Kërko

 Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot 

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: ta çojmë historinë tonë tek këmbët e Zotit

Të nesërmen e Solemnitetit të të Ngjiturit të Zojës në Qiell, Françesku u duk përsëri në dritaren mbi Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e Engjëllit të Tënzot. Gjatë saj, ftoi për të mësuar nga lutja e gruas kananease, në Ungjillin e kësaj të diele, një pagane, që tregon se e ka ndjerë thellë mirësinë e Zotit.

Pas lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot, kushtuar të Ngjiturit të Zojës në Qiell, në solemnitetin e Saj, sot, e dielë, Françesku u takua përsëri me turmën e besimtarëve e të turistëve, që nuk ikin kurrë nga Roma, pa e parë e pa e dëgjuar Papën nga Sheshi i Shën Pjetrit. Ishin mbledhur, si dje, nën diellin e zjarrtë të pikës së gushtit, me sytë drejtuar nga dritarja e Engjëllit. E në këtë takim të ri, Françesku u komentoi një nga fragmentet më domethënëse të Ungjillit sipas Mateut (Mt 15-21-28). Atë, ku flitet për takimin e Krishtit me një grua kananease. E ku Krishti shqipton frazën lapidare, me vlerë për të gjitha kohët: “E madhe është feja jote!”. Feja e madhe, që të shpëton. Gjithnjë.

Takimi i Krishtit me kananeasen

Lutjen e  Engjëllit të Tënzot të kësaj së dieleje, Papa e nisi pikërisht duke shfletuar këtë faqe ungjillore e duke  folur për takimin e Jezusit me gruan kananease. Jezusi ndodhej në veri të Galilesë - kujtoi Françesku -  në troje të huaja, për të ndenjur me dishepujt e tij, pakëz larg turmave, që i shkonin  pas gjithnjë më shumë. E ja se i afrohet një grua dhe i lutet e i përgjërohet për bijën e saj të sëmurë. “Mëshirë, o Zot” - bërtiste sa i hante zëri gruaja e dëshpëruar! Ishte britmë e dalë nga fundi i shpirtit të një nëne, që e shikonte të bijën të mbërthyer në kthetrat e së keqes. Jezusi në fillim nuk ia vë veshin, po nëna nuk i ndahet. E ndjek pas me ngulm. Edhe kur Mësuesi u thotë dishepujve se misioni i tij u drejtohet vetëm “deleve të shtëpisë së Izraelit”. Ajo ngulmon. Vijon t’i lutet, e Ai, në atë çast, për ta vënë provë, i kujton një  fjalë të urtë, që thotë: “Nuk është mirë ta heqësh bukën nga goja e fëmijëve, e t’ua hedhësh klyshëve të qenit” (v 26).  Po gruaja përgjigjet menjëherë: “Është e vërtetë, o Zot, por edhe klyshtë hanë dromcat, që bien nga sofra e zotërinjve të tyre”:

“Secili nga ne e ka historinë e vet e jo gjithnjë është histori “for exsport’, jo gjithnjë është histori e pastër. Shpesh është e vështirë, me shumë dhimbje, shumë trazira, shumë mëkate. Ç’të bëj unë i varfri, me historinë time? Ta fsheh? Jo! Duhet ta çojmë para Zotit. ‘Zot, nëse ti dëshiron, mund të më shërosh’”.

Përtej frikës

Me këto fjalë nëna kananease tregon se e kishte ndjerë që mirësia e Të Tejetlartit Zot, e pranishme në Jezusin, u përket të gjitha krijesave. Kjo urti, përplot edhe me besim, e prek thellë zemrën e Mësuesit. E nuk mund t’i përmbajë më fjalët, ngarkuar me admirim: “Grua, e madhe është feja jote! U bëftë ashtu si dëshiron!”.

Kujtoi më tej Françesku:

“Këtë na e mëson kjo grua, kjo nënë e mirë: guximin për ta çuar historinë tonë të dhimbjes para Zotit, para Krishtit; për të prekur dhembshurinë e Zotit, dhembshurinë e Jezusit”.

Cila fe është e madhe?

Fe e madhe është ajo, që mbart me vete historinë vetjake, të ngarkuar me plagë, dhe e vë tek këmbët e Zotit, duke i kërkuar ta shërojë, t’i japë kuptim. Gruaja nuk ka asnjë dyshim. Është e sigurt se Zoti nuk e do vdekjen e krijesës së vet. E Mateu ungjilltar e përfundon rrëfimin e tij  me fjalët: “Që nga ai çast, e bija e saj u shërua!”.

Zoti, gruaja kananease e ne

Kjo shpresë lind edhe në zemrën tonë - kujtoi Papa në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot – sot .

“Të shkojmë te Jezusi, të trokasim në zemër të Jezusit e t’i themi: ‘Zot, nëse ti do, mund të më shërosh!’. E ne mund ta bëjmë këtë  nëse e kemi gjithnjë me vete fytyrën e Jezusit, nëse e kuptojmë si është zemra e Krishtit: zemër plot me mëshirë,  që merr mbi vete dhimbjet tona, mëkatet tona, gabimet tona, dështimet tona”.

Nëse paraqitemi para Zotit me varfërinë tonë, me jetën tonë të ngarkuar me lot e lemeri, por me besimin e patundur të gruas kananease,  atëhere Zoti nuk mund të mos e pranojë me sy e zemër ati, lutjen tonë”.

Mëshira e Zotit nuk njeh kufij

Përballë kësaj skene - kujtoi Papa në vijim të komentit të Ungjillit - dishepujt e Jezusit e kuptuan se, pavarësisht nga kufizimet, që Ai kishte vënë në ungjillëzimin e Tij, shëlbimi i Zotit po përhapej përtej kufijve të Izraelit e mund t’i përkiste çdo njeriu.

Kushti kryesor për t’u shëlbuar ishte një i vetëm: të besosh në pushtetin e Shëlbuesit hyjnor e të  shpresosh, pa asnjë ngurrim, në mirësinë e Tij plot mëshirë:

“Edhe sot - kujtoi Papa në lutjen e Engjëllit të së dielës - Jezusi na lë të kuptojmë se për një fe të përvuajtur e të pakushtëzuar, nuk ka e as nuk mund të ketë asnjë pengesë. Zoti dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtojnë e ta njohin të vërtetën” (krh 1Tm 2,4).

 Në përfundim, porosia:

“Mbajeni gjithnjë me vete Ungjillin: në çantë, në xhep e edhe në celular, për ta parë. Zoti na ndihmoftë të gjithë ta themi këtë lutje të bukur, që na e mësoi gruaja pagane”.

Në përfundim, si zakonisht, lutja drejtuar Zojës:

 “Virgjëra Mari ndërmjetësoftë, me lutjen e saj, që në shpirtin e çdo të pagëzuari  të rritet feja dhe dëshira për ta komunikuar me dëshminë e një jete të paluhatshme e që Zoti të duhet e të lavdërohet nga të gjithë për veprat e Tij të mëshirës e të shëlbimit”.

16 gusht 2020, 13:33