Kërko

Vatican News

Françesku: të rinjtë kanë të drejtën e shkollimit, pavarësisht nga luftërat

Duhet t’u sigurohet fëmijëve e të rinjve mundësia për t’u shkolluar edhe në vendet ku ka dhunë e terrorizëm. E kërkoi Papa në përfundim të audiencës së përgjithshme, duke kujtuar temën e Ditës së sotme ndërkombëtare të OKB-së për mbrojtjen e edukimit nga sulmet në rrethana konflikti.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të audiencës, pas përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Papa kujtoi se sot kremtohet Dita e parë ndërkombëtare e mbrojtjes së ambienteve të edukimit nga sulmet, në rastet e konflikteve të armatosura dhe bëri thirrje t’u garantohet fëmijëve dhe të rinjve  edukimi e arsimimi për të cilin kanë shumë nevojë që të rriten.

Prej këndej  ftoi për lutje e mbrojtje:

“Ftoj të luteni për studentët, që privohen rëndë nga e drejta e edukimit, për shkak të luftërave dhe të terrorizmit. E nxis bashkësinë ndërkombëtare të përpiqet të respektohen ndërtesat, që do të duhej t’i mbronin të rinjtë studentë. Uroj të mos mungojë përpjekja për t’u garantar ambiente të sigurta për formimin e tyre, posaçërisht në situata emergjence humanitare”.  

Edicioni i parë i Ditës

Kjo Ditë, themeluar me nismën e OKB-së, e nisi kremtimin me një dënim nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të sulmeve kundër arsimimit dhe përdorimit të shkollave për nevoja ushtarake, duke shkelur kështu, të drejtën ndërkombëtare. Po japim vetëm një shembull: në të  gjithë Sahelin, miliona njerëz ikin, të ndjekur nga grupet e armatosura që vitin e kaluar sulmuan pa dallim si civilët, ashtu edhe institucionet shtetërore, duke përfshirë edhe shkollat. Në përfundim të vitit 2019, më se 3.300 shkolla u mbyllën në zona të ndryshme, duke lënë pa mësim 650 mijë fëmijë e më se 16 mijë mësues. Sipas Unicef, ndërmjet prillit 2017 e dhjetorit 2019 numri i shkollave të mbyllura për shkak të dhunës në Burkina Faso, Mali e Niger u rrit gjashtë herë. E kjo, sepse nuk po merren parasysh as nuk po mbrohen të drejtat e të miturve dhe të rinjve, duke iu kundërvënë, kështu, së drejtës humanitare dhe katër Konventave të Gjenevës, si dhe një numri të madh deklaratash, kartash e protokollesh. E fëmijët mbeten viktimat e para të dhunës e të luftërave, që akoma sot trindisin rëndë një mori vendesh të botës.

09 shtator 2020, 12:14