Kërko

Vatican News

Veprimtaria javore e Papës dhe e Kishës Katolike

Nga audienca e përgjithshme e Papës Françesku tek shtegtimi i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin në Lourdes e tek ndihma e Rrethit të Shën Pjetrit për të varfërit e Romës: një javë me Atin e Shenjtë e me veprimtaritë e Kishës nëpër botë.

R.SH. - Vatikan

Nga veprimtaria javore kujtojmë së pari audiencen e përgjithshme të së mërkurës së kaluar gjatë së cilë Papa denoncoi një “botëkuptim të shtrembëruar mbi njeriun”, një këndvështrim, që nuk e merr parasysh dinjitetin e tij, dhe kërkoi që i afërmi të shihet “si vëlla e jo si i huaj”. Kështu, pra, Papa Françesku, gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, transmetuar në media nga biblioteka e Pallatit Apostolik të Vatikanit. Covid-19, nënvizoi ai në katekizmin e dytë kushtuar pandemisë, “nuk është sëmundja e vetme, që duhet luftuar”. Tema e së mërkurës ishte pikërisht “Shërimi i botës” e Ati i Shenjtë u përqendrua në lidhjen ndërmjet “fesë e dinjitetit njerëzor”. Bota, nënvizoi ai, nuk mund të shërohet e vetme; individualizmi është “patologji shoqërore”, që i kundërvihet harmonisë. “Pandemia – vuri në dukje Papa – nxorri në pah sa të brishtë e të ndërlidhur jemi të gjithë. Nëse nuk kujdesemi për njëri-tjetrin, duke filluar nga më të prekurit, përfshirë Gjithësinë e krijuar nga Zoti, nuk mund ta shërojmë botën”. Nuk duhet të jemi as indiferentë, as individualistë: ky mesazhi i Françeskut.

Përfundoi sot shtegtimi vjetor francez në Shenjtëroren e Zojë së Bekuar të Lurdës. Ky edicion i 147-të, me temë “Të shkojmë në gurrën e Dashurisë”, u zhvillua në formë të reduktuar, me pak shtegtarë, për shkak të masave kundër koronavirusit. Në të mori pjesë edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i cili kremtoi meshën e djeshme, në solemnitetin e Zojës së Madhe.

 Një delegacion realitivisht i vogël përfaqësoi besimtarët, të sëmurët dhe pacientët spitalorë, që nuk mundën të merrnin pjesë. Pati për detyrë edhe t’u shërbente njerëzve të pranishëm këtë vit në shenjtërore. Pavarësisht se koronavirusi arriti të kufizonte numrin e të pranishmëve, në krahasim me turpat oqeanike të viteve të kaluara, nuk mundi të ndryshojë edhe programin. Kremtimet, Rruzaret, procesionet, dëshmitë, bisedat për Biblën, takimet shoqërore e shpirtërore, mbrëmësoret, lutjet në Shpellën e Masabielës dhe koncertet ndoqën njëri-tjetrin gjatë gjithë këtyre ditëve e ngjarjet u transmetuan në internet e në media të tjera.

Një urë ajrore humanitare e Bashkimit Evropian filloi të funksionojë që nga e enjtja me Libanin, duke çuar në Bejrut më se 17 ton me ilaçe dhe pajisje mjekësore. Këto materiale, shpjegon një notë e Brukselit, do të garantojnë ndihmën shëndetësore për më të prekurit pas shpërthimit në portin e kryeqytetit, si edhe për të sëmurët me koronavirus. Menjëherë pas shpërthimeve të 4 gushtit, Papa Françesku dhe Patriarku i Antiokisë së Maronitëve, Bechara Rai, i bënë thirrje gjithë botës të mos e braktisë Libanin. Ndihma e javës së kaluar u shtohet ndihmave të tjera evropiane, pas shpërthimeve të Bejrutit, me një numër të jashtëzakonshëm viktimash e të plagosurish, të papërballueshëm për sistemin shëndetësor të Libanit, i ngopur, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Pas shpërthimeve, 19 vende ofruan shërbime të specializuara kërkim-shpëtimi, ekipe vlerësimi kimik dhe skuadra e pajisje mjekësore, përveç ndihmave të tjera, dërguar në vend përmes mekanizmit të BE-së për mbrojtjen civile.

Rrethi i Shën Pjetrit, krahu operativ i solidaritetit të Papës që prej 150 vitesh, vazhdon të sigurojë ndihma për të varfërit edhe gjatë verës, ashtu siç bëri edhe gjatë muajve të mbylljes për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në një intervistë për gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, Niccolo Sacchetti, prej gjashtë muajsh kryetar i shoqatës historike të laikëve, që kujdeset për nevojtarët e Romës që nga viti 1869, shpjegon impenjimin e këtij viti.

Vullnetarët e Rrethit të Shën Pjetrit, thekson ai, administrojnë struktura për të pastrehët dhe mencat, që shpesh quhen “buka e Papës”. Nëse gjatë muajve të mbylljes, disa prej veprimtarive u pakësuan, tani ato janë hapur të gjitha, si Kuzhina ekonomike në via della Lungaretta, Shtëpitë-familje e tani, edhe Komisioni i veshjeve. Falë disa donacioneve të javëve të fundit, nënvizon Sacchetti, mund t’u japim të varfërve veshje krejt të reja.

16 gusht 2020, 08:36