Kërko

Vatican News
 Dorë për dorë: mjeku e i sëmuri! Dorë për dorë: mjeku e i sëmuri!  (©Robert Kneschke - stock.adobe.com)

Françesku: njeriu i sëmurë është shumë më i rëndësishëm se protokolli klinik

Gjatë takimit me pjesëmarrësit në Mitingun vjetor Ndërkombëtar Gynecologic Cancer Society, Papa u shprehu afërsinë dhe mbështetjen shoqatave, që japin ndihmesë reciproke për të përballuar mjekimin e gjithanshëm, edhe në rastet kur është paliativ. Besimi e afërsia - pohoi - janë përmasat që kërkon sëmundja. Përshëndetje, profesorit Roberto Angioli, organizator i nismës

R. SH. - Vatikan

Nisi me një falënderim të Papës, takimi me anëtarët e Gynecologic Cancer Society, mbledhur në Romë për Mitingun e tyre të përvitshëm. Një mundësi - shpjegoi Françesku - për ta njohur e për ta vlerësuar më shumë impenjimin e Shoqatës, në ndihmë të grave, të cilat duhet të përballojnë sëmundje kaq të rënda e të ndërlikuara. Duke shkuar menjëherë në zemrën e mesazhit, Papa nënvizoi vlerën e lidhjeve, që krijohen posaçërisht ndërmjet të sëmurave, të prekura në dhuratën e madhe të amësisë:

“Ju jeni plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë që ka krijimi i marrëdhënieve të solidaritetit me të sëmurët rëndë, duke i përfshirë edhe familjarët e punonjësit e shëndetësisë në ndihmesën reciproke. Kjo bëhet edhe më e çmuar, kur duhen përballuar sëmundje, të cilat mund ta vënë seriozisht në rrezik ose ta cënojnë fertilitetin dhe amësinë”.

Mjekim i gjithanshëm

Në këto situata, që ndikojnë rëndë mbi jetën e gruas - vijoi Françesku   me vërtetësi e me shumë ëmbëlsi -  është i domosdoshëm kujdesi delikat e plot respekt, për gjendjen psikologjike, relacionale e shpirtërore të të sëmurave:

“Për këtë arsye, nuk mund të bëj tjetër, veçse të inkurajoj angazhimin tuaj për t’i pasur mirë parasysh këto përmasa të mjekimit të gjithanshëm, edhe në rastet kur është kryesisht paliativ. Në këtë perspektivë, është shumë e nevojshme të aktivizohen njerëz të aftë për të bashkëpunuar gjatë mjekimit e për të ngjallur besim, shpresë, dashuri”.

Të gjithë e dimë - e edhe është dëshmuar - se marrëdhëniet e mira i ndihmojnë shumë të sëmurët gjatë gjithë kohës së mjekimit, duke i mbushur plot me shpresë:

“Sëmundja  e kërkon këtë sjellje vendimtare për njeriun. Kërkon krijimin e e besimit te vëllai a motra e, sidomos, tek Tjetri, me T të madhe, domethënë, tek Ati ynë qiellor. Duke vënë në dukje edhe vlerën e afërsisë, të kujdesit, të ndihmës, siç na mëson Jezusi në shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë”.

Vlera e të sëmurit

I sëmuri nuk është numër, e nuk mund të identifikohet me diagnozën e tij,  sepse është gjithnjë shumë më tepër se protokoll,  brenda të cilit shkruhet këndvështrimi klinik. E këtë e provon fakti se kur i sëmuri shikon se respektohet si njeri, i beson shumë më tepër ekipit mjekësor, që i hap një horizont pozitiv.

Marrëdhëniet, si pjesë e mjekimit

Konkretisht, si mund t’i përgjigjemi kësaj nevoje të madhe brenda organizatës spitalore, të kushtëzuar fuqimisht nga kërkesat e funksionimit? Më lejoni - kërkoi Papa - të shpreh trishtimin  dhe shqetësimin tim lidhur me rrezikun, për fat të keq të përhapur, për ta lënë përmasën njerëzore të mjekimit të njerëzve të sëmurë, në dorë të “vullnetit të mirë”  të një mjeku,  në vend që të konsiderohet - siç edhe është - pjesë përbërëse  e veprimtarisë  së mjekimit, që jepet nga strukturat shëndetësore.

Papa e shikoi si rrezik hyrjen prepotente të ekonomisë në botën e shëndetësisë, gjë që mund t’i cënojë seriozisht aspektet themelore, siç është marrëdhënia me të sëmurët. Ndërsa lavdëroi shoqatat pa qëllim fitimi, që i kanë në qendër të vëmendjes të sëmurët e që i mbështesin kërkesat e tyre të ligjshme, duke u dhënë zë atyre që, për arsye të kushteve personale, ekonomike e shoqërore, nuk janë në gjendje ta ngrenë zërin aq, sa t’u dëgjohet ku duhet e si duhet!

T’i besojmë afërsisë!

Në përfundim Papa uroi të bëhen të njohura në mbarë botën, rezultatet e kërkimeve shkencore në favor të grave, për të cilat kujdesen shoqatat, duke nënvizuar se janë pikërisht këto gra, që na kujtojnë vlerat e jetës, të cilat shpesh edhe i harrojmë:

“Natyra e përkohshme e jetës sonë, nevoja për njëri-tjetrin, ngulmi për të jetuar vetëm me e për vetveten, realiteti i vdekjes, parë si pjesë e jetës - e gjithë kjo lind nevojën për t’i besuar dikujt: një vëllai a një motre, e sidomos Tjetrit, me T të madhe, Atit tonë qiellor. E na kujton edhe vlerën e afërsisë, ashtu si na e mëson Jezusi në shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë”.

11 shtator 2020, 13:56