Kërko

Vatican News

Françesku: të lutemi që të mos plaçkiten pasuritë e Planetit

Në “Videon e Papës” kushtuar ndjetit të lutjes për muajin shtator, botuar në atmosferën e Kohës së Krijimit, Ati i Shenjtë i nxit të gjithë të kujdesen për mbrojtjen e pasurive të Planetit e t’i ndajnë bashkërisht, me drejtësi e respekt.

R.SH. - Vatikan

Në prag të ditës Botërore të Lutjes për krijimin, botohet Videoja e re e Papës me ndjetin e uratës për muajin shtator, që Françeku ia beson mbarë Kishës katolike, përmes Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës (i cili përfshin edhe Lëvizjen Eukaristike Rinore). E ndjeti i lutjes për muajin shtator titullohet: “Jo plaçkitjes, po ndarjes së përbashkët!”.

Ndjeti i lutjes për shtator: “Jo plaçkitjes, po ndarjes së përbashkët!”

Në atmosferën e Kohës së Krijimit, që do të kremtohet duke nisur nga 1shtatori - deri më 4 tetor dhe në pesëvjetorin e Encikilikës “Lëvduar qofsh”, Ati i Shenjtë shpreh shqetësimin e tij për “borxhin ekologjik”, që krijohet duke zhvatur e duke shfrytëzuar burimet natyrore dhe bën thirrje  për t’i ndarë këto burime “në mënyrë të drejtë e respektuese”.    

Mesazhi papnor kushtuar kujdesit për krijimin është i prerë: “Po i shtrydhim me fund pasuritë e Planetit”- pohon me forcë. Për t’i inkurajuar, në vijim të gjithë të fitojnë vetëdijen për “borxhin ekologjik”, pasojë  e shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe të veprimtarive të disa shumëkombësheve, të cilat bëjnë jashtë vendit të vet, “çka brenda tij nuk u lejohet”. Ati i Shenjtë mendon se situata është e rëndë, “Sot - shkruan - sot e jo nesër - duhet të kujdesemi me përgjegjësi për Krijimin!”.

Bota, e uritur, më shumë se e ngopur!

Sa për të dhënë ndonjë shembull lidhur me ndarjen e pabarabartë të pasurive, disa raporte ndërkombëtare sinjalizojnë se gati një miliard njerëz shkojnë për natë unshëm në shtroje (nuk po themi në krevat, sepse as krevatin nuk e kanë), ngaqë nuk ka ushqim për të gjithë, për shkak të  çekuilibrit të mekanizmave të prodhimit e të shpërndarjes së ushqimit. Ndërmjet shkaqeve kryesore, mund të përmendim shtimin e pushtetit imprenditorial të prodhimit dhe të shpërndarjes së ushqimeve, krizën klimaterike dhe shfrytëzimin e padrejtë të burimeve natyrore, që ndikon mbi aftësinë e njerëzve për ta kultivuar e për ta blerë këtë ushqim. Kjo situatë peshon tejet rëndë mbi kurrizin e grave, që punojnë në bujqësi, më shumë se në çdo sektor tjetër e që prodhojnë pjesën më të madhe të  “bukës së përditshme”,  e cila “nuk do të duhej të mungonte në asnjë sofër”. Nga ana tjetër, në një Raport mbi industritë nxjerrëse,  OKB- ja  pohon se këto përfaqësojnë sfidat më shqetësuese si për shtetet me zhvillim të ngadalshëm, ashtu edhe për kombet në rrugë zhvillimi. Shpesh shfrytëzimi i burimeve natyrore të parinovueshme, duke përfshirë këtu edhe naftën, gazin, mineralet dhe drurin, është një nga shkaqet kryesore  të konflikteve të dhunshme në vise të ndryshme të botës.

Në kohë pandemie, më të vetëdijshëm për shtëpinë e përbashkët

Atë Frédéric Fornos S.J., drejtor ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës (që përfshin edhe Lëvizjen Eukaristike Rinore)  sinjalizon se “ në këto kohë pandemie, siç ka pohuar disa herë edhe Ati i Shenjtë, duhet të jemi më të vetëdijshëm lidhur me rëndësinë që ka për secilin nga ne shtëpia e përbashkët, gjë që na kujton  se duhet  të kujdesemi për pasuritë e Planetit. Në maj të këtij viti, në një video për Javën e “Laudato si’”, në pesëvjetorin e Enciklikës me të njëjtin titull, kushtuar kujdesit për shtëpinë e përbashkët, Papa i angazhonte të gjitha bashkësitë katolike të mbarë botës për të reflektuar mbi temën, për ta thelluar angazhimin e tyre ndaj Gjithësisë dhe për të promovuar ekologjinë e gjithanshme, duke ndjekur vijat e treguara nga “Lëvduar qofsh”, Enciklikë, që na kujton edhe një herë se “gjithçka është e bashkëlidhur”.

Thirrja e Papës Françesku

Me këtë rast Ati i Shenjtë pati pohuar: “Ç’tip bote duam t’u lëmë atyre, që do të vijnë pas nesh, fëmijëve, që po rriten? Përsëris thirrjen time urgjente për t’iu përgjigjur krizës ekologjike, britmës së tokës e britmës së të varfërve, që nuk mund të presin më. Të kujdesemi për krijimin, për gjithësinë, dhuratë e Zotit tonë, Krijuesit të mirë! Është urgjente  të bëhet shumë më tepër për ekologjinë e gjithanshme!”.

Pesëvjetori i Enciklikës “Lëvduar qofsh”

Në vitin 2020 - kujton Atë Fornos -  mbushen pesë vjet nga botimi i Enciklikës kushtuar kujdesit të shtëpisë së përbashkët, prandaj sot, më shumë se kurrë duhet t’i përgjigjemi britmës së tokës, me një stil të thjeshtë e solidar jete personale e komunitare dhe me një ekologji të gjithanshme.
Të lutemi, me Videon e Papës - fton Atë Fornos – “që pasuritë e Planetit të mos plaçkiten, por të ndahen me drejtësi e respekt ndërmjet gjithë banorëve të shtëpisë së përbashkët, të cilëve u përkasin”.

31 gusht 2020, 12:12