Kërko

Vatican News
Gjon Pali I: Papa i buzëqeshjes Gjon Pali I: Papa i buzëqeshjes  

Vatikan: përvjetori i zgjedhjes së Papës Luçiani në Katedrën e Shën Pjetrit

Sot përkujtohet 42 vjetori i zgjedhjes së Albino Lucianit, Gjon Palit I, në Katedrën e Shën Pjetrit, i Papës që, me përvujtërinë dhe thjeshtësinë e tij fitoi admirimin e botës.

R. SH. - Vatikan

Mbi Sheshin e Shën Pjetrit binte ngadalë muzgu kur, nga oxhaku sipër Kapelës Sikstine nisi të dalë tymi i bardhë. E menjëherë pas, kumbona e madhe e Bazilikës mbushi Sheshin me tingëllimin e saj festiv,  e nga lozha qendrore, kardinali Pericle Felici dha lajmin e gëzueshëm: “Habemus Papam!”. Kishin kaluar njëzet ditë nga vdekja e Palit VI e, në Kapelën Sikstine ishin, njëri pranë tjetrit, katër papët e ardhshëm: kardinali Luciani, Wojtyla, Ratzinger e Bergoglio.

U quajt Gjon Pali I

Papa i ri zgjodhi një emër të dyfishtë,  të dy paraardhësve, Gjonit XXIII e Palit VI, njoftim që do ta jepte ai vetë nga lozha qendrore e Bazilikës gjatë lutjes së parë të Engjëllit të Tënzot.

Por atë 26 gusht 1978 - vit i tre papëve -  i sapozgjedhuri nuk i  besonte ende vetes: ishte ora 19 e 18 minuta. Në fytyrën e tij lexohej habia! Shikimi i ngulur tek turma, kërkonte ta vërtetonte atë, që sapo kishte ndodhur: ishte Papë!

Kishte shkuar në Sikstinë “qetë-qetë” - do të thoshte më pas në Lutjen e Engjëllit, duke pohuar: “as përfytyruar nuk e kisha atë, që po ndodhte”. Humilitas – përvujtëri – ishte motoja, që kishte zgjedhur Patriarku i Venedikut, e kjo fjalë do të përshkonte gjithë papninë e tij të shkurtër: vetëm 33 ditë, kohë për një buzëqeshje, do ta titullonte pas vdekjes së tij, gazeta pariziane “Le Monde”.

U kuptua menjëherë se Papnia e tij do ishte një mënyrë e re për t’i prirë Kishës: thirri pranë një ministrant maltez, James, që të fliste për urdhërimin “ndero nënën e babain tënd!”.

Në audiencën  e dytë të përgjithshme, më 13 shtator, doli për herë të parë nga Vatikani, për të marrë në dorëzim katedralen e Romës, u takua me kryebashkiakun Giulio Carlo Argan e iu përgjigj përshëndetjes së tij me një lutje, të cilën e thoshte kur ishte fëmijë: “Mëkatet që kërkojnë gjyq para Zotit janë: ‘shtypja e të varfërve e grabitja e pagës së punëtorit’. Ishte padyshim, përgjigje krejt e pazakontë, por tepër e fuqishme, për atë që derdh djersë e e shikon sesi i grabitet!

Luciani ishte i tillë, i përvujtë e i thjeshtë.

E me këto cilësi do t’i fitonte menjëherë zemrat e romakëve e të botës.

Në lutjen e  fundit të Engjëllit të Tënzot të Papnisë së tij të shkutër, dy ditë para vdekjes, la këtë mesazh, si përgjigje për dy episode, që kishin ndodhur në Romë e për pyetjen “ç’mund të bëjmë për ta përmirësuar jetën e shoqërisë: “Secili nga ne të përpiqet të jetë i mirë e ‘t’i infektojë’ edhe të tjerët  me mirësinë e tij e me dashurinë, që na mëson Jezusi”.

L’ Osservatore Romano kujton trashëgimin e lënë pas nga Gjon Pali I, që ndenji në Katedrën e Shën Pjetrit vetëm 33 ditë, përmes portretit të tij, pikturuar nga kardinali Beniamino Stella, prefekt i Kongregatës për Klerin:

“Gjatë papnisë së tij të shkurtër pamë përparësitë e një pape, që do t’i printe Kishës në udhët  kryesore të treguara nga Koncili:  në ringjitjen tek burimet e Ungjillit, në veprimtarinë e re misionare, në udhën e kolegjialitetit, të shërbimit në varfërinë kishtare, të dialogut me botën bashkëkohore, të thellimit të unitetit me vëllezërit ortodoksë, të dialogut ndërfetar, të kërkimit të  paqes!".

Papa Gjon Pali I ishte e është “pikë referimi në historinë e Kishës universale.

26 gusht 2020, 13:10