Kërko

Papa Françesku në Memorialin e Hiroshimës (nëntor 2019) Papa Françesku në Memorialin e Hiroshimës (nëntor 2019)

Papa, guvernatorit të Hiroshimës: paqja lulëzon vetëm pa armë bërthamore

Në 75-vjetorin e bombës së parë atomike mbi Hiroshimë, Papa Françesku, në një mesazh drejtuar Guvernatorit të asaj prefekture, Hidehiko Yuzaki, thekson se vetëm pa armë bërthamore, bota mund të mendojë për paqe.

R.SH. - Vatikan

Ati i Shenjtë u drejtohet atyre, që sot, në Hiroshima dhe në gjithë Japoninë, përkujtuan dhjetëra mijëra viktimat e bombës së parë bërthamore. Në veçanti, Françesku përshëndet të mbijetuarit, apo “hibakusha”-t, term japonez për njerëzit, që shpëtuan nga shpërthimi atomik, por akoma vuajnë pasojat e tij.

Udhëtimi apostolik në Japoni, në vitin 2019

          “Kam pasur privilegjin të vij personalisht në qytetet e Hiroshimës dhe të Nagasakit, gjatë vizitës sime apostolike në nëntor të vitit të kaluar, - shkruan Papa – kur vizitova Memorialin e Paqes në Hiroshima dhe Parkun e Hipoqendrës në Nagasaki”. Pikërisht në ato vende, Ati i Shenjtë meditoi për asgjësimin e shumë jetëve njerëzore dhe të dy qyteteve. E në mesazhin e sotëm, edhe një herë, Papa Bergoglio bëhet mbrojtës dhe bartës i britmës së të varfërve, të cilët janë gjithmonë ndër viktimat e para të dhunës dhe konfliktit.

Të zgjedhësh paqen

Që paqja të lulëzojë, nënvizon Françesku, të gjithë duhet të hedhin poshtë armët, veçanërisht ato më të fuqishme dhe shkatërruese, siç janë armët bërthamore, të cilat mund të paralizojnë dhe të shkatërrojnë qytete e vende të tëra. Së fundi, Papa thekson sërish çfarë tha në Memorialin e Paqes në Hiroshima, më 24 nëntor 2019. “Përdorimi i energjisë atomike për qëllime lufte është i pamoralshëm, ashtu siç është edhe zotërimi i armëve bërthamore. Zërat profetikë të të mbijetuarve të Hiroshimës dhe të Nagasakit - përfundon ai – shërbefshin gjithnjë si paralajmërim për ne dhe për brezat e ardhshëm”.

06 gusht 2020, 11:40