Kërko

Vatican News
 Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme  (Vatican Media)

Papa: as individualistë, as indiferentë, por vëllezër, për ta shëruar botën

Asnjë njeri nuk është send. Secilit duhet t’i njihet dinjiteti i tij. Françesku e kujtoi këtë në audiencën e përgjithshme, nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, duke vijuar ciklin e katekizmit nisur më 5 gusht e përqendruar mbi pandeminë

R. SH. - Vatikan

Sëmundjet shoqërore, nga të cilat vuan e rënkon mbarë bota, ishin sot në qendër të vëmendjes, gjatë audiencës së përgjithshme të Papës.  Pandemia – kujtoi Ati i Shenjtë - vuri me forcë në dukje sa të ligshtë e sa të ndërlidhur jemi. E na kujtoi se po të mos e ndihmojmë njëri-tjetrin, duke nisur nga më të fundmit, nga ata që u goditën më keqas, duke përfshirë edhe  gjithësinë, edhe ajo e sëmurë rëndë, nuk mund ta shërojmë botën.

Pandemia dhe sëmundjet shoqërore

Këtë theksoi Ati i Shenjtë, pa harruar as angazhimin e njerëzve, që këto muaj vijojnë të japin prova dashurie njerëzore e kristiane për të afërmin, duke iu kushtuar shërbimit të të sëmurëve, pa menduar për shëndetin e vet: Po coronavirusi nuk është e vetmja sëmundje për t’u luftuar – nënvizoi Papa, duke kujtuar, më pas, se pandemia nxori në dritë një mori sëmundjesh shoqërore:

“Një prej tyre është vizioni i shtrembër mbi njeriun, një vështrim, që  nuk do t’ia dijë për dinjitetin e njeriut e as për marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Ndodh që të tjerët të shikohen si sende, jo si njerëz, për t’u përdorur e për t’u flakur, si hedhurina”.

Këtë kujtoi me dhimbje, gjatë katekizmit Papa. E pikërisht ky tip shikimi   verbon dhe krijon kulturën e hedhurinës individualistike e agresive, që e shndërron njeriun në send, për t’u konsumuar!

Dinjiteti i njeriut, i paprekshëm

Po ne - sqaroi - në dritën e fesë, e dimë se Zoti i shikon burrin e gruan me një sy tjetër. Ai nuk na krijoi si sende, por si njerëz të dashur e të aftë për të dashur, sipas shëmbëllesës së vet. Kështu na dhuroi dinjitet unik, duke na ftuar të jetojmë në bashkim me Të, me motrat e me vëllezërit tanë, e duke respektuar gjithësinë

“Në këtë bashkim, Zoti na dhuroi aftësinë ta krijojmë e ta ruajmë jetën, të punojmë e të kujdesemi për tokën”.

Një shembull të shikimit individalistik - kujtoi në vijim Papa - e gjejmë në Ungjill, në kërkesën që i bën Jezusit nëna e dishepujve të tij, Jakut e Gjonit. Ajo donte që të bijtë të uleshin në të djathtën e në majtën e  mbretit të ri.

Po Jezusi propozon një vizion krejt tjetër: atë të shërbimit e të dhurimit të jetës për të tjerët. E këtë e vërteton menjëherë, duke u kthyer dritën e syve dy të verbërve e duke i bërë dishepujt e Tij:

“T’i kërkojmë, prandaj, Zotit, të na japë sy të vëmendshëm për vëllezërit e motrat, posaçërisht për ata, që vuajnë. Si dishepuj të Krishtit, nuk duam të jemi indiferentë, as individualistë. Duam t’ia njohim çdo njeriu dinjitetin, pa shikuar gjuhë, as racë, as gjendje në të cilën jeton”.

Dinjiteti i njeriut, në themel të jetës shoqërore

E, lidhur me këtë dinjitet, pasuria kryesore e çdo njeriu, Papa kujtoi se Koncili II i Vatikanit e quan të pacënueshëm, sepse çdo njeri u krijua sipas shëmbëlltyrës së vetë Zotit. Nga ky dinjitet, në themel të gjithë jetës shoqërore, varen të gjitha parimet e tjera. E në lidhje me të, Papa kujtoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, të cilën Shën Gjon Pali  II e quajti “gur kilometrik, i vënë në udhën e gjatë e të vështirë të gjinisë njerëzore”, si dhe “një nga shprehjet më të larta të ndërgjegjes njerëzore”.

“Të drejtat - kujtoi Françesku - nuk janë vetëm individuale, por edhe shoqërore, janë të popujve e të kombeve. Njeriu, në dinjitetin e tij vetjak, është qenie shoqërore, e krijuar sipas shëmbëllimit të Zotit Trini”.

Vëllai e gjithësia janë dhurata të Zotit

Kjo vetëdije e dinjitetit të çdo njeriu, ndikon fuqimisht mbi marrëdhëniet shoqërore, mbi ekonominë, politikën. Kështu besimtari, duke e kundruar të afërmin si vëlla, e jo si i huaj, e shikon me mëshirë e empati, jo me përbuzje e armiqësi. E, duke e parë edhe botën në dritën e fesë,  mundohet, me ndihmën e hirit, të punojë me frymë krijuese dhe entuziazëm, për të zgjidhur dramat e historisë, duke e vënë veten në shërbim të gjithë njerëzimit.

Feja na nxit t’i kundërvihemi indiferencës

Ndërsa punojmë për t’iu kundërvënë një virusi, që i prek të gjithë, pa bërë dallime, feja na nxit të impenjohemi seriozisht për t’iu kundërvënë indiferencës përballë shkeljeve të dinjitetit njerëzor - porositi Papa - feja kërkon gjithnjë të përpiqemi për të bërë kthesë, duke hequr dorë nga individualizmi, personal e kolektiv.

Papa e përfundoi audiencën me një lutje drejtuar Zotit:

“Zoti na e dhashtë dritën e  syve, për të rizbuluar çfarë do të thotë të jesh anëtar i familjes njerëzore. E kjo dritë u shndërroftë në aksione konkrete mëshire e respekti për çdo njeri e edhe kujdesi për shtëpinë tonë të përbashkët”.

12 gusht 2020, 10:41