Kërko

1596732425985.jpg

Ndihma e Papës për Kishën e Libanit

Një shenjë e parë konkrete e afërsisë së Papës Françesku për popullsinë e vuajtur të Libanit, tronditur nga shpërthimet e 4 gushtit. Përmes Kishës lokale, Ati i Shenjtë dhuron 250.000 euro. Nga nunciatura, kjo shumë i kalon Karitasit e përmes tij, mijëra familjeve të viktimave, të plagosurve dhe të shpërngulurve.

R.SH. - Vatikan

Përmes Dikasterit për promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, Papa Françesku i shpreh afërsinë e tij konkrete gjithë popullsisë libaneze, sprovuar rëndë nga katastrofa e shpërthimit të dyfishtë, të martën e kaluar. “Shenjë e kujdesit dhe e afërsisë atërore për ata, që ndiejnë dhimbje e gjenden në vështirësi tejet të mëdha”, shpjegon në një notë, Dikasteri. Deri më tani, bilanci i përditësuar vazhdimisht flet për rreth 150 të vdekur, mbi 5.000 të plagosur dhe 300.000 të zhvendosur, nga të cilët, sipas UNICEF-it, të paktën 80.000 fëmijë.

          Të mërkurën, në audiencën e përgjithshme, Papa kërkoi impenjimin e të gjitha grupeve shoqërore, politike dhe fetare të vendit dhe të bashkësisë ndërkombëtare, për ta kapërcyer këtë “krizë serioze”.

Sot mbërrin donacioni i parë: është fjala për 250.000 euro, që iu dhanë Kishës së Libanit, përmes nunciaturës apostolike në Beirut. Në notë theksohet se synimi është ndihma “për njerëzit e dëmtuar nga shpërthimi i tmerrshëm, i cili shkaktoi kaq shumë vdekje dhe qindra mijëra njerëz të plagosur e të shpërngulur, duke shkatërruar edhe ndërtesat, kishat, manastiret, strukturat civile dhe shëndetësore”.

Strukturat katolike, kujton Dikasteri i Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, u përgjigjën menjëherë, duke aktivizuar “qendrat e tyre të pritjes për njerëzit e zhvendosur, së bashku me Karitasin e Libanit, Karitasin Ndërkombëtar dhe sivëllezërit e tyre”. Dikasteri bashkohet kështu me Kishën universale, pas thirrjes së Papës të mërkurën e kaluar, që të gjithë ta ndihmojnë Libanin në këtë çast tragjik dhe të dhimbshëm.

07 gusht 2020, 15:57