Kërko

Vatican News
2020.03.27 Preghiera in Piazza San Pietro con Benedizione Urbi et Orbi  2020.03.27 Preghiera in Piazza San Pietro con Benedizione Urbi et Orbi   (Vatican Media)

Papa: prej Zotit vjen drita dhe e vёrteta

Papa Françesku nё tweet: “Tё lutesh do tё thotё tё lejosh Zotin tё tё shikojë nё brendësi pa shtirje, pa shfajësim, pa justifikim; sepse nga djalli vjen shpifja dhe e pavërteta, nga Zoti vjen drita dhe e vërteta”.

R.SH. - Vatikan

“Tё lutesh do tё thotё tё lejosh Zotin tё tё shikojë nё brendësi pa shtirje, pa shfajësim, pa justifikim; sepse nga djalli vjen shpifja dhe mashtrimi,  nga Zoti vjen drita dhe e vërteta”. Kёshtu pohon Papa Françesku nё tweet-in e parё, sot mё 24 gusht 2020, botuar nё faqen e internetit @Pontifex.

Drita e Zoti shkon te ai, që e mirëpret

“Drita e Zotit nuk shkon tek ai, që shndrit me dritën e vet. Zoti propozohet, nuk imponohet; të shndritë, nuk të verbon!”. Kёshtu pati pohuar Papa Françesku, gjatë homelisë së Meshës sё Dёftimit tё Zotit, kremtuar mё 6 janar 2019, në Bazilikën e Vatikanit, kur mes tjerash tha “tё mos e ngatërrojmë dritën e Zotit, me dritat e botës”, duhet tё kemi kujdes se:

“Është gjithnjë i madh tundimi, që na shtyn ta ngatërrojmë dritën e Zotit me dritat e  botës. Sa herë ndoqëm vezullimet joshëse të pushtetit e të paraskenës, të bindur se po i bënim shërbim të çmuar Ungjillit! Po kështu i kthyem dritat nga ana e gabuar, sepse Zoti nuk ishte aty. Drita e tij e ëmbël shkëlqen në dashurinë e përvuajtur. E sa herë, pastaj, ‘si Kishë, provuam  të shndrisim me dritën tonë!'. Po nuk jemi ne dielli i njerëzimit - theksoi Papa - Jemi hëna që, ndonëse e mbështjellë me errësirën e vet, reflekton dritën e vërtetë, Zotin: Ai është drita e botës. Ai, jo ne!’”.

Drita e Zoti shkon te ai, që e mirëpret. Por duhet të ngrihesh në këmbë,  të zgjohesh nga dremitja e të ecësh dhe pastaj duhet të vishemi me Zotin, që është dritë, çdo ditë,  derisa Jezusi të bëhet petku ynë i përditshëm. E për t’u veshur me Zotin, duhet të zhvishesh nga vetvetja, tha Papa Bergoglio.

Gjithnjё duke folur pёr Dritёn e Zotit, nё homelinё e kremtimit tё Dёftimit tё Zotit, kremtuar nё Vatikan mё 6 janar 2016, Papa Françesku kujtoi se “Kisha nuk ndriçon me dritën e saj, por është në shërbim të dritës së Krishtit. Prej këndej, e ka për detyrë ta bëjë sa më të qartë dëshirën për Zotin, të cilin çdo njeri e ka në shpirtin e vet”.

I krishteri është dëshmitar i dritës së Zotit

Papa, duke komentuar fragmentin e Ungjillit tё Mateut (5:14-15 ), në të cilin Jezusi thotë se drita nuk vjen, që njerëzit ta fshehin poshtë shtratit, por që ta vendosin mbi shandan për të ndriçuar, pohon se "misteri i Zotit është pikërisht drita, e cila nuk duhet mbajtur vetëm për vete: E ky është një nga tiparet e të krishterit, i cili ka marrë dritën e Pagëzimit e duhet ta japë. Pra, i krishteri është dëshmitar. Dëshmia është një nga veçoritë e sjelljes së krishterë. I krishteri që mbart këtë dritë duhet t’i lejojë të tjerët ta shohin, sepse ai është dëshmitar i Jezu Krishtit, i Dritës së Zotit. E duhet ta vendosë dritën në shandanin e jetës së vet”.

Gjithnjë nё Ungjillin e Mateut ( 5,13-16), Jezusi u thotë dishepujve: ‘Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell”. E Ati i Shenjtë Françesku komentoi sërish Fjalimin e Jezusit mbi Mal, nё të cilin Krishti përvijon tiparet e dishepujve, që impenjohen të ndjekin gjurmët e Birit të Zotit. “Ata – pohon Papa - janë kripa e tokës, që i jep asaj shije, e janë drita e botës, për ta shndritur atë. E Jezusi e vë theksin jo në prestigjin, që mund t’u japë kjo dritë, por në çka na bën bij të dritës: veprat e jetës sonë. Kёshtu, Jezu Krishti shpall se dishepulli i Tij shndrit vetëm nëse vepron për lavdi të Hyjit.

Në qendër të jetës së besimtarit është vetëm Zoti: asnjë protagonizëm për të krishterët, asnjë përpjekje për të pasur nderime e bujë. Veprat e tyre, nëse kryhen për dashuri, e shndrisin botën, por nuk i bëjnë hije dritës hyjnore, që shndrit çdo njeri. Pra, e gjithë kjo është për të lëvduar Hyjin. Jeta e të krishterit është e tillë.

24 gusht 2020, 11:04