Kërko

Vatican News

“Eja e shiko”, të komunikojmë, duke takuar njerëzit aty e ashtu si janë

U bë e ditur tema e Ditës së ardhshme Botërore të Komunikimeve Shoqërore. Papa Françesku ka zgjedhur fjalët e Filipit apostull për të na kujtuar se duke njohur jetën e të tjerëve, duke marrë pjesë në të, njeriu arrin të kapë kuptimin e gjërave.

R.SH. - Vatikan

Në një kohë pandemie, me distancën e imponuar nga bllokimi, “me ndryshimin epokal që po përjetojmë”, komunikimi “bën të mundur afërsinë e nevojshme për të njohur çka është thelbësore dhe për të kapur vërtet kuptimin e gjërave”. Shtjellohet rreth këtij koncepti, tema e zgjedhur nga Papa Françesku për Mesazhin e tij në Ditën e 55-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore, e cila do të kremtohet në maj të vitit 2021. Ajo është “Eja e shiko” (Gjn 1,46). Të komunikojmë, duke i takuar njerëzit aty e ashtu si janë”.

Zoti të takon aty ku je

         Fjalët e Filipit apostullit për Natanielin, kur i shpjegonte kush ishte Jezu Krishti, fraza “Eja dhe shiko” para fytyrës plot dyshim të atij, që nuk kishte fort besim tek Mësuesi hyjnor, të kujtojnë se “kumti i krishterë, para sesa me fjalë, përbëhet nga vështrime, dëshmi, përvoja, takime, afërsi. Me një fjalë, nga jeta”. Kështu lexohet në njoftimin për media të Sallës së Shtypit të Vatikanit. Një jetë, që ndërthuret me të vërtetën, e cila lind nga takimi me njerëzit, nga pjesëmarrja në gëzimet dhe hidhërimet e tyre. “Thënia e vjetër që ‘Zoti të takon aty ku je’ – vijon njoftimi - mund të jetë udhërrëfyese për ata, që merren me mediat, ose me komunikimin në Kishë”. Nga thirrja e Jezusit për apostujt mund të shihet “edhe ftesa për t’i përdorur të gjitha mediat, në të gjitha format e tyre, për të shkuar tek njerëzit ashtu siç janë dhe aty ku jetojnë”.

29 shtator 2020, 14:58