Kërko

Papa kujton plagët e pandemisë dhe fton t’i lartojmë sytë drejt Jezusit

Me rifillimin e audiencave pas ndërprerjes verore, Papa nisi një cikël të ri katekizmi, përqendruar tek pandemia. “Duhet t’i mbajmë sytë ngulur fort te Krishti - pohoi - e me këtë fe, të jetojmë me shpresën e Mbretërisë së Zotit, që na e sjell Jezusi.

R. SH. - Vatikan

Vijon shqetësimi i Papës përballë pasojave të pandemisë - që vijon të hapë plagë të thella, duke treguar fytyrën e vërtetë të ligështisë njerëzore. E njerëzimi nuk pushon s’e pyeturi veten: “Si mund t’i shërojmë sëmundjet tona fizike, morale, shoqërore?”. Kësaj pyetjeje nisi t’i japë përgjgjigje katekizmi i parë i Papës, që i rifilloi audiencat e përgjithshme, ndërprerë gjatë korrikut, kohë pushimesh verore, duke kujtuar, së pari, me dhimbje, të vdekurit e të sëmurët. Për të vijuar, më pas, me njerëzit dhe familjet,  të cilat po jetojnë një kohë të ngarkuar me pasiguri, për shkak të problemeve shoqërore dhe ekonomike, që i godasin më shumë të varfërit.

E menjëherë pas, ftesa:

“Prandaj duhet t’i mbajmë sytë të ngulur fort mbi Jezusin e, me këtë fe, të përqafojmë shpresën në mbretërinë e Zotit, të cilën na e sjell vetë Jezusi. Mbretëri e shërimit dhe e shpëtimit, që është në mes nesh! Mbretëri drejtësie e paqeje, që duket në veprat e bamirësisë, të cilat, nga ana e tyre, shpalosin shpresën e fuqizojnë fenë”.

Në traditën e krishterë - vijoi të kujtojë Papa - feja, shpresa e dashuria janë shumë më tepër se ndjenja ose sjellje. Janë virtyte të dikuara nga hiri i Shpirtit Shenjt, dhurata, që të shërojnë e të bëjnë shërues e që hapin horizonte të reja, edhe atëhere kur lundrojmë në detin e trazuar të kohës sonë.

Të mbështesim shpresat mbi Ungjillin e fesë, të shpresës, dashurisë

Takimi i ri me Ungjillin e fesë, shpresës e dashurisë - kujtoi më pas Papa - na fton për një shpirt  të ri, krijues. Kështu do të mund të jemi në gjendje  t’i shndërrojmë rrënjët e sëmundjeve tona fizike, shpirtërore e shoqërore. Mund t’i shërojmë në thellësi strukturat e padrejta e praktikat shkatërrimtare, që na ndajnë nga njëri-tjetri, duke kërcënuar familjen njerëzore e planetin tonë.

Jezusi shëron, gjithnjë, gjithçka!

Jezusi, gjatë jetës së tij tokësore, shëroi një mori njerëzish. Shëroi të sëmurë nga ethet, nga paraliza. U ktheu dritën e syve të verbërve. Fjalën, të pagojëve. Nuk shëroi vetëm sëmundjet fizike, por edhe ato shpirtërore. Shëroi njeriun! E kështu e shëron edhe bashkësinë, duke e çliruar nga izolimi.

Historia e paralitikut të Kafarnaos

Papa e konkretizoi këtë mendim, me historinë prekëse të shërimit të të gjymtit  të Kafarnaos. Ndërsa Jezusi po predikonte në një shtëpi, katër vetë sollën një njeri, që nuk mund të lëvizte këmbë as dorë. E me që nuk mund të hynin, për shkak të turmës, u detyruan të hapnin një vrimë në çati e ta zbrisnin prej aty barelën, me gjithë të sëmurin. Jezusi, duke parë fenë e tyre, i tha paralitikut: “Biri im, të janë falur mëkatet”. E shtoi: “Çou, merre shtrojën e shko në shtëpi tënde!”.

Veprimi i Krishtit, përgjigje për fenë e njeriut

Shembull i mrekullueshëm shërimi, ky - nënvizoi Papa, në vijim të audiencës së përgjithshme - Veprimi i Jezusit është përgjigje e drejtpërdrejtë, që i jepet fesë së këtyre njerëzve; shpresës, që e mbështesin në të; dashurisë, që tregojnë për njëri-tjetrin. E kështu Jezusi shëron: po jo vetëm paralizën: fal mëkatet, përtërin jetën e paralitikut e të miqve të tij. Shërim fizik e shpirtëror, fryt i takimit personal e shoqëror. Që e shëroi jo vetëm të sëmurin, por të gjithë ata që ishin të pranishëm, sepse secili e kishte një plagë të fshehur në shpirt.

Takim shërues me Jezusin

Atëhere pyesim: në ç’mënyrë mund të ndihmojmë për ta shëruar botën e sëmurë? Sot? Si dishepuj të Krishtit, mjek i shpirtit e i korpit, jemi të thirrur të vijojmë “veprën e shërimit e të shpëtimit”, në kuptimin fizik, shoqëror e  shpirtëror.

Kisha nuk është specialiste në mjekimin e pandemisë

Kisha, ndonëse mbarështon hirin shërues të Krishtit përmes sakramenteve e jep ndihmë shëndetësore deri në skajet më të largta të Planetit, nuk është specialiste në parandalimin dhe mjekimin e pandemisë. E as nuk jep udhëzimet përkatëse shoqëroro-politike (krh Shën Pali VI, Letra Apostolike Octogesima adveniens, 14 maj 1971, 4). Këtë e kanë për detyrë drejtuesit politikë e shoqërorë. Gjithsesi, në rrjedhë shekujsh e nën dritën e Ungjillit, Kisha ka zhvilluar disa parime themelore shoqërore (krh Përmbledhje e Doktrinës Shoqërore të Kishës, 160-208), parime që mund të na ndihmojnë të ecim përpara e të përgatisim ardhmërinë, për të cilën kemi nevojë. Po kujtoj vetëm më kryesoret- theksoi Papa - që lidhen ngushtë me njëra-tjetrën: dinjiteti i njeriut, pasuria e përbashkët, parapëlqimi i të varfërve, shpërndarja universale e pasurive, solidariteti, subvencionimi, kujdesi për shtëpinë tonë, tokën. Të gjitha këto parime shprehim, në mënyra të ndryshme, virtytin e fesë, të shpresës e të dashurisë.

Në javët e ardhshme,  çështjet e ngutshme, parë në dritën e Ungjillit

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa i ftoi besimtarët që javën e ardhshme të përballojnë, bashkë me Të, çështjet më të mprehta, të cilat i vuri në dukje pandemia, posaçërisht, sëmundjet shoqërore. E këtë - theksoi - do ta bëjmë në dritën e Ungjillit, të virtyteve teologale e të parimeve të doktrinës shoqërore të Kishës. E do të shikojmë sesi tradita jonë shoqërore katolike mund ta ndihmojë familjen njerëzore për ta shëruar këtë botë,  që vuan nga sëmundje të rënda. Dëshiroj të reflektojmë e të punojmë të gjithë së bashku, si ndjekës të Jezusit që shëron, për të ndërtuar një botë më të mirë, plot me shpresë për breznitë e ardhshme (krh Evangelii gaudium, 24 nëntor 1913)

05 gusht 2020, 12:18