Kërko

Papa Françesku ia kushton ndjetin e lutjes së gushtit punonjësve të detit

Në 100-vjetorin e Apostullimit të Detit “Stella Maris”, një video e re e Papës përqendrohet tek njerëzit e detit, tek peshkatarët dhe familjet e tyre, që jetojnë duke u bërë ballë një mori sfidash e vështirësish. Sidomos në kushtet e pandemisë së Covid-19.

R.SH. - Vatikan

Sapo u botua Videoja e gushtit, me ndjetin e lutjes, që Ati i Shenjtë ia beson mbarë Kishës katolike përmes Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës (që përfshin edhe Lëvizjen Eukaristike Rinore). Françesku u drejtohet posaçërisht “të gjithë njerëzve, që punojnë e jetojnë në det, duke kërkuar lutje për ata e për familjet e tyre”.
Vitet e fundit, një mori shkrimesh në mediat ndërkombëtare vijojnë të vënë në dukje kushtet e vështira të punës në industrinë detare. Libri Fishers and Plunderers-Theft, Slavery and Violence at Sea (Grabitje, Skllavëri dhe Dhunë në Det 2015), dëshmon se peshkatarët dhe detarët kryejnë një nga detyrat më të rrezikshme në botë e, si të mos u mungonte kjo, janë edhe më të shfrytëzuarit e më të nëpërkëmburit. Jetojnë në kushtet e një lloj skllavërie. Pa shkuar shumë larg, Agjencia Evropiane për Sigurinë Detare deklaron, në një raport, se ndërmjet viteve 2011 e 2020 humbën jetën  rreth 745 punonjës të detit e 9.000 prej tyre u plagosën, duke shtuar edhe situata të tjera tragjike të këtyre jetëve, që shpesh varrosen në humnerat e  deteve.
Mendimi i Papës për sfidat që duhet të përballojnë punonjësit e detit si dhe familjet e tyre çdo ditë, shkon tek të braktisurit në porte të largëta, tek puna e detyruar, tek peshkimi industrial e tek ndotja. Përmes pamjeve të pëhapura nga Fondacioni për Drejtësinë Ambientale (Ejf), mund të shihen, në video, sfidat që përballojnë çdo ditë  punonjësit e detit dhe familjet e tyre. Ati i Shenjtë nënvizon edhe se, në këtë situatë alarmante, “pa detarët, shumë zona të botës do të vuanin nga uria”. E kjo, sepse jeta e më se 3 miliardë njerëzve varet nga biodiversiteti detar dhe bregdetar, pa folur për faktin se me peshkim merren më se 200 milionë vetë.

Video e realizuar në bashkëpunim me Apostullimin e “Stella Maris”

Kujtojmë se Apostullimi i “Stella Maris” (Ylli i Detit) mbush 100 vjet: është organizata, që u jep ndihmën baritore detarëve. Atë Bruno Ciceri, Drejtor Ndërkombëtar i Apostullimit të Detit “Stella Maris”, pranë dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, vëren: “Nga deklaratat  e pandemisë nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mësojmë se jeta e detarëve, e peshkatarëve dhe e familjeve të tyre u rrezikua tepër, ndaj kapelanët dhe vullnetarët tanë po përpiqen t’i mbështesin detarët e të mos lejojnë të keqtrajtohen gjatë shërbimit të tyre, sidomos tani, në kushtet e pandemisë”.
E Papa Françesku i pati kujtuar kështu, në qershor, në një videomesazh falënderimi e ngushëllimi, dërguar detarëve e peshkatarëve, që vijuan punën për t’i siguruar gjithë botës ushqimet dhe mallrat e nevojshme, edhe gjatë periudhës kur të gjithë ishin mbyllur në shtëpi, për shkak të pandemisë së koronavirusit:
“Këto janë kohë të vështira për botën - nënvizonte Ati i Shenjtë, duke pasur parasysh vuajtjet e shkaktuara nga Covid 19. - Puna juaj si detarë e peshkatarë është bërë edhe më e rëndësishme, për t’i siguruar familjes së madhe njerëzore ushqimin dhe të mirat e tjera të domosdoshme. Për këtë, ju jemi mirënjohës”.
Muajt e fundit kanë qenë të vështirë për detarët, me shumë flijime, me periudha të gjata larg familjarëve, miqve e atdheut, pa mundësi për të zbritur në tokë e me frikën e infektimit nga koronavirusi. Françesku ua njeh lodhjen, prandaj, me dorë në zemër, u drejtohet detarëve me fjalët:
“Dua t’ju them: ta dini se nuk jeni vetëm e nuk jeni të harruar. Puna juaj, deti, ju mban shpesh larg, por ju jeni të pranishëm në lutjet e në mendimet e mia, ashtu si në ato të kapelanëve e të vullnetarëve të Stella Maris. Vetë Ungjilli na e kujton, kur flet për Jezusin e dishepujt e tij të parë, që ishin të gjithë peshkatarë, si ju. Sot, dëshiroj t’ju dërgoj një mesazh e një lutje shprese, një lutje lehtësimi e ngushëllimi përballë çdo fatkeqësie e, njëkohësisht, t’i inkurajoj të gjithë ata, që punojnë me ju në baritorinë e njerëzve të detit”.

100-vjetori i Apostullimit të Detit “Stella Maris”

Duke e shoqëruar Stella Maris, domethënë  Apostullimin e Detit,  në 100 vjet historie, ky edicion i Videos papnore të kujton menjëherë impenjimin baritor të Kishës Katolike në favor të detarëve e të peshkatarëve, të cilët, edhe pse larg nga shtëpia, nuk lihen pa mbështetje shpirtërore. Vërtet, pikërisht në këtë apostullim bëjnë pjesë kapelanët e anijeve, të cilët sivjet, bashkë me gjithë Kishën, kremtojnë 100-vjetorin e këtij organizmi.

04 gusht 2020, 17:01