Kërko

 Papa gjatë Engjëllit të Tënzot Papa gjatë Engjëllit të Tënzot 

Papa: Kisha shkon gjithnjë përpara me fenë e Pjetrit

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Françesku foli për dëshminë e fesë së Simon Pjetrit dhe i ftoi besimtarët ta pyesin veten: “Kush është për mua Krishti?”. “A është qendra e jetës dhe e çdo veprimtarie personale?”. Më pas ftoi që edhe gjatë veprave të solidaritetit, ta shikojmë tjetrin “me sytë e vetë Jezusit”.

R. SH. - Vatikan

Jemi përsëri në Sheshin e Shën Pjetrit, nën diellin përvëlues të gushtit. Papa duket në dritaren e Engjëllit e, pasi pushojnë duartrokitjet, që shpërthejnë zakonisht më këtë çast, u shpalos besimtarëve e shtegtarëve një faqe të re nga Ungjilli i Mateut. Atë, ku Pjetri dëshmon besimin në Jezusin si Mesi e Bir i Tënzot. Dëshmia e Apostullit - kujtoi Papa -  provokohet nga vetë Jezusi, që dëshiron t’u prijë apostujve drejt hapit vendimtar në marrëdhëniet e tyre me Të.

Në vijim Françesku u kujtoi besimtarëve, që e ndiqnin nga Sheshi e nga të katër anët e botës, përmes mjeteve të komunikmit, se e gjithë rruga e Jezusit  me ndjekësit e Tij, posaçërisht me të Dymbëdhjetët, është udhë e edukimit në fe. Para së gjithash, Zoti u drejton pyetjen: “Ç’thonë njerëzit, kush është i Biri i njeriut?”. Të flasësh për të tjerët nuk është shumë impenjative, edhe pse në këtë rast jemi para një pyetjeje, që ka të bëjë me fenë, jo me thashethemet - kujtoi Ati i Shenjtë, duke prekur një nerv që i dhemb, atë të përgojimeve. E dishepujt - vijoi - duket sikur bëjnë garë për të shprehur opinionet, që ndoshta i kishin shkëmbyer shpesh. Jezusi, sipas përgjigjeve të tyre, ishte profet.

Ti je Krishti, Biri i Zotit të gjallë!

Por pas pyetjes së parë, që Jezusi u drejton dishepujve, vjen menjëherë pyetja e dytë - kujtoi Papa në lutjen e Engjëllit - “Po ju, ç’ thoni, kush jam unë?”. Në këtë pikë, ndërmjet Krishtit e dishepujve të Tij bie heshtja. Por vetëm për një çast, sepse të gjithë të pranishmit duhet të japin përgjigje për arsyen, që i shtyn të ndjekin Jezusin. Prej këndej, është më se i ligjshëm një farë ngurrimi! E kush mund t’i përgjigjet menjëherë pyetjeve kaq të vështira? Ndaj pyetja e Jezusit pasohet nga një heshtje tjetër, edhe më e thellë. Po shumë shpejt heshtjen e thyen Simoni, që deklaron me turr: “Ti je Krishti, Biri i Zoti të gjallë”.

Përgjigje, që vjen nga Ati qiellor

Kjo përgjigje, kaq e plotë dhe e dritshme, nuk i vjen nga zemra e tij, sado  bujare. Është fryt i një hiri të posaçëm që zbret nga Ati qiellor. Vetë Jezusi i thotë: “Këtë nuk ta  zbuloi mishi as gjaku, por Ati im që është në qiell”:

“Në të njëjtin çast Jezusi shton me ton solemn: ‘Ti je Pjetër, shkëmb!’. Me këtë pohim, Jezusi   i shpjegon Simonit domethënien e  emrit, që zgjodhi për të; ‘Pjetër’- ‘Shkëmb’: feja që sapo dëshmoi, është ‘shkëmbi i pathyeshëm, mbi të cilin Biri i Zotit  dëshiron të ndërtojë Kishën e tij, domethënë, bashkësinë e tij’”.

Pyetje, që përsëritet në shekuj…

Pyetje, që përsëritet në shekuj. Që e përsërisin edhe shumë nga ne. “Kush është Krishti? Kush është për ne? Për botën?”. Sepse Ai na e drejton edhe ne të njëjtën pyetje, që u pati bërë Apostujve: “E ju, kush thoni se jam unë?”:

“E ne nuk duhet të japim ndonjë përgjigje teorike, por atë që ka të bëjë me fenë tonë, domethënë, me jetën tonë, sepse feja është jetë! Përgjigje, që kërkon edhe nga  ne, si nga dishepujt të parë, ta dëgjojmë në shpirt zërin e Atit, në përkim me atë që Kisha, e mbledhur rreth Pjetrit, vijon ta shpallë. Duhet të kuptojmë kush është për ne Krishti. Duket ta dimë se Ai është qendra e jetës sonë e qëllimi i çdo angazhimi në Kishë e në shoqëri”.

Dashuria e krishterë është gjithnjë  udha kryesore e përsosurisë

Eshtë e domosdoshme dhe e lavdërueshme  që baritoria e bashkësive tona   t’u përgjigjet varfërive dhe emergjencave të shumta – kujtoi në vijim Ati i Shenjtë - Dashuria e krishterë është gjithnjë udha kryesore e përsosurisë. Por është po aq e nevojshme - porositi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot -  që veprat e solidaritetit  të mos na shkëpusin kurrë nga lidhja e drejtpërdrejtë me Zotin Jezus. Dashuria e krishterë nuk është thjesht filantropi, por, nga njëra anë, është  ta shikosh tjetrin me sytë e vetë Jezusit e, nga ana tjetër, ta shikosh Jezusin në fytyrën e të varfërit.

Kështu u shpreh Papa gjatë lutjes së Engjëllit, për të përfunduar, si gjithnjë, me një mendin drejtuar Zojës së Bekuar:

“E shenjtnueshmja Mari, e lume sepse besoi, qoftë prijëse e model i udhës së fesë sonë në Krishtin e na bëftë të vetëdijshëm se besimi në Të i jep kuptim të plotë dashurisë sonë të krishterë dhe gjithë jetës sonë”.

 

23 gusht 2020, 12:34