institutin Italian të Donacionit, me rastin e Ditës së Donacionit, që kremtohet më 4 tetor. Dhurata më e madhe që Zoti i ka bërë secilit prej nesh, nënvizoi Ati i Shenjtë, është jeta; e jeta bën pjesë në një dhuratë tjetër hyjnore në zanafillë, që është gjithësia.

“Të gjithë duhet ta ndjejmë përgjegjësinë e madhe për ta ruajtur si duhet gjithësinë e për t’u kujdesur për të, duke e mbrojtur nga format e ndryshme të dëmtimit e prishjes. E kemi për detyrë ta ruajmë e t’ua dorëzojmë të plotë brezave të ardhshëm planetin, të cilin e kemi marrë si dhuratë falas nga mirësia e Zotit”. “Dhurata e jetës dhe dhurata e gjithësisë – kujtoi Papa Françesku – vijnë nga dashuria e Zotit për njerëzimin; madje, përmes këtyre dhuratave, Zoti na e ofron këtë dashuri. E në masën me të cilën e mirëpresim, mund të bëhemi edhe ne, dhuratë dashurie për vëllezërit”.

Ta shikojmë gjithçka me sytë e Zotit

Nuk duhet të jemi të krishterë pa kripë. Jeta jonë duhet të ketë gjithnjë më shumë shijen e Ungjillit, erëmirën e Jezu Krishtit, për t’ua komunikuar të tjerëve ëmbëlsinë dhe dashurinë e Zotit. Është thirrja e Papës drejtuar besimtarëve, të mbledhur në audiencën e përgjithshme tё 9 prillit 2014, nё Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Ati i Shenjtë Bergoglio duke folur mbi dhuratat e Shpirtit Shenjt, u ndalua te urtia e kërkoi:

“Ta shikojmë botën, t’i shikojmë situatat, rrethanat, problemet, gjithçka, me sytë e Hyjit. Kjo është urtia. Disa herë ne i shikojmë gjërat sipas dëshirës sonë ose sipas gjendjes së zemrës sonë, me dashuri, me mllef, me zili… Jo, ky nuk është syri i Zotit. Urti është ajo, që bën Shpirti Shenjt në shpirtin tonë, për të mundur, kështu, t’i shohim të gjitha gjërat me syrin e Zotit”.

03 shtator 2020, 13:33