Kërko

Vatican News

Argjentinë: Në përqafimin e Nënës sonё Qiellore, Zojёs sё Lujanit

Në këtë moment krize shkakura nga pandemia, na duhet edhe më shumë "përqafimi" i Marisё – Zojёs sё Lujanit për t’i kapërcyer vështirësitë e për të shikuar me shpresë të ardhmen. Me kёto fjalё Papa bashkohet idealisht me besimtarët qё shtegtuan nga 23 deri mё 26 shtator nё Shenjtëroren kombëtare tё Zojёs sё Lujanit, nё El Centenario.

R.SH. - Vatikan

Në këtë moment krize për shkak të pandemisë, na duhet edhe më shumë "përqafimi" i Marisё – Zojёs sё Lujanit për t’i kapërcyer vështirësitë dhe për të shikuar me shpresë të ardhmen. Maria na përqafon dhe na bashkon. Me këto fjalë, përmes një videomesazhi, Papa Françesku u bashkua shpirtërisht me besimtarët qё shtegtuan nga 23 deri mё 26 shtator nё Shenjtëroren kombëtare tё Zojёs sё Lujanit, nё qytetin El Centenario, në krahinën Neuquén, në jugperëndim të Argjentinës. Veprimtaria, e cila u zhvillua në mënyrë virtuale për shkak të pandemisë së koronavirusit, u mbajt nga data 23 deri në 26 shtator.

Kujtojmë se Zoja e  Bekuar e Lujanit, është pajtore qiellore e Argjentinës.  Historia e Zojës së Lujanit tregon se kjo figure e Zojës së Bekuar,  që nderohet pikërisht në Lujan, u soll nga Brazili, e ngarkuar në një qerre me buaj, që duhet ta çonte deri në vendin e caktuar, ndërsa bujatë u ndaluan në vendin, ku sot lartohet shenjtërorja, sepse buajtë nuk deshën ta vijonin rrugën.

"Ndonjëherë e jo vetëm ndonjëherë - tha Papa argjentinas – udhëtimi bëhet i vështirë. E në këtë kohë të pandemisë e tё kërcënimeve të shumta pёr shëndetin, me kaq shumë frikë, me kaq shumë nevoja, rrugëtimi është edhe më i vështirë". Për këtë, shtoi  Ati i Shenjtё Bergolgio, "na duhet Nëna qё na përqafon". Fjalë këto që jehojnë edhe si një moto shtegtimi, qё i drejtohen Zojёs sё Bekuar duke i thёnë "Nënë, na përqafo, ne duam të vazhdojmë të ecim pёrpara".

Papa Françesku kujtoi pastaj disa dëshmi: "Një grua më tha se një nga detyrat e një nëne është t’i bashkojё fëmijët e saj. E një tjetër, të cilёn e pyeta më parë se cili prej fëmijëve qё ka ёshtё mё i preferuari saj, tha: "Unë kam pesë gishta në dorë, e nëse mё bëjnë keq nё njërit pre tyre, mё dhëmbin tё gjithё njësoj”. Të gjithë janë të ndryshëm, por qё të gjithë janë njësoj". Po kёshtu bën edhe  Zoja Bekuar me ne, vazhdoi Papa - Jemi të gjithë të ndryshëm, por Ajo është Nënё dhe na përqafon të gjithëve".

Të lutemi, që “Shpirti Shenjt të na japë dhuratën e këshillës, t’i lutemi Nёnёs sonё Qiellore – Zojёs sё Lujanit, sepse lutja përbën një thesar për gjithë bashkësinë e krishterë. E, si të donte ta vërtetonte këtë, Papa rrëfen një ngjarje, që i pati ndodhur atij vetë vite më parë, kur vizitonte Shenjtëroren e Zojës së Lujanit. Një djalosh i tregoi, në rrëfim, se kishte pasur një problem të madh për të zgjidhur e edhe se kishte arritur ta zgjidhte, duke kërkuar këshillën e së ëmës. “Ja, një grua, që kishte dhuratën e këshillës. Nuk e dinte si zgjidhej problemi i të birit, por dinte cila ishte rruga më e drejtë, për ta zgjidhur atë: ‘Shko tek Zoja e Bekuar e ajo do të të tregojë sesi’, e këshilloi. Kjo grua e përvuajtur, e thjeshtë, i dha të birit këshillën më të vërtetë, më të frytshme. E i biri i kësaj nëne, vijoi të më tregonte: ‘Pashë Zojën e Bekuar dhe ndjeva në shpirt se duhet të bëja këtë e këtë e këtë…’ . Unë s’pata nevojë të flas fare, e kishin thënë gjithçka e ëma e ai vetë. Kjo është dhurata e këshillës. Ju, nëna, që e keni këtë dhuratë, lypeni për bijtë tuaj. Dhurata për t’u dhënë këshilla bijve, është dhuratë e Hyjit”.

"Ju shoqëroj prej këtu, përfundoi Papa, para se t’u jepte bekimin e tij apostolik, bashkohem me shtegtimin, lutem  pёr ju dhe ju kërkoj të mos harroni të luteni pёr mua".

Po kujtojmë se shtegtimi pёr nder tё Zojёs sё Bekuar tё Lujanit përfundoi dje, të dielën mё 27 shtator, me kremtimin e një Meshe solemne të kryesuar nga Imzot Fernando Croxatto, ipeshkёv i Neuquén, transmetuar drejtpërdrejt në Facebook në faqen e Kishës dioqezane.

28 shtator 2020, 12:00