Panama, lufta kundër Covid-19: dhurata e Papës për indigjenët, migrantët, të burgosurit
R. SH. - Vatikan
Termometra dixhitalë për bashkësitë indigjene, migrantët, të burgosurit. Dhurata e Papës për kryediqezën e Panamasë arriti në vend. Kryeipeshkvi Josè Domingo Ulloa dhe delegati i Nunciaturës për marrëdhëniet institucinale, atë Gilber Tsogli ia dorëzuan drejtpërdrejt Ministrit të jashtëm, Alejandro Ferrer: “Me këtë gjest Papa dëshmoi edhe një herë dashurinë e tij të veçantë për më të ligshtit e edhe për Panamanë” - pohoi prelati në përfundim të takimit. “Termoskaneret - shtoi - janë për ata që rrezikohen më shumë e që mund të sëmuren më shpejt për shkak të mbipopullimit dhe të vështirësive për të siguruar shërbimet kryesore shëndetësore”.
Gjendja ndër burgje
Imzot Ulloa theksoi, posaçërisht, problemin e burgjeve panameze: “Në burgje vuajnë dënimin më se 17.800 të burgosur. Prej tyre, sipas burimeve qeveritare të informimit të datës 4 qershor, 665 janë të infektuar. Pritet që numri të bëhet gjithnjë më i madh. E dimë edhe se në burgun e Santiagos, në Veraguas, 313 të burgosur janë prekur tashmë nga virusi. Një prej tyre ka vdekur”.
Migrantët dhe popullsia autoktone
Jo më pak shqetësuese është edhe situata e migrantëve: “Në Darién janë dy qendra strehimi, ku ka hyrë më parë Covid-19, sesa migrantët. Situata më kritike është në La Penita ku, në majin e kaluar, ishin të pranishëm 1694 vetë, shtatë herë më shumë se kapaciteti i vendstrehimit. “Përfaqësojnë 11% të popullsisë prej 4 milionë banorësh” - shpjegon kryeipeshkvi i Panamasë. “Jetojnë në pesë zona të vendit, ku mund të arrihet me vështirësi. Edhe këtu vijon të rritet çdo ditë numri i të prekurve nga Pandemia!”.